Haziri ua kumton lajmin për ndërtimin e shtëpive dy familjeve të Sllakovcit të Epërm, Adem Mumqillës dhe Feriz Imerit

02.01.2015 (komentet: 0)

 

E premtja nuk ka qenë ditë pushimi për kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

 

I pari i gjilanasve sot ka dalë në teren për t’i vizituar dy familje në fshatin Sllakovc i Epërm, të cilat jetojnë në kushte të rënda të banimit.

Haziri ua kumtoi lajmin se familjes tetë anëtarëshe të Adem Mumqillës dhe familjes së Feriz Imerit, poashtu tetë anëtarëshe, se Komuna e Gjilanit do të nisë ndërtimin e shtëpive të tyre dhe në këtë mënyrë do t’u mundësohet të bëjnë jetë të dinjitetshme.

Kryefamiljarët, Adem Mumqilla dhe Feriz Imeri i janë gëzuar shumë këtij lajmi, ndërsa e falënderuan kryetarin Haziri për kujdesin e tij që t’i nxjerr gjendja e mjerueshme familjet që kanë probleme të mëdha me strehim dhe banim.

Kryetari i Komunës Lutfi Haziri edhe njëherë ka apeluar të gjithë donatorët që kanë premtuar në mbrëmjen humanitare të organizuar nga Komuna e Gjilanit që premtimet e tyre t’i bëjnë realitet sa më parë, duke i deponuar mjetet në xhirollogaritë zyrtare të Komunës.

”Ne i kemi dhënë përparësi fondit social, duke organizuar solidaritet qytetar për zgjidhjen e këtij problemi dhe duke hyrë në aranzhman tripalësh, në mes të Komunës, donatorit dhe përfituesit në mënyrë që 120 familjet e para të përfitojnë në ndërtim të shtëpive, meremetim dhe pagesë për qira. Unë i falënderoj të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë të cilët i kanë deponuar mjetet e premtuara, derisa edhe me këtë rast apeloj tek të gjithë donatorët tjerë që premtuan në mbrëmjen humanitare ”Pak nga ne, shumë për ata” që premtimet e tyre t’i bëjnë sa më parë realitet”, u shpreh kryetari Haziri.

Njëra shtëpi po ndërtohet me donacion nga pronari i ”Vali Ranch” Fehmi Fetahu, derisa tjetra me buxhet të Komuës së Gjilanit.

Komuna e Gjilanit ka ndarë 100 mijë euro për zgjidhjen e problemit të strehimit dhe banimit, ndërsa deri tash në fondin humanitar të Komunës së Gjilanit janë deponuar nga njerëzit e vullnetit të mirë mbi 82 mijë euro dhe mbi 15 mijë franga dhe çdo deponim është bërë publik të ueb faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit.

Poashtu, në mbrëmjen humanitare donatorët kanë premtuar ndërtimin e 10 shtëpive me çelësa në dorë, të cilët para pak ditëve janë zotuar para autoriteteve komunale se janë të gatshëm t’i realizojnë premtimet e tyre.

Ndryshe, javë më parë kanë nisur së ndërtuari 3 shtëpitë e para, duke filluar nga ajo e Zijadin Marovcës nga donatori i cili është lajmëruar pas mbrëmjes humanitare “Pak nga ne, shumë për ata” Ruzhdi Bunjaku, Nevrije Kërçelit me donator kompaninë “CDC” dhe Astrita Mustafës me donacion të Jashar dhe Nexhat Zymberit.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment