Haziri: Të kursehet në maksimum, borxhet e Komunës shumë të mëdha

12.01.2014 (komentet: 0)

Kryetari i Komunës së Gjilanit.Lutfi Haziri në takimin e Këshillit të drejtorëve, ka informuar për hapjen e manifestimit mbarëkombëtarë Flaka e Janarit, por gjithashtu ka kërkuar uljen maksimale të shpenzimeve në secilin sektor të Komunës.



Haziri, me këtë rast, e ka informuar Këshillin e Drejtorëve me nisjen e manifestimit mbarëkombëtarë “Flaka e Janarit 2014”, që edhe zyrtarisht ka nisur dje me homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe tek lapidarët në qytet, pastaj është organizuar pritje për familjet e dëshmorëve dhe në mbrëmje është bërë ndezja simbolike e flakadanit të Flakës. Haziri poashtu i ka informuar këshillin edhe me përgatitjet që janë bërë për Akademinë e “Flakës...” e cila do të mbahet sot nga ora 13:00, ku sipas tij janë të ftuar përfaqësues nga institucionet me relevancë nga niveli lokal dhe ai qendror. Po ashtu ai i ka informuar edhe me agjendën e flakës deri në përfundimin e saj më datën 31 janar kur është aktiviteti i fundit ai i “Festë Flakës”.

Gjithashtu Haziri në këshillin e drejtorëve ka kërkuar që shpenzimet në secilin kod buxhetor të reduktohen në maksimumin e mundur, sepse borxhet që sot ka Gjilani janë shumë të mëdha. 

“Bashkërisht të gjithë ne duke u nisur nga zyra ime, nëpër zyrat tuaja si drejtor dhe nëpër secilën zyrë tjetër, shpenzimet kërkoj që t’i ulni në maksimumin e mundur. Të gjithë ju e dini se borxhet e Komunës së Gjilanit janë shumë të mëdha dhe nëse nuk kursehet maksimalisht nuk mund të arrijmë ti shlyejmë këto borxhe të trashëguara nga qeverisja paraprake”, ka thënë Haziri, duke shtuar se rendi dhe rregulli duhet të niset nga vetvetja për të vazhduar pastaj në secilin sektor. 

“Ne duhet të punojmë jashtëzakonisht shumë që qytetarëve të Komunës së Gjilanit t’u krijojmë kushte më të mirë, por kjo mund të bëhet duke kursyer në maksimum, dhe duke punuar poashtu në maksimum, pa shikuar orar, pa shikuar vikende. Duhet të jemi në shërbim të qytetarëve. Për uljen e shpenzimeve bashkërisht dhe me arsyeshmëri të plotë do ta shikojmë edhe mundësin e ndërprerjes së ndonjë kontrate të shërbimeve që ka Komuna me operatorët ekonomik”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Haziri. /2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment