Jeta po kthehet në fshatrat e brezit kufitar

24.08.2014 (komentet: 0)


Tashti askujt më nuk i shkon ndërmend që të lëshojë fshatin. Rruga e asfaltuar e me anësoret anash që shkon për Llofcë, fshat kufitar në komunën e Gjilanit, pritet të vazhdojë edhe në drejtim të Kokajve dhe deri në kufi.
Mbi 20 familje që kanë mbetur të jetojnë në Llofcë deklarohen se jetën do ta vazhdojnë në fshat, ngase tashti infrastruktura është rregulluar dhe me asgjë nuk ia kanë lakmi qytetit. Për t’u kompletuar infrastruktura, pas shtrimit të rrugës, fshatit, i cili ka kanalizim e ujësjellës, i mungon vetëm edhe ambulanca.


Enver Sadiku

Më jo që nuk mendohet për shpërngulje, por ka disa familje që tashti janë kthyer në fshat, kurse edhe për shkollën e këtushme do të ketë më shumë nxënës.
Rruga që është ndërtuar kishte koston e rreth gjysmë milioni euro dhe ajo është e gjatë 4,7 kilometra. Sipas Nuhi Xhelilit, përfaqësues i fshatit, ndërtimi i rrugës në masë të madhe fshatarëve jetën ua ka bërë më të lehtë. Ata tashti shumë më afër e kanë qytetin dhe deri atje koha është shumë më e shkurtër. “Asfaltimi i rrugës ka nxitur shumë banorë të këtij fshati që ndodhen në Gjilan të kthehen në vatrat e tyre”, ka thënë z. Xhelili. E ngjashëm është shprehur edhe Shabi Azemi, që ndërtimin e rrugës për në këto anë e vlerëson si një ndër projektet më të mira e më të qëlluara.
Mërgimtari Ibrahim Shabani, është ndjerë shumë i lumtur kur e ka parë rrugën e ndërtuar deri në fshat, bile edhe rrugët kryesore nëpër fshat. Ai tashmë ka bërë investime edhe në shtëpi, e ka rregulluar edhe kopshtin dhe kërkon që njerëzit t’i kthehen punës, arave dhe të gjithë ata që nuk e gjetën mirë veten në qytet kërkon që të kthehen në fshat e t’ia kthejnë jetën edhe këtij lokaliteti.
Ngjashëm është shprehur edhe mësuesi nga ky fshat, Behgjet Mehmeti që thotë se tashti janë plotësuar kushtet që të jetohet e punohet edhe më mirë në fshat.

Kthehu mbrapa

Shto koment