Haziri: Zyrat e Kadastrit ditëlindje për këtë drejtori, synim janë e-shërbimet

06.05.2016 (komentet: 0)

 

 

 Në Komunën e Gjilanit sot është bërë përurimi i zyrave të kësaj drejtorie të renovuara dhe ridizajnuar në mbështetje të Komunës së Gjilanit, Agjensionit Kadastral dhe donatorit kryesor, Bankës Botërore.

 

 

Nga të pranishmit u dha mesazhi se pas këtij hapi pretendim dhe prioritet kryesor pos tjerash mbetet edhe fillimi i programit të e-shërbimeve.

 

Me këtë rast, kryetari i Komunës së Gjilanit, ka thënë se kjo është rilindje e Kadastrit të Gjilanit pas lëvizjeve të shumta e të ndryshme nëpër objekte me kushte minimale apo tepër të rënda të punës deri më tani.

 

“Është projekt kapital ky i cili sot po përurohet në Gjilan. Për të gjithë ata që do të kërkojnë shërbime të përditshme nga kjo drejtori, kanë mundësinë që t’i marrin shumë shpejtë ato. Është rilindje e Kadastrit në Komunën tonë, sepse në kushtet që është punuar deri në kohën e fundit, ishin jashtëzakonisht të rënda. Këtu tashmë është i mundur edhe arkivimi por edhe arkiva e veçantë për ruajtjen e dokumentacioneve. Do t’i jem shumë mirënjohës drejtorit Berisha, nëse kjo drejtori nga Gjilani do të jetë në grupin e parë, me programin për e-shërbime”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

 

E nga këndi i tij, Murat Meha, kryeshef i Agjensionit Kadastral të Kosovës, ka thënë se edhe sot është konfirmuar tradita e këtij sektori me vlera të larta.

 

“Mbështetja e Agjensionit Kadastral, bashkëpunimi shumë i ngushtë me kryetarin e Komunës së Gjilanit dhe projekti i donatorit – Bankës Botërore, u rikonfirmua edhe njëherë se këtu është tradita e lartë e këtij sektori të Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës në Gjilan. Nuk do të ndalemi me kaq por do të vazhdojmë edhe më tutje për e-shërbimet në këtë drejtori, që mbetet edhe moto e jona për këtë vit. Do të vazhdohet edhe më tutje në sistemin e adresave e kështu me radhë”, tha Meha gjatë këtij aktiviteti.

 

Ditë e veçantë për Drejtorinë e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës, kështu është shprehur drejtori I kësaj Drejtorie, Sadudin Berisha, sepse për herë të parë sipas tij pas 70 vitesh, kjo drejtori vendoset në shtëpinë më të mirë të mundshme dhe në kohën e duhur.

 

“Meritë për këtë janë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, Agjensioni Kadastral i Kosovës, respektivisht kryeshefi, Murat Meha dhe donatori - Banka Botërore. Me këto kushte që kemi tani, shtohet edhe përkushtimi i stafit të këtij sektori jashtzakonisht të rëndësishëm. Këtu kemi shënime dhe dokumentacione që vlera e tyre asnjëherë nuk mund të llogaritet. Këto kushte krijojnë siguri, përkushtim, azhurim më të shpejtë të lëndëve dhe profesionalizëm edhe më të madh, duke pretenduar zhvillim dhe avancim më të madh”, ka thënë në fjalën e tij drejtori Sadudin Berisha.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment