Haziri: Vdekja e doktor Nagip Rexhepit është humbje e madhe për Gjilanin dhe mbarë Kosovën

23.07.2014 (komentet: 0)

 

Gjilan, 23 korrik 2014 - Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit z. Lutfi Haziri, është mbajtur sot mbledhja komemorative në nderim të veprës së doktorit Nagip Rexhepi, i cili ndërroi jetë dje.

 

Para të pranishmëve, kryetari Lutfi Haziri ka lutur që familja, kolegët dhe miqtë e Nagipit të bëhen të fortë dhe ta kujtojmë ashtu siç ka qenë, i dashur, i afërt, i ngrohtë, mjek i mirë dashamirë i sportit dhe mbi të gjitha familjar i madh.

“Në këtë natë të madhe për të gjithë besimtarët, po ndahemi për herë të fundit nga doktori jonë, njeriu i cili gjithmonë me fjalët, punët dhe veprat sjelljet e tij, na ka nderuar të gjithëve. Dr. Nagipi ka qenë i gatshëm që t’i shërbej gjithkujt, në çdo kohë dhe gjithherë. Po flas sot si njëri nga miqtë e tij dhe mund them se Gjilani e ka humbur njeriun më të mirë, njeriun më të dashur, më profesional. Jo vetëm për Gjilanin, por kudo ku ka punuar, ai ka dhënë kontribut të madh. Besojmë shumë që vepra e tij, humaniteti dhe misioni i tij do të mbetet në kujdesën tonë si emër i shquar, që do të kujtohet dhe që do ta na bëjë nderë. Ai do të na mungoj përjetë. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës”, ka thënë kryetari Haziri.

Në këtë mbledhje komemorative ka folur edhe kolegu i Nagip Rexhepit, doktori Rrahman Hajdari, i cili vlerësoi lartë jetën dhe veprën e tij, duke thënë se do të mbetet në analet e shëndetësisë gjilanase.

Ne emër të familjes, të pranishmit i ka falënderuar deputeti Fatmir Rexhepi, i cili është vëllai i të ndjerit Nagip Rexhepi.

Nagip Rexhepi, me profesion gjinekolog, për një kohë të gjatë ka qenë i angazhuar si profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.

Kthehu mbrapa

Shto koment