Haziri takon Muratin, e njofton me kalendarin e aktiviteteve të Gjilanit për bashkatdhetarët

06.07.2016 (komentet: 0)

 

 Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka pritur sot në takim ministrin e Diasporës, Valon Murati, me të cilin kanë bashkëbiseduar rreth përgatitjeve që Komuna dhe Ministria i kanë ndërmarrë për pritjen dhe organizimin e aktiviteteve me rastin e ardhjes së bashkatdhetarëve.

 

Gjatë adresimit para mediave, kryetari Haziri ka falënderuar ministrin Murati për vizitën, duke e njoftuar me kalendarin e aktiviteteve të Gjilanit për pritjen sa më të mirë të mërgimtarëve.

“Bashkatdhetarët tanë janë pjesë e pandashme dhe shumë e rëndësishme e jona. E njoftova ministrin me kalendarin dhe me propozimin e tij do të plotësohen disa nga aktivitett që janë të nevojshme për të dy palët, në mënyrë që korriku dhe gushti të jenë sa më të mbushura me aktivitete të ndryshme dhe bashkatdhetarët ta gjejnë vetën në këto aktivitete”, ka thënë Haziri.

Nga ana e tij, ministri i Diasporës, Valon Murati, ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen, ndërsa tha se në takim është biseduar për sfidat dhe aktivitetet e përbashkëta gjatë këtyre muajve të verës.

“Biseduam për mobilizmin që Komuna e Gjilanit e ka edhe në pritjen edhe në ofrimin e shërbimeve komunale për bashkatdhetarët. Mendoj që Komuna e Gjilanit dhe komunat tjera, çdo ditë e më shumë janë duke e ngritur cilësinë e shërbimeve dhe bashkatdhetarët gjithnjë e më shumë po hasin në shëbrime cilësore. Unë i rekomandoj bashkatdhetarëve që sa më shumë që është e mundur t’i kryejnë shërbimet e tyre edhe nëpër konsullata dhe ambasadat tonë jashtë, sikurse që t’i shfrytëzojnë edhe mundësitë online që ofron Gjilani për marrjen e shërbimeve”, ka thënë Murati.

Ministri Murati ka shtuar se gjatë takimit është biseduar edhe për procesin e regjistrimit, që këtë vit tha se do të jetë fundi i regjistrimit fizik, për të vazhduar edhe për pesë vite regjistrimi online.

“Kërkova prej kryetarit Haziri ndihmën logjistike, përbajtësore, konceptuale e politike, që kudo t’i dërgohet bashkatdhetarëve tanë një mesazh i qartë që t’i përgjigjen pozitivisht procesit të regjistrimit”, ka përfunduar ministri Murati.​

Kthehu mbrapa

Shto koment