Haziri: Mësuesit tanë na mësuan udhën e rëndë të shkronjave shqipe

08.03.2016 (komentet: 0)

Nën organizimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit sot në Gjilan është shënuar 7 Marsi, Dita e Mësuesit, duke mbledhur numër të madh të mësimdhënësve të shkollave të Gjilanit.

 

 

Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka kujtuar mësuesin e parë dhe kontributin e jashtzakonshëm që brezi sot të jetë këtu ku është.

“Lavdi e përjetshme për të gjithë ata mësues që sot nuk janë në mesin tonë. Ata kanë dhënë shumë, kanë sakrifikuar dhe atë jo vetëm për arsimin e Kosovës. Mësuesit tanë janë ata që na mësuan udhën e rëndë të shkronjave dhe kështu të gjithë ne bashkërisht hymë në rrugën e gjatë të mësimnxënies. Kuadrot që dalin nga ju mësimdhënës sot janë jo vetëm kuadro të Kosovës por edhe më gjerë në gjithë botën, sepse sot bota është shumë e vogël dhe falë talentit të rinisë ne sot jemi gjithkund nëpër botë në rrafshin e konkurencës mes të rinjve dhe duke marrë mirënjohje dhe medalje të shumta”, ka thënë kryetari Haziri në fjalën e tij.

 

“Janë dy vendime kryesore në jetën e njeriut, i pari që ka të bëjë me profesionin që zgjedhim dhe i dyti me martesën që kemi, në rastin se këto dy vendime janë të suksesshme, sigurisht që edhe rezultatet nuk mungojnë, por udhëzuesit e drejtëpërdrejtë në përzgjedhjen e vendimit më të mirë janë mësuesi dhe nëna”, tha kreu i Gjilanit.

 

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Nazmi Musa, ka uruar të gjithëve 7 Marsin, duke potencuar se u bënë 129 vjet nga hapja e parë e mësonjtores së parë shqipe dhe është rrugë shumë e gjatë që është bërë deri më tani në edukimin e brezave të tërë të arsimit ndër vitesh.

 

“7 Marsi është ditë e bekuar e historisë shqipe. Bashkë me ditën e mësuesit, ne po përkujtojmë edhe Epopenë e Lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave të okupatorit serb. Robëria nën sundime të ndryshme romake, otomane, sllave etj, nuk na lanë të shohim dritë duke u përcjellë me robëri, vuajtje dhe luftëra të përgjakshme. Në këtë datë historike ne poashtu sot kujtojmë edhe investimet e mëdha që janë bërë për këto dy vjet në fushën e gjerë të arsimit, falë edhe mbështetjes së madhe të kryetarit Haziri, por edhe miqve të shumtë-organizatave të shumtë qeveritare si USAID, GIZ, UNDP, TiK-a e shumë organizata të tjera”

 

Gjithashtu, ky takim është përcjellë edhe me pika të ndryshme kulturore-artisitikë të përgatitura nga nxënësit e shkollave të komunës së Gjilanit.

Kthehu mbrapa

Shto koment