KA kërkon zbatimin e rregullores që ndalon kurset private me nxënës

24.11.2014 (komentet: 0)

Komiteti për Arsim (KA) ka kërkuar nga Drejtoria e Arsimit dhe organet tjera kompetente që të mbikëqyrin zbatimin e Rregullores komunale sa i përket mbajtjes së kurseve private me nxënës, për shkak të ankesave të prindërve. Arben Mehmeti, kryetar i KA, ka thënë se Rregullorja i ndalon kurset me nxënës, prandaj është përgjegjësi e institucioneve që ta monitorojnë zbatimin e saj.

 

Nga disa anëtarë të KA ka pasur propozime që kurset të legalizohen, ose të aplikohet mësimi shtesë dhe plotësues në shkolla. Fehmi Sylejmani (VV) ka thënë se mësimi shtesë dhe plotësues në shkolla do t`i ishte një mundësi e mirë për angazhimin e arsimtarëve të interesuar, duke iu siguruar edhe një pagesë të arsyeshme institucionale.

Leonora Bunjaku (PDK) thotë se kurset nuk duhet të ndalohen, por ato duhet të regjistrohen dhe legalizohen. Sipas Bardhyl Sylës, zyrtar nga DKA, të gjitha kurset mbahen jashtëligjshëm.

KA është informuar edhe për shpërndarjen e drurëve nëpër shkolla, meqë ka pasur akuza se nxehja nuk ka filluar me kohë për shkak të vonesave në shpërndarjen e lëndëve djegëse. Arben Mehmeti, ka thënë se borxhet e qeverisjes së kaluar, kanë qenë pengesë në shpërndarjen e drurëve.

Ramadan Ajvazi, anëtar i komisionit, ka thënë se një vonesë dy javore ka ndodhur për shkak se kompania fituese e tenderit ka refuzuar të fillojë shpërndarjen për shkak se qeverisja e kaluar i ka mbetur borxh rreth 130 mijë euro, për vitet e kaluara.

Shpërndarja e drurëve është në përfundim e sipër, ka thënë Ajvazi, duke mohuar akuzat e opozitës që në disa shkolla nuk ka filluar nxehja për shkak të mungesës së lëndëve djegëse. “Në të gjitha shkollat kemi gjetur dru të mbetura nga viti paraprak”, ka thënë Ajvazi.

Për më tepër, ai ka sqaruar se në tri shkolla, ka pasur probleme me sistemin e ngrohjes, ndërkaq sa i përket fotografisë së një nxënësi me batanije, Ajvazi tha se ai ka qenë një rast i inskenuar dhe dihen edhe rrethanat si është bërë.

Sa i përket Rregullores mbi përgjegjësitë disiplinore dhe materiale të punëtorëve në institucionet arsimore, Bardhyl Syla nga Drejtoria e Arsimit, ka thënë se ajo është duke u zbatuar dhe deri tani janë shqyrtuar tri raste nga komisioni disiplinor, ndërsa një rast tjetër është në procedurë sipër.

KA ka diskutuar edhe për probleme tjera në këtë sektor.                                    

 

Kthehu mbrapa

Shto koment