Kokajt me plot bukuri e pak banorë

07.02.2014 (komentet: 0)

Asfaltimi i rrugës për banorët e fshatit Kokaj ka domethënien e jetës, të mbetjes në fshat dhe të kthimit të atyre që dikur kishin lëshuar fshatin.

 

Enver Sadiku

Ndonëse bënë kohë e ftohtë, në fshatin Kokaj nuk shihet të del tym nga oxhaqet e shtëpive të fshatit. Të ngritura rrëzë një kodre, jo fort larg kufirit me Serbinë, këto shtëpi kanë mbetur pa banorët e tyre, të cilat u larguan në Gjilan, por edhe jashtë vendit, në kërkim të një jete më të mirë. I ndarë në dy lagje të mëdha, të epërmen dhe të poshtmen, në Kokaj të Gjilanit nuk më shumë se pesë shtëpi të banuara, dy në lagjen e epërme tri në të poshtmen. Ata pak banorë të mbetur kryesisht merren me blegtori, por e punojnë edhe tokën e nga të ardhurat që krijojnë mbajnë gjallë familjet e tyre. Shkolla fillore e fshatit, e cila dikur gumëzhinte nga nxënësit, tashti ka ngelur e zbraztë, ngase nuk ka nxënës të mjaftueshëm për klasat e ulëta.

Ismet Azizi, me prejardhje nga ky fshat, thotë se dikur shkolla e Kokajve kishte 81 nxënës, më pas numri i tyre kishte rënë në 60, për t’u zvogëluar nga viti në vit. Ai thotë se fshati më së shumti banorë kishte pasur në vitin 1981, kur kishte rreth 60 shtëpi me rreth 400 banorë. Që nga atëherë, numri i banorëve ka rënë vazhdimisht. Tashti ata pak nxënës të mbetur të gjithë janë udhëtarë, dy vijojnë në shkollë të mesme e dy të tjerë janë studentë.

Problemi më i madh për këtë fshat mbetet rruga, ngase për të mbërri deri në Llocë apo Sllubicë, ata duhet të udhëtojnë nëpër rrugën me baltë. Banorët disa herë kishin bërë kërkesë që rruga të asfaltohet, ndryshe sic thonë ata qëndrimi i mëtejmë është i pamundur. Ata i janë gëzuar shumë asfaltimit të rrugës deri në Llocë dhe kërkojnë që ajo të vazhdohet.

Tahir Dalipi, mësimdhënës është i rregullt në këto anë. verë e dimër, ai rrugëton nëpër këto fshatra dhe thekson se është mëkat që ato po boshatisin. Ai nuk lë javë që të mos ec këmbë që nga Pogragja në drejtim të Sllubicës, për t’u freskuar me ujin që është m’u afër kufirit, pastaj merr rrugën përpjetë në drejtim të Kokajve, zbret në Llocë e prej aty në sërish kthehet në Pogragjë, duke përshkuar kështu mbi dhjetë kilometra rrugë, nëpër një terren me ajër të pastër, duke takuar njerëz zemërmirë.

“Është mëkat që këto vende po boshatisen, sidomos ato të Malësisë së Karadakut, ku ka bukuri të jashtëzakonshme natyrore, me plot pemë e me tokë që jep bereqet”, thotë Tahir Dalipi.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment