Jeta plot me peripeci në ndërtesën më të madhe të qytetit

20.04.2015 (komentet: 0)

 

 

 Në këtë ndërtesë jetojnë 55 familje, por që del se nuk e kanë asnjë metër parking për vetura, kulmi pikon e mbi të janë të vendosur qindra antena, kurse ashensorit kurrë nuk i dihet se ku mund të ndalet, thotë Arlind Behluli, kryetar i Shoqatës së Banorëve.

 

 

Enver Sadiku

 

Jetojnë në ndërtesën më të lartë të Gjilanit, por të jetosh në këtë ndërtesë nuk është ndonjë privilegj, ngase nuk ka ditë që në të nuk bënë ndonjë vaki. Jahi Mustafa, që ka nisur punën në një radio lokale të vendosur në këtë ndërtesë, për gati një orë ka ngelur në ashensorin e kësaj ndërtese, duke mos pasur mundësi të dal prej aty. Një fat i njëjtë në ditën në vijim e kishte përcjellë një të ri tetëmbëdhjetëvjeçar, i cili mbeti i ngujuar në ashensorin pa drita dhe në të dy rastet është dashur të vijnë zjarrfikësit për t’i zhbllokuar të ngujuarit.

“Soliteri”, ndërtesa më e lartë në Gjilan që i ka trembëdhjetë kate, dallon për nga lartësia e atë edhe më të lartë e bëjnë edhe antenat e shumta të vendosura mbi të, që nuk dihet se të kujt janë, derisa nga maja e ndërtesës lëshohen kabllo të ndryshme deri në shtylla telefonike e elektrike. Në këtë ndërtesë jetojnë 55 familje, por që del se nuk e kanë asnjë metër parking për vetura. Në fakt, kjo ndërtesë e ngritur në vitet shtatëdhjeta të shekullit të kaluar ishte ndërtuar në 30 ari tokë e Ndërmarrja Ndërtimore “Soliteri” e kishte blerë këtë pronë nga komuna. Në kompensim për tokën, komunës i ishte dhënë kati i trembëdhjetë, por i janë dhënë edhe banesa, të cilat më pas i kishte shitur ndërmarrja. Në vitet e nëntëdhjeta, të gjitha këto banesa ishin privatizuar, kurse prona e përbashkët është tjetërsuar dhe tashti nuk figuron as që është e ndërtesës. Garazhet e pronarëve që ishin dikur, të blera me të holla u rrënuan dhe tashti lënda është në gjyq. Tashti pasuri e përbashkët kanë mbetur vetëm shkallët, ashensori dhe kulmi, por mbi kulm janë të vendosura me qindra antena, të cilat nuk dihet se të kujt janë.

Arlind Behluli është kryetar i Shoqatës së Banorëve dhe siç thotë ai, çasje te antenat nuk kanë. Sokol Haziri, drejtor për Shërbime Publike në Gjilan, ka më tepër se një vit që ka theksuar se ato antena duhet të hiqen nga ana e Drejtorisë së Inspeksionit e në Gjilan ka kohë që inspeksioni më nuk është drejtori. Kaloi një vit e vendimi nuk po ekzekutohet, kurse Shoqata e Banorëve i ishte drejtuar Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP), i cili ua ka bërë me dije se kati i trembëdhjetë është në pronësi të komunës.

Behluli, thotë se tashti kulmi po pikë dhe janë antenat që e kanë dëmtuar kulmin e ato aty janë pa leje dhe banorët dyshojnë se dikush po merr qira nga to. Ai thotë se edhe ashensori ka defekte, kurse ashensori i dytë fare nuk është në funksion. Problemi më i madh mbetet parkingu. Ai thotë se ka njerëz që vijnë në punë e lënë aty veturën 12 orë, kurse banorët me ditë të tëra nuk kanë qasje në parkingun që realisht është i tyre. Ka banorë të ndërtesës që fare nuk e lëvizin veturën, për të mos humbur parkingun. Probleme ka edhe me furnizimin me ujë, ngase KRU “Hidromorava” e ka sjellë deri në katin e poshtëm e prej aty uji bartet me pompa, të cilat i blenë banorët e ndërtesës e banorët paguajnë edhe për mirëmbajtjen, ndriçim nëpër korridore e harxhime të tjera.

Banorëve të kësaj ndërtese u është mërzitur jeta, andaj i janë drejtuar edhe prokurorisë. Ata kanë vendosur që t’i drejtohen edhe Drejtorisë së Urbanizmit, duke kërkuar ndërtimin e një rrethoje të oborrit të ndërtesës dhe për këtë duan një përgjigje të shpejtë, ndryshe ata paralajmërojnë se do të veprojnë vet./Zeri/

Kthehu mbrapa

Shto koment