Haziri në ”Dardani”: Po e ruajmë kuletën e popullit

10.07.2015 (komentet: 0)

 

 Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi, nënkryetari Rexhep Kadriu dhe drejtorët komunal, ka mbajtur mbrëmë një debat publik me qytetarët e lagjes ”Dardania”.

 

Në hapjen e debatit, kreytari Haziri tha se do të vazhdoj të mbaj takime publike lagje më lagje sepse, sipas tij, vetëm një takim i obliguar që u mbajt në teatër, është i pamjaftueshëm.

Kryetari Haziri ka përmendur të arriturat gjatë kësaj periudhe qeverisëse, duke aplikuar dietën e ashpër buxhetore, dhe në këtë mënyrë, tha ai, po e ruajmë kuletën e popullit.

”E kemi kthyer disiplinën në punë, pastaj dieta e ashpër fiskale po vazhdon, nuk ka shpenzime në ushqime dhe kategori tjera. Duke kursyer në këtë aspekt, ne po realizojmë investime dhe po e ruajmë kuletën e popullit”, tha kryetari Haziri.

Kreu i Gjilanit ëshët shprehur se në lagjen ”Dardania” është investuar me të gjitha kapacitetet në infrastrukturë, përfshirë ndërtimin e rrugëve, kanalizimeve, ujësjellësit e ndriçimit publik, pastaj investimet në shkollën fillore ”Selami Hallaqi” dhe të tjera.

Ai ka paralajmëruar se së shpejti pritet të nis ndërtimi i çerdhës në këtë lagje, ku pritet të jetë bashkëfinancim i Komunës me USAID-in, pastaj projekti i fituar nga ”Kosova e Bukur” i parkut me hapërsira rekreative në këtë lagje, në të cilin pritet të punësohen mbi 60 persona në bashkëpunim  me Qendrën e Punësimit.

I pari i Komunës tha poashtu se gjatë ditëve në vijim në ”Dardani” pritet të nis edhe ndërtimi kanalizimit në rrugën ”15 qershori”, sikurse edhe pilot-projekti për ndarjen e mbeturinave që janë të riciklueshme, e që do të realizohet në bashkëpunim me GIZ. \

Më pas, kryetari Haziri dhe bashkëpunëtorët u janë përgjigjur pyetjeve dhe interesimeve të qytetarëve si: Sahit Hyseni, Edoni Rexhepi, Sabri Shkodra, Isuf Rexhepi, Bexhet Ismajli etj., të cilët, kryesisht, e paraqitën si shqetësim zhurmën që krijojnë kafiteritë.

Kreu i Komunës tha se ka nënshkruar urdhërin ekzekutiv për këtë çështje, duke theksuar se do të ketë zero tolerancë sa i përket zhurmës që krijojnë kafiteritë dhe do t’u konfikohen pajisjet.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri me bashkëpunëtorët, do të vazhdojnë takimet publike me qytetarët edhe në lagjet tjera dhe në fshatra.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment