Kadriu:Historiku i Koshares është simbol i përhershëm lirisë së shqiptarëve

04.05.2014 (komentet: 0)

Në Zhegër të Gjilanit janë përmbyllur me manifestimin qendror “I këndojmë Agimit”, aktivitetet e një, dy dhe tre majit, aktivitet këto që kanë prezantuar kulturën, artin, sportin, këngën virtyte këto edhe të heroit Agim Ramadani, e që është organizuar nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, z.Lutfi Haziri.

 

 

Me këtë rast në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit ka folur nënkryetari i Rexhep Kadriu, i cili ka thënë se emri i Agimit dhe shokëve të tij janë skalitur në rrënjët e historisë kombëtare, por edhe të shtetësisë dhe lirisë që ne po e gëzojmë sot.

“Emri i Agimit dhe i shokëve të tij, dhe i të gjithë të rënëve për liri është në themelet e historisë kombëtare. Organizimi i UÇK-së, kushtrimi i Jasharajve, trimëria e Haradinajve dhe dora e këmba e Agimit bëri që ne sot të mos kemi më kufij artificial siç na ishin vënë nga okupatori serb. Agim Ramadani, ra heroikisht në thyerjen e kufirit, për të mos vdekur kurrë. Gjithnjë kur flitet për Kosharen kryefjala e kësaj historie është vetëm emri i Agim Ramadanit. Duke nderuar jetën, kontributin dhe sakrificën e heroit Agim Ramadani, nderohen të gjithë dëshmorët që me luftën e tyre e bëjnë të pavdekshme Betejën e Koshares”, ka thënë ai ndër të tjerash.

Ndërsa në emër të familjes, bashkëshortja e Agimit, Shukrie Ramadani, ka falënderuar të pranishmit për prezencën, ka kujtuar disa fjalë të Agimit e ndër to edhe atë “Nuk ka më mirë se të vdiset për lirinë e vendit tënd”, kështu thoshte Agimi, tha ajo, duke shtuar se organizimet për shënimin e “Ditëve të Agimit 2014”, por edhe për gjithë dëshmorët tjerë të rënë kah do në hapësirën shqiptare janë krenaria e të gjithë ne të gjallëve.

Ish bashkëluftëtari i Agimit, Rrustem Berisha, tha se emri dhe ideali, por edhe vepra e komandantit asnjëherë nuk mund të përmblidhet me fjalë dhe as nuk mund të shkruhet. “Ai ishte një njeri që sado që të flasim, shkruajmë asnjëherë nuk do të mund t’a themi të tërën. Vepra e tij përherë për ne do të mbetet e shenjtë dhe një rrugë për të ecur përpara ballëhapur”, tha ai.

Dita e parë të këtij manifestimi u karakterizua me turnirin në futboll të vogël të mbajtur në fshatin Zhegër “Edhe me sport e kujtojmë Agimin” me pjesëmarrje të 24 ekipeve nga të gjitha trojet shqiptare si dhe flakadanët në përkujtim të 114 dëshmorëve të Betejës së Koshares.

Në ditën e dytë është mbajtur aktiviteti sportiv në hendboll dhe ora e madhe letrare “Muza e Agimit”, ndërsa sot dita e tretë ka nisur me homazhe para lapidarit të Agim Ramadanit, për të vazhduar me programin e shkollës “Agim Ramadani” në fshatin Zhegër në ora 12:00, ndërsa në ora 16:00 ka kulmuar me këtë tubim qendror “I këndojmë Agimit”, ku kanë marrë pjesë përfaqësues nga të gjitha nivelet e qeverisjes, përfaqësues fetar, artist, dhe qytetarë të shumtë. 

Kthehu mbrapa

Shto koment