Haziri: Vrima e zezë që torturoi dhe u morri jetë shqiptarëve po hiqet nga qendra e Gjilanit

02.02.2016 (komentet: 0)

Është bërë sot përurimi i qendrës së paraburgimit në Gjilan, objekt me infrastrukturë të lartë modern, që ofron kushte të mira për të gjithë të burgosurit dhe stafin të cilët punojnë në këtë qendër, ku nga të pranishmit është thënë se është ambient i mirë dhe i domosdoshëm për rendin dhe ligjin.

 

 

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Me këtë rast ministri i drejtësisë Hajredin Kuqi ka thënë se institucioni që ai drejton po mundohet të krijojë ambient të domosdoshëm për rend e dhe ligj. 

“Ligjet i kemi më mirat në Evropë, kurse objekti që po inaugurohet, është më moderni në rajon. Suksesi më i madh yni është që në këtë qendër të ketë sa më pak të burgosur, por nëse do të ketë atëherë tretmani ndaj tyre duhet të jetë korrekt dhe vetëm në bazë të ligjit. Edhe të burgosurit duhet të ndihen mirë dhe duhet të respektohet ligji dhe të drejtat e njeriut”, ka thënë ministry I Drejtësisë Hajredin Kuqi.

Ai me këtë rast poashtu ka falënderuar misionin e EULEX-it, Komunën e Gjilanit për angazhimin dhe gatishmërinë e treguar përherë dhe Ministrinë e Administrimit Publik që janë përkujdesur që kjo qendër të jetë vërtet e kompletuar sot.

Kurse, nga ana e tij Mahir Yagcilar, ministër i Administratës Publike, tha se suksesshëm e kemi përmbyllur infrastrukturën në këtë qendër, detyrë që e ka në kuadër të monitorimit dhe investimit të infrastrukturës publike në qeverinë e Republikës së Kosovës.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se qeveria e Kosovës ka bërë punë të shumta e të mëdha në infrastrukturë dhe kompletimin e saj për organet e shtetit, ndërsa publikisht ka marrë përsipër investimin e rrugës që shpie drejtë kësaj Qendre Korrektuese. 

“Rruga që ende është e parregulluar dhe e papërshtatshme, do t’i mbetet Komunës ta investoj dhe për këtë zotohem publikisht se do e kryej, sikur që jemi zotuar edhe për rregullimin e oborrit të gjykatës. Ministri Kuqi, në Gjilan ka përfunduar tashmë objektin e Gjykatës dhe Prokuroreisë, tash po përurojmë këtë objekt modern dhe mbetet edhe finalizimi i projektit tjetër, atij për Policinë e Kosovës, në mënyrë që organet e drejtësisë të dalin nga zemra e qytetit, në mënyrë që pastaj bashkërisht të bëjmë punë të mëdha pikërisht në qytet, në shërbim të qytetarëve tanë. Sot përfundimisht është bërë hap i madh për largimin e vrimës së zezë nga qendra e qytetit, e burgut famëkeq, që këtë epitet e ka marrë nga regjimi serb, nga i cili, numër shumë i madh i shqiptarëve janë torturuar deri në vdekje në atë objekt, për të cilin kam përvoja shumë të hidhura edhe personalisht me kolegë të mi që fatbardhësisht një pjesë e tyre jemi gjallë”, ka thënë kryetari Haziri. 

“Gjilani kishte burgun më famëkeq, aty shqiptarët kanë lënë shëndetin e shumë, e shumë të tjerë edhe jetën”, tha në fund të fjalës së tij kryetari Lutfi Haziri. 

Në fjalën e tij Pieter Bah, nga EULEX-I, u shpreh i kënaqur që projekti është finalizuar dhe tani të burgosurit do të ndihen më rehat. 

Kurse, Sokol Zogaj, nga shërbimi korrektues i Kosovës dhe Shefik Sylejmani nga shërbimi korrektues në Gjilan u zotuan se në këtë qendër shërbimi ndaj të burgosurve do të jetë profesional.

Ndryshe, në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe Behxhet Shala, Fatmir Rexhepi, Zenun Pajaziti, Bajrush Ymeri, Zyhdi Haziri, Jetish Maloku, Elmina Mahmuti, Remzi Azemi dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve lokale e qendrore

Kthehu mbrapa

Shto koment