Haziri: Ne jemi model tjetër i qeverisjes

25.06.2016 (komentet: 0)

 Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar të premten, Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2017-2019. Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit, ka thënë se KAB-i është rekomanduar nga Komiteti për Politikë dhe Financa, pas një debati me qytetarë dhe ka nënvizuar se do të ketë edhe dëgjime tjera nëpër lokalitete, për t`i përcaktuar prioritetet bashkërisht me qytetarët.

 

Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, ka thënë se KAB-i është një dokument i rëndësishëm për zhvillimin e Komunës, në tri vitet e ardhshme. Duke i inkurajuar vendimmarrësit komunalë, Haziri ka shtuar se kjo është një ditë e rëndësishme për ata që dëshirojnë të kontribuojnë për Komunën e tyre.

Ndërkaq, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës rreth qeverisjes, që sipas tyre, ka mangësi të cilat janë konstatuar edhe nga auditori i përgjithshëm, kryetari Haziri ka thënë se bëhet fjalë për variantin fillestar të raportit, ku ne kemi të drejtë t`i paraqesim vërejtjet tona. “Ne jemi të kënaqur me raportin, në përgjithësi, ndërsa vërejtjet tona i paraqesim në rrugë ligjore”, ka thënë Haziri, duke shtuar se as vjet dhe a sivjet nuk ka pasur raste që janë proceduar në prokurori për shkelje.      

Duke e ftuar opozitën që të jetë kritike, por t`i përmbahet kodit moral dhe të mos i kalojë kufijtë e debatit politik, kreu i Gjilanit i ka rikujtuar ata se zgjedhjet janë në vitin tjetër dhe deri atëherë është ai që do të udhëheq Gjilanin, në bazë të mandatit që ia kanë dhënë qytetarët. “Projektet që do të realizohen deri atëherë nga qeverisja ime, Gjilanit do t`i japim një format tjetër”, ka thënë Haziri.   

Ai ka pranuar se ka telashe me disa operatorë ekonomikë, sepse nuk i përmbahen dinamikës së projekteve, por ka thënë se kompanitë e tilla do të futen në listën e zezë për të ardhmen dhe nuk do t`iu jepen më punë.

Haziri ka dhënë përgjigje edhe rreth dyshimeve që ka ngritur opozita për fondin e solidaritetit, duke thënë se gjithçka është transparente dhe mund të verifikohet në bankë, por ka shtuar se ata që nuk kanë kontribuuar me asgjë në këtë fond, nuk kanë të drejtë të kërkojnë llogari prej të tjerëve.

“Në këtë fond, njerëzit e vullnetit të mirë po kontribuojnë edhe më tutje. Sikur të mos kishin besim tek ne, nuk do të lajmëroheshin çdo ditë donatorë të rinj, falë të cilëve ne jemi duke i ndërtuar edhe 8 shtëpi”.

Ai ka dhënë sqarime edhe për lumin Mirusha, që është trashëguar nga qeverisja e kaluar, për lumin Stanishorka dhe projektet tjera që kanë të bëjnë me ujërat e zeza, duke thënë se ky problem do të zgjidhet përgjithmonë, në bashkëpunim me qeverinë austriake dhe qeverinë e Kosovës.

Në shtator fillojmë me hyrje-daljet në rrugët Gjilan-Prishtinë dhe Gjilan-Ferizaj, për të vazhduar me rrugët dhe infrastrukturën tjetër të nevojshme, gjatë dy viteve të ardhshme. “Deri atëherë, duhet të keni durim dhe do t`i shihni rezultatet e kësaj qeverisje”, ka thënë Haziri, duke nënvizuar se ne jemi një model tjetër nga qeverisja e kaluar.                  

Përndryshe, edhe seanca e sotme është karakterizuar me tensione të herë pas hershme. Riad Rashiti (PDK) ka thënë se kjo qeverisje nuk ka plan zhvillimor, ndërkohë ka bërë vërejtje për buxhetin, prokurimin, subvencionet, ndërtimet pa leje, disa probleme në arsim e shëndetësi dhe të tjera.  

Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se qytetarët janë ata që kanë përcaktuar vendin e secilit dhe, dikë e kanë zgjedhur për të punuar dhe dikë e kanë lënë për të folur. Vjen koha që prapë qytetarët e vlerësojnë punën tonë, ka thënë ai.

Bujar Nevzati (PDK) tha se është e vërtetë që ne kemi mandat prej qytetarëve për të folur për punët e këqija, po edhe të mira, që bëhen në Komunë, prandaj edhe nuk do të heshtim.  

Isa Agushi (LDK) ka thënë se kjo qeverisje, për dy vite, ka bërë më shumë seç ka bërë PDK-ja për 16 vjet qeverisje në nivel lokal dhe qendror. “Kush ecën me sy hapur i sheh këto ndryshime”, ka thënë ai.

Nevzad Isufi (VV) pati vërejtje rreth mbarëvajtjes së seancave dhe kërkoi që Kuvendi Komunal të shqyrtojë punën e drejtorive komunale për periudhën 6-mujore. Ai u shpreh kritik edhe për  vonesat në meremetimin e rrugëve, ndriçimin publik në disa rrugë të qytetit dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me shërbimet publike.

Leonora Bunjaku (PDK) bëri vërejtje pse në këtë seancë nuk është përfshirë edhe një pikë për arsimin, kur dihet se tani ka përfunduar viti shkollor, kurse Fehmi Sylejmani (VV) kërkoi që dy nxënëset e Gjilanit, të cilat do të marrin pjesë në olimpiadën botërore të matematikës në Hong Kong, të ndihmohen financiarisht.            

Opozita ka pasur vërejtje edhe për KAB-in, duke e cilësuar atë dokument të dëshirave. Riad Rashiti (PDK) tha se nuk janë marrë parasysh nevojat e qytetarëve. Nevzad Isufi (VV) ka thënë se dokumenti është bërë me nguti dhe pati vërejtje te mungesa e investimeve të planifikuara për arsim. “Shifrat nuk japin ndonjë optimizëm”, ka thënë ai.

Edhe Fehmi Sylemani (VV) tha se nuk janë planifikuar investime në kabinete shkollore, salla të edukatës fizike, për ujësjellës e kanalizime në fshatra si dhe projekte të tjera të nevojshme, kurse Shukrije Rapuca (PDK) u shpreh e pakënaqur me subvencionet për bujqësi, duke thënë se ka ulje në krahasim me vitin e kaluar.   

Ndërkaq, Avdyl Aliu (LDK) e Selami Xhemajli (AAK) kanë dhënë vlerësime pozitive për KAB-in, duke e cilësuar atë një bazë të mirë për zhvillimin e Komunës në tri vitet e ardhshme. “Trendet janë pozitive, kurse neve na mbetet të punojmë dhe të realizojmë planin”, ka thënë Aliu.  

Paraprakisht, Zijadin Maliqi, drejtor për Buxhet, i ka paraqitur kufijtë fillestarë buxhetorë për vitin 2017 si dhe orientimet e hershme për vitet 2018 dhe 2019.

Buxheti i vitit 2017 do të ketë një rritje për 6 për qind në krahasim me vitin paraprak, në vitin 2018 rritja do të jetë 2 për qind, ndërsa në vitin 2019 – një për qind. Kurse të hyrat vetanake do të rriten për 15 për qind në vitin 2017, ka thënë Maliqi.

Duke prezantuar të dhënat tjera nga KAB, ai ka thënë se granti i përgjithshëm do të ketë një rritje prej 8 për qind, por është shprehur i pakënaqur me rritjen e grantit për arsim për një për qind, ku Komuna e Gjilanit ka vazhdimisht probleme për t`i mbuluar pagat.

Sa i përket investimeve kapitale, Maliqi ka thënë se do të ketë një rritje prej afër 17 për qind, në krahasim me vitin 2016, kurse te subvencionet nuk parashihet rritje. Edhe investimet kapitale do të shënojnë një rritje graduale, nga 4 milionë sa janë planifikuar për vitin 2017, në rreth 5 milion, në vitin 2019.

Sipas KAB-it, buxheti i vitit 2017 do të jetë 22.657.746 euro, buxheti i vitit 2018 -23.122.147 euro, kurse i vitit 2019 do të jetë 23.544.228 euro.     

Përgjigje në pyetjet lidhur me planifikimin sipas sektorëve, kanë dhënë drejtorët Ramiz Ramadani (Bujqësi), Nexhat Hajrullahu (Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale) e Naser Korça (Shërbime Publike).    

Kthehu mbrapa

Shto koment