Haziri: Kultura Rinia dhe Sporti mbështeten nga Komuna e Gjilanit në të gjitha aktivitetet

29.07.2015 (komentet: 0)

 

 Njësia për Kulturë, Rini dhe Sport gjashtëmujorin e parë të këtij viti e ka kaluar me aktivitete të ndryshme dhe të shumta që kanë të bëjnë kryesisht me punën dhe përgjegjësinë, që vitin e kemi nisur me aktivitetet e “Flakës së Janarit 2015”, e cila i është kushtuar 70 vjetorit të masakrës së madhe të Gjilanit, për të vazhduar më pas me angazhime në kuadër të shënimit të datave të rëndësishme të Gjilanit dhe Kosovës.

 

Me këtë rast në një konferencë për media, Përgjegjësi i Njësisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Bujar Haziri, ka informuar mediat lidhur me punën që është bërë në këtë njësi.

“Kemi organizuar “Flakën e Janarit 2015”, në fillim të këtij gjashtë mujori, duke bërë që të kemi aktivitete të ngjeshura dhe dekoratat pikërisht për nderim dhe respekt nga presidentja Jahjaga dhe presidenti Nishani, për të gjithë të rënët në 70 vjetorin e masakrës së madhe të Gjilanit”, ka thënë Haziri.

Në sektorin e rinisë Haziri ka thënë se si njësi kanë ndihmuar aktivitete të ndryshme të rinisë.

“Kemi hy në marrëdhënie kontraktuale si me Këshillin e Veprimit Rinor, Lokal  ashtu edhe me qendrën rinore por edhe aktivitete të tjera të organizuara për rininë dhe aktivitetet rinore”, ka thënë Haziri.

Ai ka bërë të ditur se në sektorin e Trashëgimisë Kulturore – Muzeut janë duke u bërë renovime dhe krijim të kushteve që i përgjigjen më së miri interesit të promovimit profesional të artefakteve historike dhe kulturore që janë pronë e muzeut apo edhe artefakteve të tjera të evidentuara.

“Në funksion të krijimit të kushteve për trashëgiminë kulturore është duke u punuar edhe ura në fshatin Pogragjë, që e krijon lidhjen e drejtpërdrejtë me Kalanë e Pogragjës”, tha ai.

Haziri ka bërë të ditur se Biblioteka për gjashtëmujorin e parë është pasuruar edhe me 700 tituj të rinj duke mundësuar shërbime edhe më kualitative dhe më të zgjeruara për lexuesit e saj, që numri i tyre arrin në mbi dy mijë lexues të regjistruar për këtë periudhë me mbi 21 mijë libra të lexuara.

Në sektorin e sportit është dhënë mbështetje pothuajse në të gjitha disiplinat sportive, duke përfshirë Atletikë, Fudboll, Basketboll, hendboll, volejboll, karate etj.

“Edhe sportit i është dhënë mbështetje e madhe financiare. Kemi krijuar marrëdhënie kontraktuale me ekipet sportive për ti mbështetur aktivitetet sportive. Këtë vit dy ekipet e futbollit Drita dhe Gjilani janë në Super Ligë. Sikur që është bërë edhe mirëmbajtja e rregullt e stadiumit të qytetit, ndërsa për vitin e ardhshëm me zotimin e ministrit të kulturës, presim investime në infrastrukturë të këtij stadioni”, ka thënë Haziri në fjalën e tij duke garantuar angazhim maksimal.

Ai ka thënë se mbi 60 mijë euro janë dhënë për projekte të ndryshme në kulturë, rreth 8 mijë euro për rininë dhe mbi 60 mijë euro për sportin, ndërsa në pjesën tjetër të vitit do të vazhdojmë me mbështetje.

“Asnjëherë më parë nuk është dhënë mbështetje më e madhe për sportin se sa në këtë periudhë”, ka thënë Haziri. 

Ndërsa Ali Demi, drejtor i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, ka thënë se kjo shtëpi e madhe kulturore është përfshirë në fillim të vitit në shtyllën e “Talisë së Flakës”, angazhimet në shfaqjen “UFOT”, në regji të Erson Zymberit dhe raportet e ndryshme kanë treguar se Teatri i Gjilanit në 10 vitet e fundit është i pari në nivel vendi më numrin e shfaqjeve gjuhën shqipe, duke lënë prapa edhe Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Ai gjithashtu ka njoftuar se është bërë kërkesa në ministrinë për Kulturë dhe është dorëzuar edhe projekti për renovimin e Teatrit, ndërsa në vitin 2016 presim që mbështetja financiare të jetë edhe nga Ministria e Kulturës, ngase deri më tani është punuar me subvencione të Komunës së Gjilanit.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment