Institucionet komunale nderojë veteranin e arsimit, Azem Azemi

17.10.2014 (komentet: 0)


 Në Gjilan, në moshën 72-vjeçare ka ndërruar jetë veterani i arsimit, Azem Azemi profesor i Gjeografisë. Me rastin e vdekjes së Azemit, institucionet komunale të Gjilanit, kanë mbajtur mbledhje përkujtimore, ku drejtori i Arsimit, Nazmi Musa, ka nënvizuar kontributin e këtij intelektuali të veçantë në zhvillimin e shkollës shqipe dhe të kulturës kombëtare.

Azemi ishte njeriu, që bashkë me shumë të tjerë përballoi furtunat e kohës dhe ishte ndër të partë që i refuzoi këto furtuna, të cilat kishin për qëllim të na zhbënin si popull. Ai u bë shembull se si duhet luftuar për mbrojtjen e atdheut, të kulturës dhe të shkollës shqipe, ka thënë Musa.
Në emër të veteranëve të arsimit, fjalë rasti mbajti Ilmi Ibrahimi, i cili ndër të tjera tha se Azemi një jetë të tërë ia kushtoi arsimit shqip, çështjes kombëtare dhe çlirimit të atdheut. Ai ishte një intelektual i mirëfilltë, tha Ibrahimi.
Në emër të shokëve, profesori Nuhi Rexhepi, ka thënë se te Azemi kanë spikatur vlerat intelektuale si dhe dashuria për punën dhe njerëzit.
Me rastin e vdekjes së Azem Azemit, familjen e tij e ka ngushëlluar edhe kryetari i Komunës, Lutfi Haziri. “Azem Azemi ka qenë vlerë e madhe e arsimit në Gjilan”, ka thënë Haziri.
Në emër të familjes, është falënderuar e bija Arbentita Azemi. /2L ONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment