Haziri: Zoti e merr atë që e do më së shumti

01.10.2014 (komentet: 0)

 

Sot, trupi i pajetë i Blendi Selmanit është varrosur në Varrezat e Qytetit në Gjilan e në varrimin e tij ka marrë pjesë një qytet i tërë. Kortezhi, të cilit nuk i shihej fundi është nisur nga shtëpia e të ndjerit në Lagjen “Deremahallë”, mu afër xhamisë dhe është varrosur në Varrezat e Qytetit në Gjilan.

 

Në një akademi përkujtimore, të mbajtur në Gjimnazin Natyror në Gjilan, nxënës e mësimdhënës të kësaj shkolle janë mbërthyer në vaj, teksa kujtonin shokun e tyre.

Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, ka thënë se në një formë a një formë tjetër, të gjithë e kanë njohur Blendin, i cili sikurse të gjithë bashkëmoshatarët e tij luftoi për jetë, për mësim e për dije.

“Zoti e merr atë që e do më së shumti, andaj të gjithë duhet të bëhemi të durueshëm. Kjo është një dhembje shumë e madhe për juve – shoqërinë e tij, për nxënësit në përgjithësi, por edhe për gjithë qytetarët e Gjilanit dhe më gjerë”, ka thënë Haziri, që ka shtuar se nga dita e sotme, Blendi do të jetë me ne, por në një formë tjetër.

Ndërsa, Nazmi Musa, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, ka thënë se jeta e Blendit u mbyll në një ditë të shenjtë, kurse java e ekskursionit u shndërrua në ditë dhembje e pikëllimi dhe që nga sot gjimnazi është me një shok me pak e me një dhimbje më të madhe.

Bekim Mustafa, ushtrues detyre i drejtorit të Gjimnazit Natyror, ka theksuar se kjo ndarje me Blendin është e dhimbshme, ngase do të duhej që bashkë me të, të rrugëtonim në nxënien e dijes. “Po na mbyt kjo ndarje, por duhet të mbështesim njëri-tjetrin, ngase Blendi ishte shembull i mirë, i cili do të na udhëheq në nxënien e dijeve të reja dhe ai gjithmonë do të mbetet nxënës i yni”.

Në emër të nxënësve të Gjimnazit Natyror, të cilët në gjoks po mbanin nga një fotografi të Blend Selmanit e fundit është ndarë Erblina Xhemshiti, shoqe e gjeneratës, e cila duke rikujtuar kohën që kaluan me Blendin, tha se tri vite bashkë ishin sa një jetë e tërë. “Ai do të jetë me ne e do të jetojë në kujtimin tonë dhe atij sot i themi vetëm mirupafshim dhe jo lamtumirë”, ka thënë Erblina. Xhaxhai i të ndjerit, me lot në sy ka thënë se ishin krenarë që patën një djalë si Blendi, kurse ka uruar që biri i tyre të jetë i fundit që pëson në një mënyrë të tillë.

Ndryshe, Blend Selmani, tragjikisht ka humbur jetën në Shqipëri, duke rënë nga katet e sipërme të një ndërtese në kompleksin ku po qëndronin maturantët e Gjimnazit Natyror të Gjilanit.

Kthehu mbrapa

Shto koment