KMSH po bëhet institucion i fuqishëm që po kujdeset për gazetarët

17.03.2015 (komentet: 0)

 Nehat Islami drejtor i zyrës së Këshillit të Medieve të Shkruara dhe Musa Sabedini anëtar i bordit të këtij këshilli kanë diskutuar me mediet e rajonit të Anamoravës mbi etikën në mediet e shkruara dhe elektronike dhe zbatimi i udhëzuesit mbi etikën.

 

 

Këshilli i Medieve të Shkruara (KMSH) në bashkëpunim me Klubin e Gazetarëve “Beqir Musliu” kanë debatuar në një tryezë të rrumbullakët të martën në Gjilan rreth etikës në mediat e shkruara dhe elektronike dhe zbatimi i udhëzuesit mbi etikën. 

Nehat Islami drejtor i zyrës së KMSH tha se ky këshill po bëhet një institucion i fuqishëm që po kujdeset për mediet dhe gazetarët dhe në të njëjtën kohë po i mbron edhe qytetarët nga gazetaria e papërgjegjshme.

Islami tha se KMSH në Kosovë është më aktivi pas Bosnjës. “Ne nuk dënojmë as japim gjoba për mediet e as gazetarët. E veçanta e KMSH është se në japim vetëm dënime morale, por të cilat po respektohen dhe po gjejnë zbatim nga mediet kosovare” tha Islami.

 

Islami tha se në të njëjtën kohë po kujdesen edhe për vetëdijesimin e gazetarëve të rinj, po kujdesen që edhe ata që pretendojnë se janë viktima të gazetarisë të papërgjegjshme të udhëzohen për të kërkuar të drejtat e tyre.

Musa Sabedini anëtar i bordit të KMSH dhe themelues i Agjencisë së Lajmeve rajonipress tha se mediet në radhë të parë duhet të jenë të përgjegjshme për të ofruar para lexuesve lajme të balancuara, objektive dhe të vërtetuara profesionalisht. “KMSH ka ndikuar në vetëdijesimin e gazetarëve edhe në Anamoravë dhe vet fakti që diskutohet hapur dhe kërkohen udhëzuesit e etikës dhe parimet e saja flet qartë se gazetarët i kuptojnë qartë përgjegjësit që i kanë ndaj lexuesit, por edhe burimeve të tyre.

Sabedini tha se sa më profesional të jenë mediet dhe gazetarët aq më pak do të ketë shkelje të etikës.

Në tryezë janë kyçur edhe Enver Sadiku nga gazeta “Zëri” i cili ka folur mbi përvojën e tij si gazetar shumëvjeçar. Sadiku tha se etika ndihmon gazetarët në teren që të bëjnë më pak gabime dhe ta respektojnë profesionin e gazetarit.

Muhamet Halili themelues i 2lonline tha se po bëjnë përpjekje që në mediumin që ai drejton të ofrojnë gazetari të balancuar dhe të ndërtuar në burime të sakta 

Ismet Azizi nga kokaj.net tha se është mirë që po debatohet për etikën sepse kjo u jep mundësi medieve të jenë më afër anës profesionale.

Tefik Selimi nga “Bota Sot” ka rrëfyer mbi përvojën e tij në gazetari derisa ka shtuar se mediat ende kanë nevojë të marrin përvojën e medieve të huaja, të cilat punojnë mbi parimet bazë të etikës.

Në tryezë kanë folur edhe Hekuran Aliu e Kaltrina Sylejmani.

Nora Behluli zyrtare për ankesa pranë KMSH tha se çdo ditë vijnë ankesa në adresë të këtij këshilli dhe kjo e bënë edhe më të përgjegjshëm punën që ky bord po bënë në favor të gazetarisë profesionale.

Ndryshe, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës është një trup vetë-rregullativ i formuar për dhe nga sektori i mediave të shkruara. Misioni i tij mbështetet mbi bindjet e kodit të mirësjelljes.

 

 
 

Kthehu mbrapa

Shto koment