Haziri raporton në Kuvend për punën 1-vjeçare të vitit 2015 - 29 shkurt 2016

29.02.2016 (komentet: 0)

 


Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, kryetari i Lutfi Haziri ka prezantuar para asambleistëve raportin punës janar-dhjetor 2015. Ja fjala e plotë e kryetarit Haziri me rastin e prezantimit të këtij raporti:
“Të nderuar anëtarë të Kuvendit të Komunë së Gjilanit dhe të gjithë të pranishëm!


Në harmoni me kompetencat e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, dhe me qëllim të ngritjes dhe fuqizimit të transparencës në komunë, sot ofroj para jush këtë Raport Pune me qëllim të dhënies së informatave sa ma të detajuara, lidhur me punën e ekzekutivit të Komunës. Ky raport vjetor, përfshinë aktivitetet e të gjitha drejtorive dhe të zyrave. 

Viti 2015: Progres i gjithmbarshëm, disiplinë vetëmohuese fiskale, subvencione të shtuara, të hyra komunale të rritura.

Në vitin 2015, të dhënat të cilat janë pasqyruar në këtë raport tregojnë se kemi arritur një progres të kënaqshëm, duke i përmbushur kërkesat e qytetarëve të komunës në masë të madhe, si dhe duke qenë në vazhdimësi të gatshëm që bashkërisht të punojmë për të arritura të mëtutjeshme në punën gjithëpërfshirëse të komunës sonë.

Angazhimi i ekzekutivit të komunës gjatë vitit të kaluar, kryesisht është fokusuar në realizimin e detyrave tona sa i përket interesit komunal në shërbim për qytetarët, duke i pasur parasysh prioritetet e tyre dhe tonat. 

Ne e përmbyllëm një vit fiskal, me disiplinë të ashpër buxhetore, me shpenzime minimale, sepse kemi arrit që t’ i reduktojmë shpenzimet edhe më tepër se në vitin 2014. 

Kemi kursyer mjetet buxhetore, e të cilat mandej i kemi orientuar në subvencione për Kulturë, për Rini dhe Sport, pastaj në investime publike qoftë të infrastrukturës rrugore, të asaj nëntokësore si kanalizime dhe rrejte të tjera të ujësjellësit, apo investime të tjera publike. 
Këtë vit ne presim rezultate edhe më të mira, sidomos nga të hyrat e tatimit në pronë. Komuna e Gjilanit është komunë e cila vazhdon të jetë e përgjegjshme karshi pagesave të tatimit në pronë. Për këtë, u jemi thellësisht mirënjohës banorëve tanë. Si rezultat, ne kemi përmbyllur vitin 2015 me pak të mbetura nga ky vit janë afër 600 mijë €, e të cilat menjëherë do të futen në veprim në ditët në vijim për të çuar përpara planin tonë të zhvillimit të Komunës.

Investime të vazhdueshme në partneritet strategjik dhe besëmirë me qeverinë tonë dhe donatorët e jashtëm si Zvicra, Austria, SHBA-të. 

Ndihemi të lumtur që kemi disa kategori të investimeve në Gjilan, dhe ndër më të rëndësishmet është ajo e dhuruesve (donatorëve). Gjilani ka arrit që të bashkëpunojë dhe të marrë donacione nga çdo qeveri që është prezent në Kosovë apo është në buxhetim me financa në Kosovë. 

Investitori i më madh në Gjilan aktualisht është Qeveria e Zvicrës, e cila pritet ta rehabilitojë rrjetin e ujësjellësit për të gjitha fshatrat dhe implemetues është ndërmarrja “Hidromorava.” Programi është bërë nga Komuna në bashkëpunim me Qeverinë Zvicerane. Partneri i dytë i madh është Komisioni Evropian me të cilin donator i kemi tri projekte: Projektin në lagjen “Dardania”, Projekti me të cilin ne jemi në vazhdimësi dhe të cilin ne e kemi debllokuar është Biblioteka e Qytetit dhe

Projekti i tretë është projekti i Stadiumit të Vogël, por ka edhe projekte tjera të vogla të cilat do t’ i realizojmë me KE-në.

Po ashtu në Gjilan prezente me investime është edhe Qeveria Amerikane me të cilën në Dardani do të ndërtojmë Çerdhen e Fëmijëve, mandej Qeveria Turke në Shkollën “Abaz Ajeti” do ta ndërtojë Çerdhen tjetër për fëmijë dhe shumë programe të tjera që janë në interes të Gjilanit. Siç po shihet, ne përparësi i kemi dhënë arsimit dhe infrastrukturës.

Në Shëndetësinë Primare kemi arrit që ta rehabilitojmë pjesën më të madhe të infrastrukturës dhe në këtë degë të shëndetësisë, në bashkëpunim edhe me KARITAS-in, kemi punësuar një numër të mjekëve të rinj dhe të teknikëve të medicinës, dhe ky program do të ndihmojë që me kuadër të kualifikuar, do të mbulohen edhe punktet më rurale të Komunës, si në Vërbicë të Zhegocit dhe Shurdhan. Kështu, po afrojmë shërbime shëndetësore sa më afër qytetarit tonë.

Punët e papërfunduara nga qeverisja e kaluar, ne po i përfundojmë. 

Mirëpo i kemi edhe 17 programe e që janë të trashëguara që nga viti 2009, por që ne po punojmë në mënyrë që këtë vit t’ i përfundojmë. Vlera e investimeve për këto punë të mbetura është afër 600 mijë €. Mirëpo deri në këtë fazë ne duhet ta bëjmë prerjen e punëve për të parë se çka ka ndodhur me ato projekte. 

Një numër i projekteve ka qenë edhe objekt i hetimeve dhe shpresoj shumë që tash ka ardhur koha që të fillojmë të punojmë në disa rrugë që kanë filluar dhe kanë mbetur për pa u përfunduar siç është ajo në fshatin Kosaçë, mandej rruga për Malishevë të Epërme, por edhe disa rrugë të tjera në qytet. 

Trajtimi i ujërave të zeza po zgjidhet njëherë e mirë për Gjilanin, në bashkëpunim më qeverinë e Austrisë dhe Ministrinë e Financave të Republikës së Kosovës. Kurse, me Hidromoravën po rehabilitojmë ujësjellësin.

Po ashtu në vitin e ardhshëm partnerin më të madh financiar do ta kemi qeverinë e Austrisë e cila me Ministrinë së Financave të Kosovës, pritet që ta nënshkruaj Marrëveshjen Teknike për marrjen e 12 milion €, dhe projektet që do t’ i hartojmë këtë vit dhe negociatat që i kemi bërë me qeverinë e Austrisë, janë për fillimin dhe përfundimin e rrjetit të kanalizimit në Gjilan. Është projekti kryesor i largimit të baltës dhe mënjanimit të ujërave të zeza. Projekti do t’ i përfshijë 54 km kanalizime, rregullimin e shtratit të Lumit Stanishorka dhe përfundimin e fundit të shtratit të Lumit Mirusha. 

Në këtë projekt nuk hyn vetëm pjesa urbane e qytetit, por këtu hyjnë të gjitha fshatrat e Komunës së Gjilanit dhe të gjitha fshatrat rreth Komunës së Gjilanit, e të cilat janë ndotës përmes kanalizimeve në Gjilan, por edhe të fshatrave të komunave tjera në partneritet me ato komuna. Kjo është faza e parë e përmbylljes së kanalizimeve për Komunën tonë.

Ndërsa për fazën e dytë ne po punojmë me Qeverinë për ndërtimin e një impianti të ujërave të zeza dhe përfundimisht me këtë do të mbyllet procesi i ujërave të zeza. Lajmi më i madh për ne është se fillimi i këtyre punimeve i cili do të ndodh në këtë vit, në mënyrë që projektet të realizohen brenda kalendarit të paraparë në afat prej një viti. 

Po ashtu presim që “Hidromorava” ta marrë dhe ta rehabilitojë rrjetin e ujësjellësit dhe po ashtu jemi pajtuar që Kompania ta marrë për obligim edhe mirëmbajtjen e këtij ujësjellësi. Ne kemi investuar më parë në disa fshatra, por nuk është kujdesur askush për mirëmbajtje dhe kanë mbetur fshatrat dhe vendbanimet pa ujë. Rrejti ekziston, por nuk është mirëmbajt, ndërsa tani duhet të investojmë me mjete shtesë për t’ i rehabilituar të gjitha këto rrejte të ujësjellësit, ashtu që të furnizohet komuniteti me ujë, por në këtë rast duhet pasur parasysh edhe pagesën nga ana e komunitetit. 

Përfundimisht, Gjilanin po e nxjerrim nga balta dhe po e lidhim me autostradën ndërkombëtare: asfaltim të rrugëve në qytet dhe fshatra, si dhe fillim të punimeve në autostradën për Prishtinë. 

Në investime publike këtë vit do të përfundojmë pjesë të asfaltimit të rrugëve, të ndërtimit të trotuareve dhe të rehabilitimit të rrugëve. Rrugë kryesore që do të ndërtohet është rruga Gjilan- Prishtinë dhe atë aksi i parë prej tunelit deri te Penda e Livoqit, mandej prej Pendës deri te lagjja e Gllamës. 

Në të njëjtën kohë presim të fillojnë punimet prej Stacionit të Autobusëve në drejtim të Livoqit të Ulët dhe deri tek udhëkryqi i Cërrnicës, lot i I, kure lot i II deri në Kllokot. Ky projekt është paraparë në mes të Ministrisë së Infrastrukturës, Komunës dhe Bankës Evropiane për Zhvillim.

Po ashtu pritet të fillojmë me ndërtimin e Autostradës, Dheu i Bardhë - Bunari i Përlepnicës - Gllamë dhe Prishtinë, i cili do të jetë korridori më i madh që do të lidhet me autostradat ndërkombëtare. Obligim i ynë ka mbetur meremetimi i rrugës Malishevë - Uglarë dhe Pogragjë i cili projekt është investim i Komunës dhe Ministrisë së Infrastrukturës. Kjo rrugë para luftës është ndërtuar me vet-kontribut të këtyre fshatrave, prandaj ka ardhur koha që të investohet në këtë rrugë dhe të hapet korridori deri te Dobrosini. Po ashtu, këtu na ndërlidhet edhe hapja e vendkalimit kufitar në Stanqiç për ta lidhur Gjilanin me Kumanovën. 

Këto janë kryesisht projekte më të mëdha, kurse ne i kemi 1.2 milion € për rrugë në qytet, kryesisht rrugica dhe rrugë që kanë mbetur pa u realizuar. Mirëpo, po aq mjete janë ndarë edhe për asfaltimin e rrugëve në fshatrat e Komunës së Gjilanit, përveç në ato fshatra ku duhet të punojmë në kanalizim dhe ujësjellës, e që do të mbesin në fazën e dytë për asfaltim të rrugëve dhe trotuareve. 

Besoj se ky do të jetë vit i investimeve më të mëdha dhe do të vazhdojmë me disiplinë buxhetore dhe nuk do të ketë asnjë tolerancë të shpenzimit të buxhetit pa përmbushje të kritereve të rrepta. 

Nuk ka komunë të pasur me qytetarë të varfër: ulje tatimesh në pronë, rritje e inkasimit dhe falje borxhesh.

Ne e kemi ulur vlerën e tatimit në pronë, prapë sipas kategorive, sepse duke kursyer qytetarin, Komuna fiton më shumë, sepse nuk mund të kemi komunë të pasur, kurse qytetarë të varfër. Për qytetarët e Komunës së Gjilanit është 7 milion € amnistia e borxheve, për të gjitha kategoritë që i parasheh ligji. Sa i përket komunës, ne nuk kemi obligime dhe këto dy vite nuk e kemi krijuar asnjë borxh ndaj askujt, por kemi borxhe të vjetra që po i servisojmë gradualisht. 

Investimet në bujqësi – investime në të ardhmen zhvillimore të komunës, me fokus të veçantë kultivimin e bimës së duhanit.

Kemi subvencionuar dhe do të vazhdojmë për të subvencionuar veprimtari të ndryshme në bujqësi me mjete të punës dhe po punojmë shumë që me ligj bima e duhanit të trajtohet ashtu si rrushi i Rahovecit. Nëse fillon punën Fabrika e Duhanit, atëherë fabrika do të ndajë subvencion për kulturën e duhanit, sepse jemi shumë të interesuar për ta zhvilluar këtë degë të bujqësisë dhe bujqësinë në përgjithësi. 

Gjilani - qytet i bamirësisë: falë mërgimtarëve dhe vullnetit të mirë të qytetarëve, asnjë familje nuk do të mbetet pa kulm mbi kokë.

Në fund më lejoni që t’ i falënderoj edhe mërgimtarët për solidaritet dhe mbështetje, sepse në rrafshin social, ne kemi ndërtuar një fond të qytetarëve dhe të komunës përmes së cilit janë ndërtuar 25 shtëpi, nga 11 që janë premtuar. Është rast i rrallë që premtohen 11 shtëpi dhe ndërtohen 25. Po ashtu, Komuna për 37 familje të tjera, për çdo muaj bënë pagesën e qirasë.

Ne i kemi edhe 200 mijë € pa i harxhuar nga fondi, ndërsa këto shtëpi janë ndërtuar falë donacionit të donatorëve, qytetarëve, kurbetqarëve dhe biznesit të Komunës së Gjilanit.

Ne po ashtu kemi ndarë bursa për studentë dhe të cilat bursa do të ndahen vetëm për studentë me kushte të vështira. 

Si gjithherë, jemi të gatshëm për pyetjet tuaja.
Pa dashur më shumë ta zgjas, unë jam i gatshëm të përgjigjem në pyetjet e juaja, por këtu janë edhe drejtorët dhe secili do të përgjigjet për sektorin e vet. 

Për t’u njohur më për së afërmi me të gjitha të arriturat që i përmenda shkurtimisht këtu, dhe për të iu informuar në mënyrë më të detajuar, i keni më poshtë raportet e drejtorive dhe zyrave veç e veç. 

Ju faleminderit shumë dhe dëshirojë që ta dëgjoj edhe fjalën e tuaj të nderuar anëtarë të Kuvendit!”

Kthehu mbrapa

Shto koment