Haziri: Vendimi i prokurorisë për mbylljen e hetimeve në mungesë provash, na bënë që të punojmë edhe më shumë

20.03.2015 (komentet: 0)

 

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në konferencën e sotme për media, ka folur për një sërë temash gjatë qeverisjes komunale, ndër të cilat edhe për vendimin e sotëm të prokurorisë së shtetit, e cila ka mbyllur hetimet në mungesë provash, të iniciuara nga një parti opozitare në Gjilan.

 

Kryetari Haziri ka thënë se mbyllja e hetimeve në këto raste të denoncuara rrejshëm e inkurajon të punoj më shumë dhe më drejtë në mënyrë që ta rris autoritetin e Komunës karshi zbatimit të ligjit. Ai tha se nga sot nuk do ta lejojmë njollosjen e autoritetit dhe institucionit të Komunës nga denoncimet e tilla, duke shfrytëzuar mjetet ligjore. 

“Gjilani ka qenë gjatë muajve të fundit i ngulfatur nga denoncimet publike që Partia Demokratike e Kosovës dega në Gjilan, ka bërë ndaj Komunës së Gjilanit për shkak të procedurave dhe rolit tonë ligjor që kemi ushtruar. Për disa muaj është manipuluar dhe është folur shumë në emër të këtij denoncimi, që prej fillimit ne kemi thënë se i besojmë ligjit, prokurorisë dhe organeve të shtetit dhe si të tillë ne jemi njoftuar zyrtarisht që prokuroria në Gjilan pas denoncimit nga ky grup politik, i ka mbyllur hetimet si të pa baza. Në këtë tregim asgjë më shumë nuk ka. Do ta vlerësojmë drejt që denoncimet e rrejshme janë të sanksionuara me ligj, po aq sa janë të sanksionuara me ligj denoncimet e detyrueshme kur gjen prova. Ne do ta shohim nga afër në mënyrë që të mos lejojmë njollosjen e autoritetit dhe institucionit të Komunës nga denoncimet e tilla, duke shfrytëzuar mjetet ligjore”, është shprehur Haziri.

Haziri ka përmendur se 36 lëndë të ish-qeverisjes janë në prokurorinë e shtetit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe abuzim me pushtetin.

“Ju rikonfirmoj se 36 lëndë janë në prokurorinë e shtetit, në departamentin e krimeve ekonomike, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe abuzim me pushtetin. Komuna e Gjilanit nuk ka bërë asnjë denoncim nga 24 dhjetorit 2013, detyrë kur unë e kam pranuar zyrtarisht. Të gjitha ato lëndë janë të mëhershme, janë pjesë e proceseve që dikush tjetër i ka bërë, apo pjesë e policisë së shtetit dhe organeve të drejtësisë që ato i bëjnë për parandalimin apo masave që duhet ndërmarrë. Këto 36 lëndë apo programe, janë aktualisht pronë e prokurorisë të shtetit dhe po dua të nënvizoj se roli i kryetarit dhe i Zyrës sime nuk ka qenë denoncues, sepse ne nuk e kemi atë rol. Denoncimin e bëjnë të gjithë ata të cilët kanë njoftime të besueshme për keqpërdorim. E jo sikur në rastin tonë që disa kanë dëshirë t’i bëjnë praktikë denoncimet. Jam njëri nga ata që gjithmonë e përsëris, aty ku ka ligj nuk ka nevojë të mendoj askush. Ke nevojë vetëm të lexosh drejtë dhe të implementosh drejtë. Ne punojmë me logjikën e implementimit të drejtë të ligjit”, u shpreh Haziri/

Gjatë konferencës për media, kreu i Komunës ka ftuar edhe njëherë qytetarët që kanë informata të besueshme për keqpërdorime t’i denoncojnë dhe ta marrin shpërblimin prej 2000 eurosh.

“Unë ftoj çdo qytetarë, institucion, organ, zyrtar, këshilltar, deputet, dhe të gjithë ata që kanë informata të besueshme për keqpërdorime ta denoncojnë dhe ta marrin shpërblimin 2000 euro. Ju siguroj që prokuroria dhe policia e shtetit e ruajnë konfidencialitetin. Të gjithë ata që denoncojnë drejtë e garanton ligji, e mbron ligji dhe nuk do të zbulohet nga askush, ndërsa shpërblimi garantohet për denoncim. Jemi të interesuar që Gjilanit t’ia kthejmë dinjitetin e Qytetit të Paqes, e qytetit të së drejtës dhe qytetit i cili ka zero tolerancë në keq menaxhim dhe abuzim të të mirave publike që i kemi. Ne sot i menaxhojmë ato të mira dhe besoj shumë që secili prej neve duhet të sillet përgjegjshëm”, ka shtuar Haziri.

Kryetari i Komunës së Gjilanit është shprehur i lumtur që Gjilani është shpallur komuna më transparente, duke premtuar se do të avancohet edhe më shumë kjo çështje që është kruciale për demokracinë.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që jemi shpallur komuna më transparente, jemi shpallë komuna që ka proceduar me çmim më të lirë në të gjitha kategoritë në procedurat e prokurimit dhe kemi marrë disa nga shpërblimet apo fjalë të mira nga të tjerët. Ne kemi lëvizur pak në drejtim të përmirësimit, sepse edhe më tutje kemi punë për të servisuar borxhe. Jemi komunë e cila do të zbatoj rekomandime të auditorit të brendshëm dhe të përgjithshëm, për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët”, tha Haziri, duke përmendur se regjioni i Gjilanit po i merr këmbët nga depresioni ekonomik dhe abuzimi që ka pas 6 vitet e kaluara.

“Shifrat na inkurajojnë të punojmë, sikur që na inkurajon besimi që institucionet e pavarura të drejtësisë prokuroria, policia dhe gjykata, në Gjilan kanë krijuar besim te qytetarët dhe jemi Komuna që në kuptimin e sigurisë, për 20 muajt e fundit nuk e kemi pasur asnjë vrasje të dhunshme, humbje jete nga incidentet, apo ndonjë konflikt. Jemi regjioni më i qetë në kuptimin e sigurisë dhe jemi regjioni i cili po i merr këmbët nga depresioni ekonomik dhe abuzimi që ka pas 6 vitet e kaluara”, shtoi ai.

Duke folur për projektet në infrastrukturë, kryetari i Gjilanit tha se projektet e para në infrastrukturë do të publikohen nga java e ardhshme nga fondi i buxhetit të komunës dhe nga ai i qeverisë.

“Projektet e para në infrastrukturë do të publikohen nga java e ardhshme nga fondi i buxhetit të komunës dhe nga ai i qeverisë. Do të ndërtojmë rrugë në mënyrë të barabartë në qytet dhe fshatra për të eliminuar problemet e infrastrukturës. Janë 1.5 milion euro rrugë në qytet, për këtë fazë të vitit, poashtu kemi në buxhetim tjetër edhe rrugë nëpër fshatra me prioritet sipas planifikimit të prokurimit do t’i finalizojmë shumë shpejt”, tha ai.

Kryetari Haziri ka theksuar se do ta dekoncentrojmë dhe pavarësojmë plotësisht kulturën, rininë dhe sportin, ku do të buxhetohen dhe do të punojnë lirisht nga ajo varshmëri që kanë pasur deri më tash.

“Kjo është paraparë edhe me statutin e Komunës, dhe do të punoj që kjo të arrihet dhe të jetë funksionale, ndërsa do të angazhohem që kjo të rregullohet edhe me ministritë përkatëse. Duke besuar shumë që kultura është shtyllë dhe pasqyrim i qytetarëve tanë, në këtë rast, apo sporti dhe rinia, ne besojmë shumë që me buxhetim dhe me pavarësim ne do të arrijmë rezultate shumë më të mira”, tha Haziri.

Kryetari Haziri ka folur edhe për riorganizimin e shërbimit civil, duke shtuar se  do të standardizohen pozitat e zyrtarëve, njësive dhe drejtorive, duke vendosur një koeficient të barabartë sipas meritokracisë.

“Pas votimit në Kuvend të ndryshimit të Statutit të Komunës, ne jemi ne ditët e fundit të riorganizimit të shërbimit civil, i cili riorganizim sipas ligjeve në fuqi dhe kërkesës së fundit të qeverisë quhet katalogu i ri i shërbyesve civil për organizatën buxhetore të Gjilanit, ku do të standardizohen pozitat e zyrtarëve, njësive dhe drejtorive, duke vendosur një koeficient të barabartë sipas meritokracisë dhe duke larguar çdo lloj tendence që është gjetur në gradime dhe në shpërblime brenda shërbimit civil. Katalogu me 17 prill do të jetë i përfunduar”, ka deklaruar kryetari Haziri.

I pari i gjilanasve është shprehur se paralajmërimi për riformatizimin e qeverisë komunale do të merr formë, pas sic tha, “kam përmbyllur të gjitha bisedat me partnerët dhe shumë shpejt do të dalë me emra konkret për këtë zhvillim”.

Haziri ka folur edhe për 54 ndërtimet pa leje, të cilat tha se shumë shpejt do të shenjëzohen dhe do merren masa ndaj tyre, ndërsa është ndarë i kënaqur me raportet e fundit pozitive të monitoruesve të pavarur për udhëheqjen komunale, përkatësisht departamentet e ndryshme.

Kryetari i Komunës pohoi se edhe më tutje do të punohet që të identifikohen të gjitha parkingjet hapësirat private, në mënyrë që qytetarët me pasë të drejt të parkohen, ta largojmë kaosin në trafik dhe secili prej tyre duhet të paguaj taksat ndaj shtetit.

Gjithashtu, në konferencën e sotme për media, Haziri tha se do të bëhet riorganizimi dhe rivendosja e kiosqeve në qytet sepse një numër i tyre janë bërë funksional për shkak të vendosjes në vende jo të duhura.

Poashtu, kreu i Gjilanit tha se do të largohen të gjithë operatorët ilegal të cilët reklamojnë apo tentojnë të të reklamojnë punën e tyre, përfshirë edhe orat e KEDS.

“Krijimi i kushteve të favorshme për dhënien e hapësirës publike komunale dhe zhvillimin e veprimtarive publiko-private, që përfshijnë edhe sektorin e arsimit dhe sektorët tjerë, në mënyrë që përmes ndërtimit të partneritetit publiko-privat ne do t’u ofrojmë mundësi operatorëve të zhvillimit të veprimtarive në Gjilan që të kenë mundësi të punojnë dhe të kenë mundësi të krijojnë vende të reja pune. Pra do të krijohen lehtësira për biznese”, u shpreh ai.

Haziri ka paralajmëruar që në çdo vit do të ketë mbrëmje humanitare për grumbullimin  mjeteve dhe do të ketë grante nga Komuna e Gjilanit në mënyrë që banimi në Gjilan të zbutet.

“Do t’i shpallim si përfitues publik të gjitha lokalet dhe banesat që aktualisht janë në zotim të Komunës dhe që ne kemi përfituar nga proceset e mëhershme në ankand, ndërsa pjesën e banimit jemi duke e shqyrtuar për ta ofruar për qytetarët në nevojë. Nuk është numri i madh i hapësirave, por i zbutë jashtëzakonisht shumë kërkesat e banimit në Komunën  e Gjilanit, e cila lidhet edhe me renovimin e shtëpive, ndërtimin e shtëpive të reja si donacion apo pjesë e fondit për ndërtim të shtëpive për skamnorët në Gjilan”, ka përfunduar kryetari Haziri.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment