KKSB fton qytetarët të mos e braktisin vendin e tyre në këtë mënyrë

27.02.2015 (komentet: 0)

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi ka diskutuar të premten për migrimin nga Kosova, ku ka shprehur shqetësimin e tij ndaj këtij fenomeni, ndërkohë që ka kërkuar nga institucionet e vendit që të analizojnë shkaqet e vërteta të shpërthimit të menjëhershëm të interesimit të njerëzve për të ikur nga vendi i tyre. KKSB u ka bërë apel qytetarëve që të mos e braktisin vendin  e tyre në këtë mënyrë.       

 

Togeri Basri Shala, përgjegjës për vijën e gjelbër në regjionin e Gjilanit, ka thënë se në bazë të statistikave zyrtare, deri më tani në Hungari janë regjistruar rreth 19.500 migrantë nga gjithë Kosova.  

Pas kësaj informate si dhe një diskutimi të gjerë, ku kanë marrë pjesë Nazmi Musa, Dragan Kojiq, Ramadan Kurteshi, Feriz Abazi, Isa Agushi, Ali Arifi, Don Demenik Qerimi, Drita Klaiqi, Esat Marovca dhe të tjerë, kryesuesi i KKSB, Halit Rexhepi, ka thënë se migrimi nga Gjilani nuk ka ndodhur në mënyrë të zhurmshme dhe të organizuar, sikurse në Ferizaj dhe disa mjedise tjera, sepse këtu, afërsia me kufirin, ka mundësuar një ikje të heshtur të qytetarëve në drejtim të shteteve të BE-së.

Për ne, brengosëse është mënyra dhe lehtësira e shpërnguljes. Duhet të analizohet se si ndodhi që përnjëherë të shkaktohet një valë kaq e madhe e ikjes së njerëzve dhe po ashtu si ndodhi që të hapen kufijtë për largimin e tyre, ka thënë Rexhepi.

Në përgjithësi, te qytetarët është krijuar një klimë për largim nga Kosova. Nëse qytetarit nuk i kryhet sot një punë, ai menjëherë reagon duke thënë se do të ik për në Hungari.  Sipas tij, qytetarët në Kosovë janë të zhgënjyer me institucionet, sepse këtu flitet për korrupsion dhe keqpërdorime, ndërkaq nuk ka asnjë zyrtar të lartë që është dënuar.      

Po ashtu, për brengosje është edhe paralajmërimi për kthimin masovik të migrantëve, prandaj është detyrë e jona që të përgatitemi për pranimin e atyre që do të dëbohen nga vendet ku kanë migruar, ka thënë Rexhepi.      

Përndryshe, KKSB është informuar edhe për vërshimet, të cilat kanë ndodhur në fillim të këtij muaji. “Vërshimet, në pjesën më të madhe të rasteve, janë pasojë e ndërhyrjes së qytetarëve në rrjedhën e lumenjve”, ka thënë Rexhepi. 

Sipas tij, me një intervenim të vogël në pastrimin e lumenjve dhe largimin e pengesave që kanë krijuar qytetarët, Gjilani mund të shpëtojë nga vërshimet.

Kthehu mbrapa

Shto koment