Kadriu: Parku në lagjen Dardania në vlugun e punimeve

09.09.2015 (komentet: 0)

Punimet në investimin dhe rregullimin e parkut në lagjen ”Dardania”, janë duke u bërë me dinamikë të shtuar dhe tashmë ndryshimet kanë nisur të japin pamje tjetër kësaj lagjeje, e cila prej kohësh kërkonte në forma të ndryshmi investime në këtë hapësirë të lënë pas dore, thotë nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu.

Kadriu, i shoqëruar nga drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça dhe drejtori i Prokurimit, Sali Kqiku, kanë qëndruar për një kohë në këtë punishte, ku nga afër kanë përcjell punët që janë duke u bërë në këtë projekt, i cili kap vlerën prej mbi 239 mijë euro.

 

Kadriu me këtë rast ka thënë se kjo vizitë është në kuadër të inspektimit të punimeve që janë duke u bërë nëpër projekte të ndryshme publike në Komunën e Gjilanit.

 

”Sot jemi këtu në lagjen, ”Dardania”, ku është duke u investuar projekti për parkun e kësaj lagje. Është shumë e rëndësishme puna që është duke u bërë në këtë hapësirë, që deri para pak javësh ishte e degraduar. Falë programit ”Kosova e Bukur”, ne kemi arritur që të përfitojmë këtë projekt që po e bashkëfinancojmë dhe është në interes të mijëra qytetarëve të kësaj pjese. Gjelbërimi, trotuaret, terrenet sportive, amfiteatri, ndriçimi publik dhe aspektet tjera rekreative – sportive, janë ato që e përbëjnë këtë investim në këtë lagje, e që janë elemente të cilat do t’i prekin të gjitha kategoritë e qytetarëve”, tha nënkryetari Kadriu, duke shtuar se me dinamikën që janë duke u bërë punët, ky projekt do të përfundoj shumë shpejt. /2L ONLINE/


Kthehu mbrapa

Shto koment