Haziri: Veç në infrastrukturë publike, do të investohen 22 milionë euro në Gjilan gjatë vitit 2016

12.11.2015 (komentet: 0)

 

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në konferencën për media të mbajtur të enjten, ka paraqitur vlug të madh të punëve në të gjitha sektoret për 9-mujorin e punës së këtij viti.

 

“Gjatë këtij nëntë-mujori të punës, Komuna e Gjilanit ka kaluar gjithë agjendën dhe kalendarin e vet të punës në mënyrë të programuar dhe sipas këtij programi ne kemi arritur ta realizojmë pjesën më të madhe të punëve publike, që përfshin të gjitha kategoritë e shërbimeve, kartelës sociale, e cila është duke u rinovuar dhe duke u adaptuar në përputhje me ligjin. Lajmi i mirë është se kartela sociale në Gjilan është duke u zvogëluar e që përshihen tri kategori”, ka thënë Haziri.

Ai tha se për çdo kontraktor siç është Komisioni Europian dhe organizatat tjera, Komuna e ke kushtëzuar  pjesëmarrjen e punëtorëve nga qendra për punësimit.

Haziri tha se sipas shënimeve, Komuna e ka trendin e njejtë të ambientit ekonomik me vitin e kaluar, në regjistrimin e bizneseve të reja, krijimin e kushteve për zhvillim lokal ekonomik, numri i mbi 860 të punësuarve brenda këtij viti, që sipas tij është trend pozitiv, por jo i kënaqshëm për nevojat e Komunës së Gjilanit.

Ai foli edhe për punën e madhe që është bërë në ofrimin e shërbimeve të qytetarëve në shërbim civil.

“Përveç shërbimeve online që po shfrytëzohen edhe nga qytetarët e Gjilanit dhe nga jashtë, Komuna ka aplikuar tri shërbime më të shpejta në shërbim civil, sic është “One Stop Shop” i cili do të përfundoj këtë vit duke integruar edhe shërbimet kadastrale brenda objektit të njejtë, pastaj kemi orfuar shërbimin e pagesës brenda objektit dhe kemi aplikuar metodën e punës nga distanca”, tha Haziri.

Kreu i Gjilanit tha se arsimi dhe shëndetësia, si dy prioritetet e Komunës së Gjilanit, kanë treguar rezultate tejet pozitive gjatë këtij 9-mujori.

“Kemi progres edhe në kuptimin e disiplinës në punë, vijueshmërisë dhe në kuptimin  e zgjidhjeve të avarive. QKMF dhe shëndetësia primare, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, po e përmbyllin shtrirjen e organizimit primar në tërë territorin e Komunës së Gjilanit. Në sistemin e arsimit edhe më tutje ballafaqohemi me probleme buxhetore si pasojë e mbipunësimit që ne e kemi trashëguar dhe po mundohemi ta zgjidhimin me Ministrinë e Financave”, u shpreh i pari i gjilanasve.

Kryetari i Gjilanit paralajmëroi se shumë shpejt do të filloj ndërtimi e dy çerdheve, njëra në lagjen “Dardania” dhe tjetra në lagjen “Arbëria”, ndërkaq ka konfirmuar se sot do të nënshkruhet kontrata përmes partneritetit publiko-privat për ndërtimin e kampusit të shkollave të mesme.

“Sot do të nënshkruhet kontrata me operatorin i cili ka dalë përfitues i ofertës publike në partneritetin publiko-privat, në një plan dinamik që do të filloj ndërtimi i Kampusit të shkollave të mesme në Gjilan, i cili nënkupton organizimin e të gjitha shkollave të mesme, rindarja e shkollave sipas profesioneve dhe drejtime, ambient i mbyllur për arsimtarë, nxënës dhe prindër, dhe një infrastrukturë e cila ofron të gjitha kushtet moderne të mësimnxënies, reaktivitetit dhe aktivitetet tjera argëtuese e sportive për nxënësit. Paralelisht, kemi filluar me ndarjen e Universitetit dhe objekti i shkollave të mesme, ku ky institucion  duhet të kaloj në kampusin universitar në kazermën e FSK-së”, ka deklaruar para gazetarëve kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ai ka vënë në theks se shumicën e të hyrave komunale i kanë orientuar në ndërtimin e infrastrukturës, e cila përfshinë kanalizime, ujësjellës dhe ndërtim të rrugëve.

“Tashmë ka nisur ndërtimi i aksit Gjilan-Bujanoc, në vitin e ardhshëm do të nis ndërtimi i hyrje-daljeve Gjilan-Prishtinë dhe Gjilan-Ferizaj. Ndërkaq, ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Gjilan-Bresalc-Dheu i Bardhë, do të bëhet me buxhet qind për qind të qeverisë së Kosovës”, ka thënë Haziri.

Në konferencën e të enjtes, Haziri ka paralajmëruar se me ndihmën e partnerëve, investimet në infrastrukturë në vitin 2016 kapin shifrën e mbi 22 milionë euro.

“I falënderoj miqtë dhe partnerët e Gjilanit, siç është USAID, Komisioni Europian, Qeveria gjermane, qeverinë zvicerane, norvegjeze, e austriake, me të cilët Komuna planifikon që vitin e ardhshëm të hyjë në pragrame jashtëzakonisht të mëdha e të rëndësishme, që së bashku me qeverinë e Kosovës kapin shumën e mbi 22 milion euro, e të cilat kanë të bëjnë me tretmanin e ujërave të zeza, rregullimin e rrjetit të kanalizimeve dhe infrastrukturës së ujërave atmosferik”, tha ai.

“Me programin Sof Long, nga qeveria e Austrisë, ku marrëveshjen do ta nënshkruajmë më datën 17 nëntor për investime të mëdha në rrjetin e ujërave të zeza, trajtim të lumenjve në qytet. Ky hap është tregues i qartë për besueshmërinë që kanë investitorët ndaj Komunës së Gjilanit. Kjo ka ardhur edhe për shkak të disiplinës së ashpër buxhetore që kemi zbatuar. Ne kemi vendosur disiplinë buxhetore, ulje të shpenzimeve dhe kontrolli i madh buxhetor ka bërë të qartë që ne tregojmë besim tek investitorët dhe të hyjmë në programe të mëdha”

Haziri ka pohuar se me qeverinë e Austrisë ne do të ndërtohen 54 kilometra rrjet të kanalizimit në territorin e Gjilanit.

“Do të jetë rrjet i integruar, i cili përfshinë tretmanin e të gjitha ujërave të zeza dhe ujërave atmosferik duke përfshirë edhe rregullimin e shtratit të lumit Stanishorka që është problemi i dytë paralel me lumin Mirusha në Gjilan i ujërave të zeza deri më tani”, tha Haziri, duke paralajmëruar edhe implementimin e programit tjetër me qeverinë zvicerane.

“Me qeverinë zvicerane është programi i dytë që ne do të fillojmë së zbatuari, që poashtu është shumë i shtrenjtë e që ka të bëjë me rehabilitimin dhe funksionalizimin e të gjithë rrjetit të ujësjellësit, që përfshinë qytetin dhe fshatrat e Gjilanit. Rregullimi i rrjetit për ujin e pijshëm është programi më i madh pas tretmanit të ujërave të zeza. Ky program nis gjatë vitit të ardhshëm, dhe me kërkesë dhe në bashkëpunim, ne kemi kërkuar që të ndërrohen gypat e azbestit dhe zëvendësimin e tyre me gypa të standartit më të ri’, ka theksuar kryetari Haziri.

Ndërkaq, me qeverinë amerikane, Haziri është shprehur se do ta implementojnë programit për institucionet parashkollore.

“Programi i tretë, poashtu i rëndësishëm për ne është “G to G”, që me qeverinë amerikane që pritet të nënshkruhet marrëveshje. Është një program i buxhetimit të Komunës së Gjilanit, drejtëpërdrejtë nga thesari i qeverisë amerikane, për institucionet parashkollore apo ndërtimit të një çerdheje në lagjen “Dardania”. Kështu që mjete nga buxheti i qeverisë amerikane do të barten në buxhetin e Komunës së Gjilanit, ku ne më pas si institucione komunale do t’i menaxhojmë përmes procedurave ligjore të Republikës së Kosovës. Ky është një partneritet i besimit të plotë dhe formë e ndërtuar e bashkëpunimit me partnerët tonë”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Gjilanit ka konfirmuar se me Komisionin Europian e kanë debllokuar çështjen e ndërtimit të Bibliotekës së Qytetit.

“Do të rifilloj ndërtimi i këtij projekti që është bllokuar tash e sa vite. Është projekt që duhet të ndërtohet sa më shpejtë, në mënyrë që këto hapësira aty të shfrytëzohen për dedikimin që kanë. Poashtu projekti me stadiumin ndihmës shumë shpejtë do të finalizohet dhe do të jetë në shërbim të sportit”.

Në këtë konferencën për media, kreu i Gjilanit tha se Komuna po konkurron edhe në programe të reja me KE, duke shfaqur besimin se edhe për vitin e ardhshëm Gjilani do të jetë përfitues i disa programeve nga ky institucion me relevancë shumë të madhe.

Haziri tha se ka po përmendur edhe angazhimet për përmirësimin e buxhetit të komunës.

“Ne nuk jemi të kënaqur me këtë arritje, përkundër arritjeve dhe përmirësimit të madh që kemi bërë. Përmirësim i madh është bërë në atë që ne kemi rritur investimet për vitin e ardhshëm. Kemi standardizuar dhe rregulluar disa nga problemet që kemi gjetur në buxhet. Edhe gjatë këtij viti kemi servisuar miliona euro borxhe të trashëguara nga e kaluara dhe kemi shumë nevojë për mbështetjen e qeverisë edhe më tutje, në mënyrë që investimet që lidhen me infrastrukturën të kenë mbështetje më të madhe për Komunën e Gjilanit dhe në veçanti të rregullohet sektori i arsimit. Sektori i arsimit në kuptimin buxhetor mbetet problemi që ne do ta zgjidhim sepse nuk është rregulluar stafi teknik në sektorin e arsimit, nuk është rregulluar çështja e një numri prej nëntë zjarrëfikësve, që këtu quhen njësiti i vullnetarëve”, tha ai.

Krejt në fund, kryetari Haziri ka konfirmuar se nga nesër sektori i kulturës, rinisë dhe sportit do të dekoncentrohen edhe formalisht nga varshmëria dhe mënyra e organizimit të deritanishëm.

“Do të krijohet buxhetim dhe emërimet në krye të këtyre njësive do të jenë njerëz nga jashtë stafit, por nga sektoret fushat që do t’i menaxhojnë. Përgjegjësi i sportit prej komunitetit të sportit, ai i kulturës nga komuniteti i kulturës e kështu me radhë. Të gjitha këto ndryshime dhe lëvizje do të jenë në funksion të efikasitetit dhe rritjes së shërbimit më të mirë për qytetarët”, ka përfunduar Haziri.

 

kokja.net

 

Kthehu mbrapa

Shto koment