Janë bërë të gjitha përgatitjet për turneun ndërkombëtar “Agim Rashiti”

07.05.2014 (komentet: 0)

Janë bërë të gjitha përgatitjet për nisjen e turneut ndërkombëtar në Boks “Agim Rashiti” 2014 për nderë të 25 vjetorit të rënies së tij, i cili do të mbahet për herë të parë nën patronatin e kryetarit të Komunës z. Lutfi Haziri më 10.05.2014.

 

Ky është turneu jubilar i njezetë që po mbahet, ndërsa rreth tij kanë folur në konferencë për media anëtarët e këshillit organizativ: Bujar Haziri – u.d. i DKRS, Shpresa Kurteshi – kryesuese e Komitet për Sport dhe Elhami Bajrami – kryetar i klubit të boksit “Drita”.

Shpresa Kurteshi, kryetare e Këshillit Organizativ ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura që të shtunën të nis ky turne në nderim të dëshmorit Agim Rashiti, e që do ta nderojë edhe Gjilanin edhe Kosovën pasi pritet pjesëmarrja edhe e boksierëve të disa shteteve tjera që do ta nderojnë këtë turne me pjesëmarrjen e tyre.

Kurteshi ka bërë me dije se përveç boksierëve nikoqirë, kosovarë, do të marrin pjesë edhe boksierë nga Shqipëria, Polonia, Çekia, Maqedonia e Mali i Zi. “Këshilli organizativë i ka bërë të gjitha përgatitjet që me 10 maj në Palestrën Sportive në Gjilan të kemi një spektakël të madh sportiv për të nderuar kështu heroin Agim Rashitin, por edhe për të nderuar të gjithë sportistët, Gjilanin dhe Kosovën duke dëshmuar se jemi të aftë për të organizuar si është më së miri ngjarje të tilla sportive me karakter ndërkombëtarë”, ka thënë Kurteshi.

 

Elhami Bajrami nga Klubi i Boksit Drita ka thënë se ky turne mbahet për të 20-tën herë me radhë ndërsa është hera e tretë që ka karakter ndërkombëtarë, ndërsa e veçantë është edhe ajo se përveç boksierëve nga vendet re lartpërmendura do të marrin pjesë edhe boksier nga Novi Pazari (Serbi).

 

Bajrami ka thënë se do të kemi 10 meçe dhe tri para meçe ndërsa ka thënë se boksierët që vijnë nga shtetet e lartpërmendura janë boksierë jashtëzakonisht cilësor që vendet e tyre i kanë përfaqësuar deri më tani edhe nëpër kampionate të ndryshme ndërkombëtare ku edhe kanë pas suksese.

 

Ai ka falënderuar institucionet komunale që kanë marrë përsipër mbulimin financiar të kësaj ngjarje të madhe sportive ndërsa ka premtuar se boksierët tanë nga Gjilani do të japin maksimumin për të ofruar boks cilësor.


Ndërsa, drejtori i drejtorisë për Rini, Kulturë e Sport, Bujar Haziri ka thënë se institucionet komunale do të jenë me gjithë potencialin në mbështetje të kësaj ngjarjes të madhe sportive që do ta ketë Gjilani këtë të shtune dhe ka bërë me dije se përherë të parë institucionet komunale po e mbulojnë qind për qind një eveniment të tillë, pa dyshim se do të jetë një ngjarje që do të organizohet mirë dhe do ta nderojë edhe Gjilanin prandaj ka ftuar të gjithë që të shtunën të vijnë sa më shumë në Palestër për të përcjellë këtë ngjarje të madhe sportive me karakter ndërkombëtar.

 

Turneu memorial ndërkombëtar në boks “Agim Rashiti”, mbahet të shtunën me 10 maj prej orës 18:00, në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta” në Gjilan.



 

Kthehu mbrapa

Shto koment