9 vitet e Lëvizjes në Gjilan

20.08.2014 (komentet: 0)

 

Lëvizja VETËVENDOSJE! në Gjilan është themeluar më 20 gusht të vitit 2005. Thirrja e Lëvizjes në atë kohë ka qenë, Ne jemi Lëvizje dhe duam vetëvendosje. Ne jemi Lëvizja VETËVENDOSJE!- tha Luan Aliu në konferencën mbajtur sot në 9-vjetorin e Qendrës në Gjilan.

 

"Vullneti dhe gatishmëria e të rinjve për angazhim, - vijoi Aliu,- bashkë me kontekstin politik të kohës kanë ndikuar që Qendra të jetë vatër e aktivizmit. Siç ka ndodhur me Lëvizjen në përgjithësi, edhe në Gjilan u themeluam në aksion dhe jemi rritur e zhvilluar përmes aksionit."

Aliu rikujtoi disa nga momentet kyçe si protesta 21 gushtit 2005 në Gjilanit për të cilën tha se i ka dhënë udhë Lëvizjes në këtë Komunë. “Atëbotë u bë e qartë se përcaktimi i statusit të Kosovës nuk do të bëhej përmes parimit të vetëvendosjes së popujve, por përmes negociatave me Serbinë. Nga këto bisedime të dëmshme për Kosovën, ishte shënjuar të dëmtohej veçanërisht Gjilani që iu nda territori. Aksionet tona kishin në thelb të kritikës e kundërshtimit imponimin e decentralizmit etnik. Kujtojmë këtu parullat publike e protestat, aksionet e peticionet si dhe qindra tubime me qytetarë në kundërshtim të decentralizimit”, tha ndër të tjera Aliu.

“Me kalimin e kohës, - vijoi Aliu - Lëvizja është zhvilluar edhe sa i përket çështjeve e temave që adresojmë e për të cilat angazhohemi. Përveç angazhimit tonë në shërbim të realizimit të Programit Politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE! të nivelit qendror, Qendra e Gjilanit trajton çështje e përgatit politika edhe për nivelin lokal. Vlen të përmendet këtu puna e jashtëzakonshme monitoruese dhe kritikat e propozimet e asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin Komunal të Gjilanit. Pra, ne jemi zhvilluar. Dhe ne duhet te jemi gati për të gjitha.

Lëvizja VETËVENDOSJE! si një organizëm politik që nga themelimi i saj, edhe pse fillimisht kishte numër të vogël të anëtarëve, zgjoi interesimin e masave me çështjet që i vinte në pah, me kundërshtimin e proceseve të dëmshme për vendin dhe zgjidhjet që i ofronte. Ismajl Kurteshi, deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Gjilani, tha se kjo lëvizje ka bërë punë të madhe në vetëdijesimin e qytetarëve për rrjedhat në vend dhe paralajmërimet për dëmet që i shkaktoheshin vendit përmes proceseve të caktuara, të iniciuara kryesisht nga jashtë, por të udhëhequra nga klasa politike e vendit. “Programi, parimet, afria me masat dhe angazhimi konkret i aktivistëve e bënë Lëvizjen faktor të rëndësishëm politik në vend që ofron perspektivë. Përkrahja për Lëvizjen po rritet edhe në pjesët e tjera të trojeve shqiptare si dhe në vendet tjera. Edhe Qendra e Lëvizjes në Gjilan këto vite ka përjetuar rritje të madhe të përkrahjes. Aktualisht ne jemi forca e dytë politike në Komunë me numër të madh të përkrahësve sidomos nga radhët e të rinjve”, tha Kurteshi.

Nevzad Isufi foli për aktivitetin e këshilltarëve komunal të VETËVENDOSJE!-s në Gjilan. Midis të tjerash ai tha se gjatë kësaj periudhe ne kemi shtruar shumë çështje si për sa i përket transparencës, zbatimit të rregulloreve komunale, ndarjes së buxhetit, përfaqësimit përkatës në komitete. “Kemi ngritur çështje nga më të ndryshmet si në fushën e transparencës së punës së Kuvendit komunale, kështu është si shembull mund të përmendet bërja publike e punës së seancave të incizuara dhe të paraqitura në websajtin e Komunës, ngritja e çështjeve të ndryshme të arsimit, shëndetësisë, shërbimeve publike, punës së drejtorive, rreth çështjes së zbatimit apo moszbatimit, shkeljeve të vendimeve të Kuvendit komunal, formës së punës inspektoratit të ndërtimit, menaxhimit të hapësirave publike.”

“Lirisht mund të themi - shtoi ai - se deri më tash si Kuvendi Komunal ashtu edhe përfaqësuesit tanë në Komitete, gjatë gjithë kohës kanë qenë pasur qasje konstruktive dhe të argumentuar, pavarësisht nëse janë pranuar apo nuk janë pranuar nga pozita.”

Duke ia kaluar fjalën Profesoreshës Arjeta Rexhepi, drejtuesi i grupit të Këshilltarëve komunal Nevzad Isufi përmendi dhe një atribut tjetër të Qendrës në Gjilan ku përfaqësim gjinor në Kuvendin komunal nga VETËVENDOSJE! është 50% me 50%.

Profesoresha Arjeta Rexhepi u ndal tek pjesëmarrja e grave dhe e vajzave në Qendrën e Gjilanit. Ajo theksoi se Pozita e gruas në Lëvizje pasqyron shkallën e demokracisë dhe avancimit politik të lëvizjes. “Gratë dhe vajzat në lëvizje janë të barabarta si në punë, në aktivitete po ashtu është në vendimmarrje. Ato janë përkrah burrave në të gjitha aktivitetet dhe aksionet që i organizon Lëvizja. Gratë në Lëvizje gjenden në të gjitha pozitat vendimmarrëse të këtij organizimi politik, po ashtu edhe në përfaqësimin e Lëvizjes në institucionet lokale dhe qendrore.”, theksoi Rexhepi.

Në zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit, nga Qendra e Gjilanit janë tre deputetë në Grupin parlamentar të VETËVENDOSJE!-s, Ismajl Kurteshi, Doktoreshë Besa Baftiu dhe Profesor Besnik Bislimi.

 

20 gusht 2014

Lëvizja VETËVENDOSJE!, Qendra në Gjilan

Kthehu mbrapa

Shto koment