Haziri: Rexhep Malën e Nuhi Berishën i kthyem me pamje kah Kosova Lindore dhe Shqipëria

15.06.2017 (komentet: 0)

 

Në një ceremoni të veçantë në Ditën e Çlirimit, Komuna e Gjilanit ka zhvendosur shtatoret e heronjve Rexhep Mala e Nuhi Berisha nga prona private, duke i vendosur në pronë publike.Të pranishëm në ngjarje ishin kryetari Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë, familjet e dy heronjve, përfaqësues nga jeta politike e kulturore dhe qytetarë të shumtë.

 

Kryetari Haziri tha se në ujdi me familjet Mala e Berisha, shtatoret e kolosëve të kombit janë vendosur në bulevardin “Rexhep Mala e Buhi Berisha” me pamje nga Kosova Lindore dhe Shqipëria.

“Rexhep Mala e Nuhi Berisha janë kryengritësit më të mëdhenjë të viteve 80-ta. Ata e vazhduan rrugën e kryengritësve si Idriz Seferi, Mulla Idriz Gjilani e të tjerë. Këta dy kolos na mësuan se si luftohet padrejtësia. Rruga e tyre nuk vonoi shumë dhe solli lirinë e sotme. Ne gjunjëzohemi për rezistencën e Rexhepit e Nuhiut dhe të gjithë të tjerëve. Gjilani sot është i nderuar që ka kthyer këta dy dëshmorë kah Kosova Lindore e Shqipëria sepse ata këtë e deshën. Nga këtu, Rexhepi e Nuhiu i bëjnë roje të gjithë shqiptarëve.

Një fjalë përshëndetëse pati edhe Ahmet Isufi, ish komandat i ZOK dhe veprimtari për çështjen kombëtare, Selatin Novosella, të cilët falënderuan kryetarin Haziri që Rexhep Malën e Nuhi Berishën i ka vendosur në një hapësirë dinjitoze.

Paraprakisht kryetari Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë ka bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve dhe tek lapidarët në qytet.

Ndërkohë, Komuna e Gjilanit gjatë ditës së sotme ka paraparë një sërë aktivitetesh tjera, ku në ora 13:00 mbahet koncert festiv për fëmijë (sheshi “Agim Ramadani”), në ora 15:30 organizohet ditë e hapur për qytetarët në burgun e Gjilanit, për të vazhduar me shpalljen e më të dalluarve të vitit 2016-2017 në sektorin e rinisë, sportit, e bujqësisë. ​

Kthehu mbrapa

Shto koment