Haziri: Po punojmë intensivisht me qeverinë për ta zgjidhur problemin e teatrit të Gjilanit

26.05.2015 (komentet: 0)

 

 Kuvendi Komunal i Gjilanit, në mbledhjen e sotme të radhës po debaton për çështjen e teatrit të qytetit, ku janë paraqitur me fjalët e tyre edhe disa aktorë të teatrit të Gjilanit, të cilët dhanë rekomandimet e tyre.

 

 

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit, ka thënë se me qeverinë po punohet intensivisht për ta zgjidhur problemin e teatrit të Gjilani

“Po më vije mirë që Kuvendi Komunal ka filluar të nxjerrë tema të veçanta për debat dhe përfundimisht nxjerr edhe rekomandime ose vendime. Gjithçka që vendosni, bëjeni këtë në përputhje me ligjin sepse unë jam i thirrur ta zbatoj ligjin. Me këtë qeveri po punojmë që ta zgjidhim problemin e teatrit sepse Gjilani e ka humbur statusin në momentin kur është votuar ligji për teatrot”, është shprehur para asambleistëve të Kuvendit Komunal, kryetari Haziri.

Ai përmendi faktin se statusin e teatrit profesionist e ka humbur Gjilanit, si pasojë e një përplasje të mëhershme mes Komunës së Ministrisë së Kulturës.

“Ligji, ky që është tetarin e Gjilanit e trajton si teatër komunal dhe dihet që kjo ka ardhur si pasojë e ndërrimit të menaxhmentit dhe në një përplasje mes Komunës dhe MKRS-së për ndërrimin e menaxhmentit është proceduar ndryshimi i nenit, i cili ia kthen të drejtën komunave për emërimin e menaxhmentit, por ia lë ‘këmbët e arushës’ në dorë sepse 51 për qind të buxhetit ia ka marrë”, ka thënë kryetari Haziri.

Kreu i Gjilanit tha se e vetmja mënyrë për ta zgjidhur statusin e teatrit është që ta bëjmë me nënkod buxhetor që nënkupton se merren paratë në janar sikur që e merr një drejtori e Komunës dhe më pastaj me ato parametra e kushte duhet të punojë teatri.

“Unë jam për ta zgjidhur statusin e teatrit dhe e vetmja mënyrë është që ta bëjmë me nënkod buxhetor që nënkupton se merren paratë në janar sikur që e merr një drejtori e Komunës dhe më pastaj me ato parametra e kushte duhet të punojë teatri, por llogari do të jepet gjithmonë për mjetet e harxhuara. Duhet ta dimë faktin që aktorët nuk janë shërbyes civil, por ata janë performues kulturor që hyjnë në kategori të veçantë dhe njihen si punonjës të shtetit. Sikur që është zgjedhur problemi i aktorëve të Teatrit Kombëtar, ashtu duhet të zgjidhet edhe i ansamblit të aktorëve në Gjilan. Përfundimisht, teatri duhet të menaxhojë me mjetet e veta, me kalendarin e vet kulturor, duhet të shfrytëzohen dhe të komercializohen një pjesë e hapësirave. Por, zgjidhja do të ndodhë, deshi e s’deshi dikush. Më vije mirë që këshilltarët komunal po e trajtojnë problemin me dinjitet”, ka thënë Haziri.


Kuvendi Komunal i Gjilanit po i vazhdon punimet duke diskutuar për këtë dhe disa pika të tjera.

Kthehu mbrapa

Shto koment