Haziri: Nuk i ndërrojmë partnerët

06.12.2014 (komentet: 0)

 Kreu i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri (LDK) ka ripërsëritur të shtunën edhe njëherë se do të rishikohet qeverisja lokale duke paralajmëruar kështu mundësinë e ndërrimit të ekipit qeverisës, përkatësisht riformatizimit të saj, siç shprehet ai, por ajo që nuk do të ndërrohet sipas tij, është partneritetit me subjektet me të cilët është duke bashkëqeverisur deri më sot.

 

 

Kjo përgjigje e tij, “iu ka prerë këmbët’ zërave në PDK, që kohëve ët fundit ishin shtuar, sidomos pasi në parim ishte arritur një marrëveshje mes LDK e PDK për të bashlëqeverisë në nivel vendi, dhe se kjo ishte kuptuar edhe si mundësi se mund të ketë lëvizje edhe në Gjilan.

 

Përndryshe, ditë më parë Izmi Zeka, ish kryetar dege i PDK-së, njëherësh anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, i pyetur për një mundësi të tillë, që LDK e PDK të bashkëqeverisin edhe në Gjilan, nuk ishte i drejtpërdrejt në përgjigjen e tij, por vetëm ka rikujtuar disa shprehje, që sipas tij, vlejnë në politik, si “gjithçka është e mundshme” dhe shprehjen tjetër “kurrë mos thuaj kurrë’.

 

“Realisht çështjen e rishikimit të pozicionit tonë në Gjilan, PDK-ja nuk e ka shqyrtuar tani për tani. Ne, në parti, nuk e kemi diskutuar këtë sepse për momentin PDK-ja e Gjilanit nuk e ka në agjendë këtë çështje. Por se, ajo çfarë mund të them, në këtë rast, është fakti se në politikë vlen shprehja “kurrë mos thuaj kurrë” duke përfshirë pra mundësinë edhe të rishikimit të pozicioneve edhe këtu në Gjilan”, kishte thënë Zeka, për Portalin 2L ONLINE.

 

Për më tepër shih shkrimin: A do të bëhen bashkë LDK e PDK edhe në Gjilan?!

 

Por, nga ana tjetër, kreu i komunës njëherësh edhe i LDK-së së Gjilanit, Lutfi Haziri i lutur të komentojë këto deklarata të Zekës, është shprehur qartë se ndërrim partnerësh nuk do të ketë në Gjilan.

 

Ai ka konfirmuar për 2L ONLINE, se pas vlerësimit të punës së secilit, përgjatë dhjetorit do të ketë rishikim dhe riformatizim të qeverisjes lokale, por se nuk do të ketë assesi ndërrim partnerësh.

 

Përndryshe, ai tha se dëshiron të jetë edhe njëherë i qartë edhe sa i përket nivelit qendror ku LDK do të udhëheqë me qeverinë dhe se Isa Mustafa do të jetë kryeministër i vendit, në të kundërtën nuk do të ketë marrëveshje me PDK.

 

Me këtë ai edhe njëherë, sikurse javë më parë ka demantuar disa shkrime në media, se ai në pozitën e kryeministrit, mund të jetë kompromisi që mund ta bëjë PDK për ta lëshuar pe për atë pozitë. /2L ONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment