Kadriu e Gagica i përgjigjen kritikave të opozitës

05.08.2014 (komentet: 0)

 

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit Rexhep Kadriu së bashku me drejtorin e Administratës së Përgjithshme, Nazim Gagica, i janë përgjigjur akuzave të pabaza të disa individëve të opozitës në Gjilan, përkatësisht këshilltarit komunal Riad Rashiti.

 

Sa i përket kritikave të opozitës, kinse kanë ngecur punët në lumin “Mirusha”, nënkryetari Kadriu ka thënë se në vitin 2013 kur ka qeverisur PDK me Gjilanin janë punuar 770 metra rrjet i kanalizimit, ndërsa vetëm për gjashtë muaj të qeverisjes së koalicionit LDK-AAK, janë punuar 1125 metra.

“Projekti i lumit “Mirusha është duke shkuar jashtëzakonisht mirë dhe shfrytëzoj rastin ta falënderoj edhe organin mbikëqyrës edhe kompaninë, e cila i ka shtuar kapacitetet e punës, ndërsa ne jemi duke ia bërë pagesat me rregull. Deri në fund kanë mbetur të punohen edhe 450 metra kanalizim dhe do ta përfundojmë kah fundi i shtatorit”, ka thënë Kadriu.

Sa i përket kritikave për lumin “Baja”, Kadriu tha se pushteti i kaluar i ka lënë keq punët, ndërsa ne e kemi rregulluar këtë segment prej 90 metra, duke ftuar mediat që të shkojnë dhe t’i intervistojnë qytetarët e asaj pjese për ta parë nga afër gjendjen.

“Nuk do të ketë më përmbytje te lumi “Baja” nga pjesa tek “Diagnoza” e deri te “Abdulla Presheva”, tha ai.

Kadriu ka prezantuar projektin e rrugës së katër korsive, si kundërpërgjigje ndaj kritikave edhe për këtë çështje, duke thënë se ky është një projekt që i ka të gjitha parametrat sipas standardeve europiane.

“I kemi konsultuar bizneset që janë në rrugën e Bujanocit, ka qenë komunikim disamujor për t’ju bërë qasje sa më të mirë. Nuk po realizohet sepse ish-qeverisja na ka lënë 9.6 milionë euro borxhe. Edhe ky ish-drejtor, i cili pa kurrfarë kriteri dhe pa i ardhur gjynah, i ka shpenzuar paratë e qytetarëve, na ka bërë neve të pamundur që ta fillojmë këtë projekt. Por, do të fillojmë edhe këtë projekt”, ka thënë Kadriu, ndërsa më pas i ka prezantuar shpenzimet enorme të drejtorisë për Zhvillim Ekonomik për vitin 2013.

“Për udhëtime jashtë vendit për vitin 2013, ky zotriu i ka shpenzuar për vitin 1150 euro. Për telefon “Vala” 1270 euro, shërbime për arsim për trajnim 2800 euro, furnizime për zyre 2892 euro, ndërsa për dreka dhe darka kjo Drejtori ka shpenzuar mbi 15 mijë euro. Këtu i keni faktet. Atij nuk i kanë dalë restorantet e Gjilanit, por ka shkuar edhe në Vërmicë për të ngrënë drekë”, ka deklaruar Kadriu, duke vazhduar t’i numëroj shpenzimet tjera enorme të ish-qeverisjes.

 “Për vitin 2013 Zyra e kryetarit shpenzon 4865 euro naftë, zyra e nënkryetarit 2363 euro naftë, ndërsa drejtoria e Zhvillimit Ekonomik 1600 euro naftë. I them atij zotriut, se Zyra e nënkryetarit ka shpenzuar për gjashtë muaj vetëm 292 euro naftë, ndërsa për telefon dhe dreka e darka shpenzimet janë zero”, u shpreh nënkryetari i Gjilanit.

Kadriu ka vlerësuar se koalicioni LDK-AAK i udhëhequr nga Lutfi Haziri është duke bërë hapa të shpejt dhe të sigurt në zhvillimin e Gjilanit.

Gagica: Qeverisja e kaluar i ka paraqitur njerëzit si të vdekur për qëllime personale

Kritikave të opozitës u është përgjigjur edhe drejtori i Administratës së Përgjithshme, Nazim Gagica.

“Dihet mirë se në vitin 2013 qytetarët janë pritur në administratë me barrikada të hekurta një kohë të gjatë, për të mbajtur radhët e gjata për t’u pajisur me shërbime. Ndërsa në këtë vit, po e kalojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, pa zgjatje të orarit dhe shumë më efikas po u ofrojmë shërbime qytetarëve. Tash qytetarët vijnë dhe i marrin shërbimet në mënyrë komode”,  tha Gagica.

“Për ata që kanë bërë vërejtje, i them se janë gjetur 318 gabime të rënda që kanë ndodhur në vitin 2013 si njoftim i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe që të gjitha janë  për hetime të krimeve të rënda që nënkupton prej ndryshimeve në emra, mbiemra e deri në atë shkallë kur i paraqesin njerëzit si të vdekur për qëllime të tyre personale, ndërsa këtë vit s’ka ndodhur asnjë gabim. Në vitin e kaluar kanë qenë 11 punëtorë më tepër se sivjet, ndërsa efikasiteti në vitin 2014 është shumë më i lartë. Ne, prej kohësh kemi punuar me 8 orë të plota sepse e kemi hequr pauzën, ndërkohë sa i përket aplikimit online për dy muaj kemi dërguar mbi 1100 dokumente tek shtëpitë e qytetarëve”, është shprehur drejtori i Administratës së Përgjithshme Nazim Gagica.

 

 

Kthehu mbrapa

Shto koment