Haziri: Komunën e kemi gjetur sikur një "shitore të thyer"

31.12.2014 (komentet: 0)

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe kryesuesja e Kuvendit te Komunës kanë mbajtur sot konferencën e fundit me media, për vitin 2014, në të cilën kanë përmbledhur punën e institucioneve lokale, vështirësitë dhe të arriturat.

 

Me këtë rast kryetari Haziri ka uruar të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit, me rastin e ndërrimit të moteve, me urimin që viti 2015 të jetë një vit i ri me shëndet, lumturi dhe gëzim për familjet e tyre, duke besuar që viti i ardhshëm të jetë vit më i begatshëm dhe me mundësi më të mëdha për të gjithë.

Ndërsa për punën njëvjeçare në qeverisjen e Gjilanit ai ka thënë se është kaluar një vit jashtëzakonisht të vështirë buxhetor me disiplinë të ashpër buxhetore dhe me shtrëngesa tjera që për efekt kanë pasur koston buxhetore.

“Ishte një vit shumë i vështirë në aspektin buxhetor. Kemi vendosur një disiplinë të ashpër buxhetore, një dietë dhe shtrëngesa të tjera që efektin kryesor e kanë pasur ruajtjen e parasë publike. Në vend të investimeve më të mëdha buxhetore ne është dashur të merremi me shlyerjen e borxheve dhe përmirësimin e gjendjes. Realisht Gjilani ka qenë një ‘shitore e thyer’ një vit më herët, më 24 dhjetor kur ne kemi ardhur. Në atë shitore të thyer ne është dashur menjëherë të riparojmë shumë. Është dashur të bëjmë inventarizimin e plotë, gjetjet e plota, me pa çka ka qenë e evidentuar si aset, cilat janë humbjet dhe problemet tjera”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka thënë se në përgjithësi objektivat janë arritur, duke investuar mbi tre milionë euro investime publike, kemi arritur të thyejmë kufijtë në Kornizën Buxhetore dhe shlyerje të borxheve.

“Objektivat tona në përgjithësi janë arritur. Vetëm në infrastrukturën publike në fusha të ndryshme për këtë vit, janë investuar më shumë se tre milionë euro. Gjithashtu kemi arritur me arsyeshmëri të thyejmë edhe kufijtë buxhetor dhe vitin e ardhshëm do të kemi 4.2 milionë euro më shumë, që do të na mundësoj investime më të mëdha në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe sektor të tjerë. Agjenda lokale zhvillimore do të rishikohet, do të përpunohet në përputhje me buxhetin e ri, sikur që presim fillimin e ndërtimit të autostradës Prishtinë, Gjilan, Dheu i Bardhë, i cili është korridori më i madh që e lidhë Gjilanin me Prishtinën, Kamenicën dhe daljen e ka në Dheun e Bardhë. Jemi të gëzuar që kemi arritur këtë objektiv, që kërkesën tonë dhe qytetarëve të Gjilanit me fut në program qeveritar. Roli i Komunave që preken nga projekti i autostradës është i veçantë, por natyrisht është sekondar”, tha Haziri.

Poashtu, Haziri ka bërë të ditur edhe projektin tjetër me rëndësi shumë të madhe e që është korridori Ferizaj – Viti – Gjilan – Dheu i Bardhë.

Një falënderim të veçantë kryetari Haziri u ka dhënë edhe medieve të pranishme për përcjelljen e vazhdueshme të ngjarjeve të Komunës së Gjilanit dhe sy i qytetarëve karshi institucioneve.

Ndërsa, krejt në fund Haziri ka ftuar që të festohet, sikur feston Gjilani në mënyrën e vet. Policia e shtetit dhe institucionet tjera të shtetit, këtë vit janë krenaria e Gjilanit për kushtet e krijuara të sigurisë, rolin e veçantë të gjykatës e që kemi fatin që Gjilani mbyllë këtë vit pa asnjë viktimë. Efikasiteti i gjykatave ka bërë që ne të kemi grumbullim të të hyrave komunale nga kategoria e gjobave.

Në të njëjtën kohë kryetari Haziri ka rikujtuar se Gjilani është në shënimin e 70 vjetorit të masakrës së Gjilanit dhe festa ka theksuar ai duhet të jetë e kontrolluar deri në atë mas, sa vërtetë të mos ketë probleme gjatë ndërrimit të motmoteve.

“Kujtojmë masakrën e madhe të Gjilanit që 70 vjet më parë kanë humbur jetën dhe janë zhdukur mijëra qytetarë. Andaj festa duhet të jetë e kontrolluar deri në atë mas sa të mos kemi lëndime. Ndërsa ata që janë kujdestarë si në sektorin e sigurisë, ashtu edhe në atë të shëndetësisë, ata janë një nder i yni i përbashkët për punën dhe rolin e madh që e kanë. Kështu që i ftoj qytetarët që t’i gëzohen ndërrimit të moteve por ta përkujtojnë 70 vjetorin  shumë të ftohtë në të cilin humbën jetën shumë qytetarë nga masakra e madhe kundër shqiptarëve”, ka thënë ai ndër të tjerash.

“Solidariteti ynë dhe dekorimi i Komunës së Gjilanit në emër të të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për liri dhe i tre nacionalistëve, ka bërë që Gjilanit t’i bëhen dy çmime jashtëzakonisht të mëdha siq është çmimi i Këshillit të Evropës që është marrë më herët dhe dekorata e lirisë që është dhënë nga presidentja këtë vit”, ka përfunduar kryetari Haziri.

Ndërsa kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Valentina Bunjaku – Rexhepi, ka paraqitur shkurtimisht punën e Kuvendit.

“Për këtë vit kemi mbajtur 13 seanca të rregullta, 3 komemorative, 3 solemne dhe një të jashtëzakonshme. Kuvendi Komunal në Gjilan ka arritur që të nxjerr shumë akte dhe vendime të rëndësishme. Si vendim me shumë rëndësi është nxjerrja e vendimit për ndarjen e 100 mijë eurove për familjet me gjendje të rëndë ekonomiko – sociale dhe miratimin e statutit të Komunës me shumicë absolute të votave që i është lehtësuar ekzekutivit një punë me efikase dhe e shpejtë. Bashkëpunimi me opozitën është shumë i mirë dhe në interes të qytetarëve të Gjilanit”, tha kryesuesja Bunjaku Rexhepi, duke i uruar qytetarët e Gjilanit për ndërrimin e moteve në emër të Kuvendit dhe këshilltarëve komunal./kokaj.net/

Kthehu mbrapa

Shto koment