Haziri: Solidariteti qytetar do të ndikojë direkt në përmirësimin e jetës së familjeve në nevojë

31.10.2014 (komentet: 0)

 

 Kryetari i Komunës së Gjilanit ka paraqitur sot të dhëna shtesë lidhur me deklarimet e mjeteve financiare të qytetarëve në Mbrëmjen Humanitare të organizuar nga Komuna e Gjilanit javën e kaluar me moton “Pak nga ne, shumë për ata”.

 

Haziri, në konferencën e sotme për media ka thënë se solidariteti i qytetarëve të Gjilanit dhe shqiptarëve kudo në botë e ka bërë krenar.

“Sot po paraqes rezultatet e aktivitetit dhe solidaritetit qytetar kryesisht nga banorët Gjilanit, por edhe banorët e tërë territorit të Republikës dhe shqiptarët kudo në botë, në iniciativën e Komunës së Gjilanit për të ndihmuar rastet e rënda, për t’u solidarizuar me familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe angazhimi i ynë që prej qershorit deri tash ka kulmuar me këto përmasa që neve na bënë të ndihemi krenar. Solidariteti qytetar do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së këtyre familjeve”, ka thënë kryetari Haziri.

Kreu i Gjilanit tha se janë nga qytetarët e vullnetit të mirë  278 mijë e 854 euro, 92 e 770 franga zvicerane dhe 9 shtëpi me çelësa në dorë.

“Janë deklaruar dhe konfirmuar nga Kabineti im 278 mijë e 854 euro dhe 92 e 770 franga zvicerane, përveç buxhetit të Komunës që është 100 mijë euro. Poashtu, janë premtuar 9 shtëpi për t’u ndërtuar me çelësa në dorë, pastaj deklarime për mobilim, ndërtim të kulmeve dhe një sërë aktivitete të tjera ekonomike që e lehtësojnë shumë përmirësimin  e gjendjes së banimit për këto shtëpi. Praktikisht është një aksion jashtëzakonisht i suksesshëm, një solidaritet i jashtëzakonisht i madh për të cilin ne jemi krenarë”, ka shtuar kryetari Haziri.

Haziri të gjitha deklarimet e qytetarëve do të bëhen publike në faqen zyrtarë të komunës së Gjilanit, duke shtuar se Bordi i Drejtorëve shumë shpejt do të marrë qëndrim, ku do të emërohet një ekip i veçantë ,i cili, do të merret vetëm me implementim dhe sanimin i gjendjes së këtyre familjeve.

 

“Në ditët në vijim do t’i publikojmë të gjitha deklarimet dhe do të merremi nga sot me ndërtimin e strategjisë dhe aksionin e implementimit, që i bie në ndërtimin e shtëpive, në meremetimin dhe në restaurimet që mund t’i realizojmë. Secili qytetar ka mundësi që të shoh deklarimet e tij dhe presim që mjetet të derdhen në xhirollogaritë e zyrtare që ne i kemi në banka komerciale dhe grumbullimi i atyre mjeteve është proces krejt tjetër. Deklarimi është i pamjaftueshëm nëse nuk arrihet të grumbullohen këto mjete”, tha Haziri.

Kryetari Lutfi Haziri ka falënderuar qytetarët për gatishmërinë e tyre për të ndihmuar, mediat për promovimin, e veçanërisht RTK-në që e mundësoi transmetimin e drejtpërdrejt të Mbrëmjes Humanitare.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment