Inaugurohet projekti i kompleksit të dëshmorëve në Gjilan

28.11.2015 (komentet: 0)

 

Si asnjëherë më parë, në varrezat e dëshmorëve në Gjilan kanë marrë pjesë numër rekord qytetarëve të Gjilanit, duke filluar nga kryetari Lutfi Haziri, strukturat komunale, partitë politike, deputetë, përfaqësues të institucioneve të sigurisë dhe familjet e dëshmorëve në inaugurimin e projektit të kompleksit të dëshmorëve, i cili është realizuar nga buxheti i Komunës së Gjilanit.

 

Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, është shprehur të jetë i nderuar që pikërisht në ditën e flamurit më 28 nëntor, po e inauguron fazën e parafundit të këtij projekti të rëndësishëm.

“Jemi të nderuar që përfundimisht një pjesë të punës sonë, një pjesë të amanetit tonë dhe një pjesë të kërkesës së qytetarëve ta realizojmë në ditën e shenjtë të flamurit, në ditën e madhe të lirisë së shqiptarëve, atëherë kur të gjithë ne iu bashkuam luftës së madhe për t’u çliruar dhe vazhduam të punojmë, edhepse 103 vite pas saj, edhe më shumë duhet të bëjmë përpjekje që t’i realizojmë idealet, qëllimet mbi të gjitha amanetin e dëshmorëve”, u shpreh Haziri.

Haziri tha se 15 vjet pasluftës në Gjilan, duhet ta pranojmë që janë vonuar shumë, për tash ndihet më i çliruar në këtë ditë në mënyrë që vërtetë të vazhdojnë t’i realizojmë ato amanete dhe ato qëllime që dëshmorët i kanë lënë.

“Ne sot jemi shumë të vegjël para këtyre dëshmorëve. Ata rrugën e tyre e kanë zgjedhur në ditën e rënies për liri, ku rruga e tyre është ndriçuar. Ne sot të gjallët, 15 vjet pasluftës në Gjilan duhet ta pranojmë që jemi vonuar shumë për t’i qetësuar të gjallët, familjarët e dëshmorëve, sepse qetësia e tyre ka ndodhur edhe në rënie. Të gjithë ne që i kemi njohur dhe kemi punuar e bashkëvepruar, jemi më të çliruar në këtë ditë në mënyrë që vërtetë të vazhdojmë t’i realizojmë ato amanete dhe ato qëllime që dëshmorët i kanë lënë. Kodra e Dëshmorëve është emëruar me gjakun e dëshmorëve. Kodra e Dëshmorëve sot është kodra e heronjve, kodra e viktimave, kondra e burrave dhe grave të regjionit tonë që në opërpjekjet shekullore për liri kanë gjakuar”, ka deklaruar kryetari Haziri.

I pari i Gjilanit paralajmëroi se projekti i fundit i varrezave të dëshmorëve do të inaugurohet në 28 nëntorin e vitit të ardhshëm.

“Do të vazhdojnë t’i nderojnë të gjitha ato familje, të gjithë ata njerëz dhe të gjithë atë gjakë që është derdhur që ta gëzojnë të gjallët. Më lejoni t’ju uroj 28 nëntorin dhe t’ju ftoj që 28 nëntorin e ardhshëm ta përmbyllim fazën e fundit të këtij projekti dhe vërtetë ta merr pamjen e një kodre ku heronjtë, dëshmorët dhe viktimat e luftërave të regjionit bëjnë roje për lirinë e Kosovës”, tha ai.

Një fjalë rasti patën edhe Ahmet Isufi, ish komandant i Zonës Operative të Karadakut dhe Ahmet Daku, kryetar i OVL të UÇK-së për Gjilan, të cilët realizimin e këtij projekti e vlerësuan lartë nga ana e Komunës së Gjilanit.

Kthehu mbrapa

Shto koment