Haziri: Mësuesit nuk na mësuan vetëm për shkronjat, por edhe për lirinë dhe pavarësinë

07.03.2015 (komentet: 0)

 

Nën organizimin e Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtorisë Komunale e Arsimit, është mbajtur sot një manifestim për nderë të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, ku e pranishme ishte kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku Rexhepi, nënkryetari Rexhep Kadriu, drejtori i DKA-së Nazmi Musa, si dhe arsimtarë e veteranë të arsimit.

 

Në pamundësi për të qenë i pranishëm në këtë ngjarje, është lexuar një telegram urimi i kryetarit Lutfi Haziri, i cili ka vlerësuar se “mësuesit nuk na mësuan vetëm për shkronjat, por edhe për liri dhe pavarësi”.

Përmes telegramit, Haziri ka vlerësuar lartë kontributin e mësuesve shqiptarë në mbajtjen gjallë të edukimit shqip edhe në kohë të pakohë, duke përmendur edhe kontributin e madh të pronarëve të shtëpive-shkolla në Gjilan, të cilët në kohën kohën më të rëndë për arsimin e paraluftës, lëshuan shtëpitë e tyre që shërbenin si vatra të arsimit e diturisë për fëmijët tanë.

Në fjalën e saj, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku Rexhepi, ka shprehur privilegjin që të flas para veteranëve të arsimit e mësimdhënësve të Gjilanit, duke shfaqur besimin se së bashku do ta zhvillojmë Gjilanin për të nxjerrë kuadro sa më profesionale që në të ardhmen të bëhen ambasadorë të dijes

“I përshëndes të gjithë punëtorët dhe veteranët e arsimit në Gjilan dhe përulem para jush për kontributin e jashtëzakonshëm që e keni dhënë. Kam kënaqësinë dhe privilegjin të flas para jush me ndjenjën e mësuesit. Pa mundin dhe sakrificën e mësuesve tanë ne nuk do të ishim këtu ku jemi sot. Ne ju kemi borxh t’ju respektojmë e nderojmë. Ju uroj të gjithë mësimdhënësve të komunës së Gjilanit, Ditën e Mësuesit, ju dëshiroj suksese dhe cdo të mirë ne jetën tuaj. Gjeneratat e reja duhet të marrin mësim dhe t’i marrin model veteranët e arsimit për ta avancuar shtetin tonë. Besoj se së bashku do ta zhvillojmë Gjilanin për të nxjerrë kuadro sa më profesionale që në të ardhmen të bëhen ambasadorë të dijes”, tha Bunjaku Rexhepi.

Ndërsa, drejtori i DKA-së ën Gjilan, Nazmi Musa, tha se që nga 7 Marsi i vitit 1887, kur edhe u hap shkolla e parë shqipe në Korçë, e deri më sot, rruga e zhvillimit të arsimit shqip nuk ishte e lehtë.

“Rruga e zhvillimit të arsimit shqip, këtu e 128 vite më parë, nuk ishte e lehtë. Nuk ishte e shtruar me lule lara e as e ndriçuar me rreze të ngrohta të diellit, si për popujt tjerë. Me këtë rast Dua të them se sakrifica e patriotëve të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare i dhanë dritë e rritë arsimit tonë kombëtar dhe hapjes së shkollave shqipe aneambanë trojeve, ku flitet gjuha jonë  bukur dhe e ëmbël shqipe, siç thoshte Naim Frashëri. Me alfabetin e gjuhës shqipe, të kësaj ‘gjuhe Perëndie”, siç e quante At Gjergj Fishta, u ngrit ndërgjegja e kombit tonë për Liri, Pavarësi e Demokraci”, ka thënë Musa.

Musa ka kujtuar edhe dhunën dhe terrorin e pushtetit serb mbi arsimin shqip në Kosovë, duke përmendur arrestimet dënimet, vrasjet, përjashtimet nga puna, helmimet e nxënësve nga ky regjim famëkeq.

“Por, pavarësisht nga shkalla e dhunës dhe represionit të pushtetit serb që ushtrohej ndaj nxënësve, studentëve, mësuesve, profesorëve, rruga e arsimit dhe edukimit të fëmijëve tanë nuk u ndërpre asnjëgere, as në vitete 1990-1999, kur populli ynë liridashës hapi shtëpitë e tyre për t’i shndërruar në shkolla”, tha Musa.

Zbatimi i reformave dhe kurrikulave për nj sistem shkollor bashkëkohor, nevojën e investimeve kapitale në infrastrukturën shkollore: hapësira, kabinete, fusha sportive, kuadër profesional për zhvillimin e procesit mësimor, janë objektiva të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, shtoi Musa.

Sipas tij, këto objektiva zhvillimore të arsimit po realizohen falë personelit të mësimdhënësve, menagjerëve të shkollave dhe kryetarit të Komunës z. Lutfi Haziri, i cili për mandatin e tij qeverisës të komunës, ka vënë si prioritet arsimin dhe përmirësimin e kushteve të punës së mësimdhënësve për mësimdhënie e mësim nxënie cilësore për fëmijët tanë.

Kthehu mbrapa

Shto koment