Haziri: Kryengritësit e mëdhenj duhet t`i vendosim aty ku e kanë vendin

15.06.2017 (komentet: 0)

 

Për nder të ditëve të çlirimit të Gjilanit, 12-qershorit, ditës së hyrjes së forcave ndërkombëtare si dhe 15-qershorit, ditës së hyrjes së forcave të UÇK-së, Kuvendi Komunal ka mbajtur të enjten një seancë solemne, ku kryetari Lutfi Haziri i ka uruar qytetarët për këto ditë bardha, duke thënë se çlirimi individual dhe kolektiv, ka qenë një ndjenjë e pa përshkruar për të gjithë ne.

 

Haziri ka thënë se këtë ditë ua atribuojmë luftëtarëve të gjallë, dëshmorëve, heronjve dhe të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e kësaj rezistence, përfshirë edhe bashkatdhetarët, që janë pjesë e pandashme e këtij procesi.

Duke u ndërlidh me zgjedhjet e nacionale, Haziri ka uruar kandidatët e komunës së Gjilanit, të cilët kanë fituar ulëse në Parlamentin e Kosovës, duke thënë se rezultati ka treguar një reagim qytetar.

“Natyrisht se në seanca të këtilla duhet të jemi të gjithë bashkë, siç ishim bashkë në zhvendosjen e shtatores së dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, të cilët janë roja më e mirë e lirisë që kemi”, ka nënvizuar ai.

Haziri ka thënë më tutje se do të vazhdojmë t`i nderojmë këtë vit Idriz Seferin, Ramiz Cërnicën, Mulla Idriz Gjilanin, Halim Oranën dhe të gjithë patriotët tjerë që kanë kontribuar për vendin, sikurse edhe Kadri Zekën e Abdullah Tahirin, me ndarjen e vendit dhe vendosjen e shtatoreve të tyre.  

“Gjilani ua ka pasur për borxh baballarëve të vetë dhe kryengritësve të mëdhenj të vendit, që t`i vendos aty ku e kanë vendin në histori”, ka thënë kryetari Haziri.          

Kreu i Gjilanit ka folur edhe punën e mirë që është bërë në sferën e banimit social, duke nënvizuar faktin se për skamnorë janë ndërtuar 43 shtëpi, ndërkohë që sivjet do të bëhen edhe 6 shtëpi të reja nga buxheti i Komunës dhe donatorët.

Sa i përket kontributit të bashkatdhetarëve, Haziri ka përmendur rastin e doktoreshës Sabina Haziri, e cila si mjeke e re në shtetin e Zvicrës, për spitalin e Gjilanit ka sjellë një sallë operacioni, që është fjala e fundit, duke e cilësuar gjestin e saj si shembullin më të mirë të një gjilanaseje të gjeneratës së re.

Për më tepër Haziri ka thënë se janë mijëra burra e gra në Evropë dhe kudo nëpër botë, sikur Sabina, që mendojnë, punojnë dhe angazhohen për vendlindjen e vet.

Haziri ka përmendur edhe emra të tjerë, që Gjilanin e kanë bërë krenar me punën, kontributin dhe sukseset e tyre, për çka janë nderuar e mirënjohje, si profesori Festim Shkodra, drejtori Fadil Shabani, mërgimtari Ilir Mustafa (pas vdekjes), Ramadan Hamiti (pas vdekjes), Gani Hajrullahu (pas vdekjes) dhe të tjerë, duke thënë se këta janë shembulli më i mirë se si duhet atdheu.  

Këtë vit, epiteti i punëtorit më të mirë i takon Riza Sylës (Qendra për Punë Sociale), i cili tërë jetën e vet ia ka kushtuar asistencës sociale, ka thënë Haziri, duke veçuar edhe persona të tjerë, të cilët gjilanasit i kanë bërë të ndihen mirë me sukseset e tyre.  

Me këtë rast, Kuvendi Komunal i ka shpallur “Nderi i Qytetit” disa prej sportistëve më të dalluar nëpër vite. Valentina Bunjaku Rexhepi, kryesuese e Kuvendit, ka thënë se epiteti “Qytetar Nderi” iu ndahet sportistëve Muharrem Sahiti, Agim Latifit, Ismet Hazirit, Flutura Ibrahimit.    

 

Kthehu mbrapa

Shto koment