Haziri: Unë kryetar i Gjilanit, Isa kryeministër i Kosovës!

11.11.2013 (komentet: 0)

Kthesa më e madhe e Lidhjes Demokratike të Kosovës ndodhi në Gjilan. Jehonën e kohës së presidentit Ibrahim Rugova e ktheu njeriu, i cili, ka fituar në të gjitha betejat që nga paralufta e deri më sot – Lutfi Haziri. Gjatë një intervistë ekskluzive për Standardi.info, Lutfi Haziri theksoi se kthesa ndodhi pasi ushtarët e Ibrahim Rugovës janë quar n’këmbë për t’ua kthyer dinjitetin gjilanasve dhe për t’i mposhtur ata që e dërmuan Gjilanin.

 
 
Ai u shpreh i sigurt që fitorja e LDK-së do të konfirmohet edhe më bindshëm më 1 dhjetor, për të vazhduar në fitore në gjithë Kosovën në krye me kryeministrin e ardhshëm të Republikës së Kosovës, Isa Musafa.
Standardi.info:  Z. Haziri, si kandidat i LDK-së dolët bindshëm i pari në zgjedhjet lokale në Gjilan, me një diferencë të madhe të votave nga i dyti. Në të gjitha tubimet tuaja është parë një masivitet. Duket se është nxjerrë nga gjumi apo po lindë një gjeneratë e re e Rugovistëve në anamoravë. A jeni ju promotori i këtij revolucioni rugovian, apo zhvillimet kanë ndikuar që të ndodhë dicka e tillë?
Lutfi Haziri: Ajo që mund të them është se në Gjilan është kthyer Rugovizmi sikur në vitin 2000. Kemi pasur masivitet në çdo tubim, sallat nuk na kanë zënë dhe kërkesa e vazhdueshme e qytetarëve ka qenë që të organizohet tubimi i madh në stadium të qytetit, por që u refuzua nga ata që e dërmuan komunën për këto 6 vite. Por, stadium më i madh ka qenë më 3 nëntor, pasi që gjilanasit duke votuar masovikisht ia treguan vendin atyre që lypin vota me bodiguarda. Këto hije, përfundimisht me 3 nëntor kanë shkuar dhe më 1 dhjetor vetëm do të konfirmohet fitorja e demokratëve edhe më bindshëm një ditë para ditëlindjes së Presidentit historik Ibrahim Rugova. U dëshmua se ushtarët e Ibrahim Rugovës janë qu n’kambë për t’i ndëshkuar ata që e stërkeqën Gjilanin në të gjitha aspektet dhe
 
Stndardi.info: Duke parë zhvillimet në LDK të Gjilanit, puna juaj ngjan sikur ajo e Partisë Demokratike të Shqipërisë, kur kishte krijuar një Komitetit të Orientimit të Politikave, një ekip ekspertësh, ekip që përcaktoi fitoren e PD-së më 3 korrik 2005, nën sloganet “Koha për ndryshim” dhe “Me duar të pastra”. A është edhe strategjia e juaj e thurrur duke u bazuar në dicka të tillë?
 
Haziri: Ne vazhdimisht kemi punuar që t’i unifikojmë rugovistët për t’ua kthyer dinjitetin. Kështu edhe ndodhi. LDK gjithmonë ka qenë e përbërë nga profesionistët, nga ekspertët e fushave. Ne u bashkuam të gjithë për ta mposhtur të keqen. Qytetarët e Gjilanit e rikthyen besimin në LDK, në vizionin rugovian dhe e përqafuan fuqishëm programin tonë brilant për cka i falënderoj shumë për këtë. Ky besim i madh i gjilanasve përkthehet me përgjegjësi të madhe dhe ne do të jemi të kujdesshëm, duke ua bërë jetën më të mirë në të gjitha fushat e jetës.
 
Standardi.info:  Gjendja momentale urbanistike në Gjilan është kaotike, me infrastrukturë të shkatërruar, më shumë projekte të nisura, e të cilat me vite numërojnë në zero. A mendoni se do të mundeni t`ia dilni, kur dihet se arka e komunës suaj është e mbuluar nga borxhet?
Haziri: Për fat të keq gjendja është shumë e rëndë në të gjitha sferat edhe në urbanizëm e infrastrukturë.  Nuk do të lejojmë që Gjilani të trajtohet si mos me qenë Kosovë. Në mandatin tim do të ndalen keqpërdorimet, do të bëjmë një auditim për servisimin e borxheve, pasi gjendja është kaotike me 7 milionë euro borxhe. Zyra e prokurimit do të jetë e hapur për qytetarët dhe shoqërinë civile. Mendojmë ta rrisim buxhetin e komunës duke thithur donacione. Aktualisht, për shkak të keqmenagjimit dhe keqpërdorimit nuk është arritur të thithen donacione për investime kapitale. Në mandatin tim, gjilanasit nuk do të kenë probleme infrastrukturore. Do të ulim taksën fillestare komunale, qiranë komunale dhe vlerën e tatimit në pronë për 40 për qind. Ata që e punojnë tokën do t’ia japim pakon e grurit në mënyrë që familja mos të hargjojë para. Edhe ata që merren me pemë e me perime do t’i subvencionojmë dhe në këtë mënyrë do ta forcojmë ekonominë familjare.
 
Standardi.info:  Të rinjtë në Gjilan janë të anashkaluar krejtësisht. C’ka do të bëni ju për t’ua përmirësuar jetën, cili është programi?
 
Haziri: Rinia në programin e LDK-së do të jetë prioritet. Ne do të sjellim vendime të mira dhe të shëndosha për Gjilanin dhe të rinjtë. Do ta bëjmë Gjilanin qytet të rinisë, do ta bëjmë  shtëpinë e rinisë, do të japim bursa për të gjithë studentët, ndërsa për vajzat do të ketë kosto zero të studimeve. Do ta forcojnë familjen, duke ia larguar kostot për studime, do të kujdesem për rininë, për studentët. Do ta bëjmë fondin e ekselencës për studentët shkëlqyer, dhe do t’ia kthejmë identitetin Gjilanit. Nuk do të ndodhë që zyra e kryetarit të lëshojë projekt një herë të vit, por do të ketë kujdes të vecant për rininë.
 
Standardi.info:  Me këtë sukses të LDK-së në zgjedhjet lokale, a mendoni se ky trend i rritjes do të vazhdojë edhe në zgjedhjet nacionale që priten të mbahen në vitin e ardhshëm, duke dalë partia numër një?
 
Haziri: Përfundimisht zgjedhjet e 3 nëntorit dëshmuan fuqinë e LDK-së në të gjitha komunat e Kosovës. LDK përgjithësisht pati një rritje të madhe dhe kjo do të thotë që edhe në zgjedhjet nacionale Lidhja Demokratike e Kosovës do të triumfojë bindshëm. Do të triumfojë bindshëm karshi të tjerëve, për t’u kthyer aty ku kemi qenë. Kthesa ndodhi në Gjilan dhe tashmë rugovistët  janë unifikuar në tërë Kosovën dhe mund të them se do të triumfojmë fuqishëm në krye me kryeministrin e ardhshëm të Republikës së Kosovës, zotëri Isa Mustafa. Intervistoi: Exhevit Rexhepi, Standardi.info

Kthehu mbrapa

Shto koment