Kadriu: Më 28 nëntor përfundon faza e dytë e projektit te Varrezat e Dëshmorëve

13.10.2015 (komentet: 0)

Komuna e Gjilanit ka nisur sot fazën e dytë të projektit për rregullimin e varrezave të dëshmorëve, projekt ky i lënë në gjysmë nga qeverisja e kaluar, thonë pushtetarët. E, Rexhep Kadriu, nënkryetar i Komunës, ka thënë se më 28 nëntor do të përfundojë faza e dytë e këtij projekti, duke shtuar se me këtë përmbushet zotimi i kryetarit Lutfi Haziri për përkujdesjen për varrezat e dëshmorëve dhe për familjet e tyre.

Fillimin e punimeve e ka inspektuar sot nënkryetari Rexhep Kadriu, i shoqëruar nga drejtori i Departamentit të Prokurimit, Salih Kqiku dhe ai i Shërbimeve Publike, Naser Korça.

 

“Ky projekt ka filluar para katër vitesh, mirëpo qeverisja e PDK-së e ka lënë në gjysmë sepse s’ka pasur vullnet dhe gatishmëri që ta përfundoj. Ne i kemi marrë masat e duhura, kemi bërë prerjen e punëve nga ish-kontraktori, është shkëputur kontrata dhe kemi shpallur tenderin e ri. Kjo është faza e dytë e projektit, pra shtrimi me kubëza betoni, sikurse edhe gjelbërimi, ndërkaq në vitin e ardhshëm nis faza e tretë e ndriçimit”, ka deklaruar nënkryetari Kadriu.

Kadriu tha se më 28 nëntor do të përfundojë faza e dytë e këtij projekti, duke shtuar se me këtë po përmbushet zotimi i kryetarit Haziri për përkujdesjen për varrezat e dëshmorëve dhe për familjet e tyre.

“Ne e kemi obligim ndaj dëshmorëve që të kujdesemi për vendin ku prehen, sikurse edhe për familjet e tyre. Më 28 nëntor përfundon faza e dytë dhe do të jetë një ambient krejt tjetër këtu. Tashmë po përmbushet zotimi i kryetarit Haziri për rregullimin e varrezave të dëshmorëve ashtu si i ka hije”, ka shtuar Kadriu.

Ndryshe, kostoja e këtij projekti arrin vlerën e rreth 60 mijë euro. /2L ONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment