Haziri: Unë kryetar, vajzat me shami në shkollë

08.11.2013 (komentet: 0)

Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri ka hedhur poshtë të gjitha akuzat që ka bërë ndaj tij, kundër-kandidat i PDK-së, Qemajl Mustafa.

Lutfi Haziri: PDK solli në Kosovë modelin e Shqipërisë së vjedhjes së votave


Duke folur në “Interaktiv”, Haziri ka thënë se sistemin e vjedhjes nga Shqipëria në Kosovë e ka sjellë Partia Demokratike e Kosovës. Ai ka thënë se diferenca e votave është shumë e madhe, dhe se do të fitojë bindshëm më 1 dhjetor. Haziri ia ka tërhequr vërejtjen Mustafës se në rast të deklarimeve të rrejshme mund të përballet me drejtësinë. Kandidati i LDK-së e ka ftuar prokurorinë që të hetojë të gjitha akuzat, dhe ka shprehur keqardhje të madhe që Mustafa “po e urren për së vdekuri Rugovën”. 

Duke folur për punën që do të bëjë nëse zgjidhet kryetar, Haziri ka dhënë zotimin se vajzat me shami të shkollave fillore e të mesme, do të shkojnë në shkollë. “Ai udhëzim administrativ është veç një copë letër, që unë nuk kam nevojë të zbatoj. Kushtetuta thotë se të gjithë fëmijët duhet të shkojnë në shkollë fillore, dhe nëse nuk shkojnë janë prindërit përgjegjës. Unë do të shkoj të ulem në bankë bashkë me ato vajza, nëse është e nevojshme”, ka thënë Haziri.

Ai shpreson që balotazhi i 1 dhjetorit do të jetë i qetë.  

Kthehu mbrapa

Shto koment