Haziri: Projekti i Varrezave të Dëshmorëve në mesin e projekteve të cilat janë nën hetimin e organeve të drejtësisë

19.12.2014 (komentet: 0)

 

Duke iu referuar  projekteve të lëna përgjysmë nga ish-qeveria komunale në Gjilan, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se ato janë subjekt i hetimeve të organeve të drejtësisë, duke potencuar kështu se Komuna është në pritje të vendimit të organeve të drejtësisë për të vazhduar apo bërë prerjen e punëve në to.

 

“Shqetësime tona dhe problemet janë me 17 projekte nga ish-qeveria komunale në Gjilan, që i kemi gjetur e që nuk kemi mundur t’i realizojmë apo trajtojmë për shkak të natyrës e që tashmë janë subjekt i vendimmarrjes nga ana e drejtësisë. Këto 17 projekte marrin miliona euro për tu realizuar. Ne po presim që të zbardhen rastet në mënyrë që të kemi mundësi për të planifikuar ndërtimin apo vazhdimin e realizimit të tyre deri në përfundim të këtyre projekteve”, tha ai.

Ai ka potencuar edhe disa nga projektet që kanë ngecur siç është , Biblioteka e Qytetit, Stadiumi, ndërtesa e Policisë Regjionale të Kosovës etj.

“Projekti më i madh dhe më i dhimbshëm është ai i varrezave të dëshmorëve, i cili po ashtu është subjekt i hetimeve dhe natyrisht se përveç 17 programeve të Komunës i kemi dy programe me ministri, siç është objekti i Policisë Regjionale së Kosovës, i cili ka mbetur në katin e dytë, dhe dy programe me Komisionin Europian, është Biblioteka e Qytetit dhe Stadiumi”, shtoi Haziri.

“Toleranca ndaj mosrealizimit të programeve do të jetë zero. Ne nuk mund të vazhdojmë t’i trajtojmë si program në letër ose do të vazhdojnë, ose do të mbyllen apo edhe të dështojnë si programe që nuk janë realizuar, dhe si të tilla ne duhet ta bëjmë prerjen”tha ai.

Haziri tha se prerja sipas ligjit nënkupton rishikim i projektit dhe mbyllje e projektit sepse nuk mund t’i trajtojnë si programe që po ecin në Gjilan dhe programe të tilla që kanë problem me ligjin.

“Fatkeqësisht, deri tash janë 34 lëndë që po hetohen nga organet e shtetit dhe për të cilat ne presim impakt tjetër. Kjo është njëra nga sfidat kryesore, përkundër vullnetit të madh që programet të realizohen. Gjilani ka nevojë edhe për 170 projekte të tjera. Mirëpo, situata në të cilën e kemi gjetur dhe e kemi trajtuar është kjo që është determinuese edhe për mënyrën se si do ta vazhdojmë”, ka thënë kryetari i Komunës. /kokaj.net/

Kthehu mbrapa

Shto koment