Kastrati: Drejtoria e Shëndetësia kujdeset me shërbime për qytetarët e Gjilanit dhe mirëqenien e tyre

14.07.2015 (komentet: 0)

 

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, është duke punuar në krijimin e kushteve më të mira shëndetësore por edhe mirëqenien për kategoritë me gjendje të rëndë ekonomiko – sociale dhe kategorinë tjetër të problemeve fizike dhe shëndetësore.

 

Kështu është shprehur në konferencën e sotme për media u.d. i drejtorit të kësaj drejtorie Muhamet Kastrati, i cili theksoi se kanë bërë përfundimin e fazës së parë të dezinfektimit hapësinor.

“Si Drejtori, kemi përfunduar fazën e parë të dezinfektimit hapësinor dhe do të vazhdohet me fazat tjera gjatë të ardhmes. Poashtu, në bazë të planit të drejtorisë, do të kryhen fazat tjera duke përfshirë edhe fazën e dezinfektimit”, ka thënë Kastrati.

Kastrati ka thënë se brenda kësaj periudhe si Drejtori, kemi marrë konfirmimin nga Ministria e Shëndetësisë për financimin e ndërtimit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan.

Aktiv nën ombrellën e kësaj drejtorie është edhe inspeksioni sanitar, me inspektime dhe lëshime të pëlqimeve sanitare.

“Inspeksioni sanitar tashmë është në kuadër dhe kompetencë të Drejtorisë së Shëndetësisë, nga ku aktivitetin e vet higjeno – sanitar e kryen në monitorimin lokaleve afariste dhe institucioneve private shëndetësore. Për këtë periudhë kohore janë bërë 32 vizita të inspektimeve sanitare nëpër institucionet shëndetësore, ku nga to janë dhënë edhe pëlqime sanitare”, ka thënë Kastrati.

“Brengë e Drejtorisë është gjendja ekonomiko – sociale, çdo vit në rritje në Komunën e Gjilanit, ku vetëm për periudhën gjashtëmujore kemi një rritje për 55 raste më shumë se periudha e njejtë e vitit paraprak, që dëshmon për përkeqësim të gjendjes ekonomiko – sociale në Gjilan”, theksoi Kastrati.

Në këtë konferencë, Kastrati tha se DSHMS ishte përkrahëse edhe e familjeve të zhvendosura nga Kumanova.

“Drejtoria e Shëndetësisë, ka mbështetur me pako ushqimore dhe veshmbathje tetë familjet e zhvendosura shqiptare nga konflikti i fundit në Komunën e Kumanovës”, ka thënë drejtori Kastrati në fjalën e tij.

Kastrati ka apeluar tek qytetarët, përkatësisht te duhanpirësit e Komunës së Gjilanit që të jenë të kujdesshëm gjatë konsumimit të duhanit.

“Zero tolerancë për duhanpirësit në ambiente të mbyllura. Ambientet e mbyllura janë të ndaluara për konsumim të duhanit vetëm nëse kjo është ndryshe në bazë të ligjit. Dënimet e inspektorëve do të jenë konform ligjit për konsumuesin e duhanit, por, edhe për pronarin e afarizmit”, tha Kastrati, duke informuar qytetarët e Gjilanit poashtu se uji i pijes nga penda e Përlepnicës dhe burimet e tjera në kuadër të ujësjellësit janë të pijshme dhe kanë të gjitha elementet për konsumim.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment