Kadriu: Isa Kastrati bëri shumë për lirinë e Kosovës

20.04.2014 (komentet: 0)

Në Gjilan është shënuar të dielën 15-vjetori i rënies së dëshmorit, Isa Kastrati, me ç`rast për kontributin e tij dhënë luftës për liri kanë folur bashkëpunëtorë e veprimtarë të çështjes kombëtare.

Në emër të qeverisë së Kosovës, nën përkujdesjen e së cilës është mbajtur akademia përkujtimore, pjesëmarrësit i ka përshëndetur Basri Musmurati, i cili i ka bërë një përshkrim rrugëtimit patriotik të Isa Kastratit, deri në momentet e rënies për liri.

Kurse, Rexhep Kadriu, nënkryetar i Komunës së Gjilanit, ka thënë se Isa Kastrati dhe familja e tij, në vazhdimësi kanë kontribuar në luftën për çlirim kombëtar. Isa bëri shumë vite burgim, kaloi nëpër shumë tortura, por kurrë nuk u gjunjëzua në rrugën e lirisë.        

Adem Demaçi tha se dëshmorët e Kosovës patën për çka të vdesin, prandaj ata nuk duhet të qahen nga ne, ndërkohë që u tregua kritik ndaj atyre që tani po e hanë luftën e vetë për interesa karrieriste,  duke harruar interesin e popullit dhe të shtetit.

Demaçi i rikujtoi udhëheqësit e vendit se kanë përgjegjësi për ta bërë lirinë e plotë të Kosovës, sepse, siç tha ai, ende nuk e kemi bërë.

Duke aluduar te kërkesat e ndërkombëtare për themelimin e gjykatës speciale në Kosovë, Adem Demaçi tha se shqiptarët po detyrohen që të pranojnë diçka që shkel interesat e tyre. Bashkësia Ndërkombëtare nuk duhet të insistojë te shqiptarët të shkelin mbi gjakun e tyre, ka thënë Demaçi.

Kurse kolonel Adem Shehu kujtoi takimet e para me të rinjtë nga Kosova, që kishin shkuar në Shqipëri për t`u përgatitur për luftë, për të vazhduar me përshkrimin e gjendjes në terren, ku edhe ai dha kontribut të drejtpërdrejt si oficer i Ushtrisë Shqiptare.

Koloneli shqiptar kujtoi edhe takimin e parë me Isa Kastratin, i cili pasi kishte kuptuar se kush ishte Adem Shehu dhe nga vinte, kishte bërtitur nga gëzimi ”E fituam luftën”.

Musa Musliu, i cili ka folur për figurën intelektuale të Isa Kastratit, ka thënë ai ishte kryengritës i përjetshëm, që nuk e njohu asnjëherë fenomenin e frikës, kurse Ibrahim Ahmetaj tha se është pak të thuhet se Isa e bëri këtë sakrificë për Kosovën, sepse Isa e bëri këtë për Shqipërinë.

Akademia përkujtimore u përmbyll me recitalin e Mirush Kabashit “Poemë për Kosovën” të Mitrush Kutelit.                

Kthehu mbrapa

Shto koment