Haziri: Komuna e Gjilanit i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor

28.08.2015 (komentet: 0)

Nën udhëheqjen e kryetarit Lutfi Haziri, është mbajtur sot Bordi i drejtorëve i Komunës së Gjilanit, në të cilin janë diskutuar çështje tejet të rëndësishme.

 

Pikë qendrore e kësaj mbledhje ka qenë tema për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, sikurse që është diskutuar për qarkoren e dytë buxhetore.

Kryetari Lutfi Haziri, pasi ka dëgjuar raportimin e  të gjithë drejtorëve, ka thënë të jetë tejet i kënaqur me përgatitjet që i ka bërë Drejtoria e Arsimit për fillimin sa më të mbarë të vitit të ri shkollor 2015-2016, ku janë bërë renovime në shumë shkolla, në mënyrë që të jetë një proces i mirë mësimor.

Në takimin e sotëm u tha se është gjithçka gati për mbajtjen e testit të afatit të dytë të Maturës Shtetërore, ku testit do t’i nënshtrohen 1072 nxënës.

Kryetari Haziri pohoi se e ka emëruar Komisionin Komunal për Buxhetin lidhur me planifikimin për buxhetin, duke theksuar se tash duhet të hyjmë në ofenzivë për ta përmirësuar buxhetin, që të ketë rritje në kategorinë e investimeve dhe subvencioneve.

Në takim është diskutuar edhe për dezinfektimin e shkollave të Gjilanit, për ndërtimin e objektit të ri të QKMF-së, për projektin për renovimin e shtëpive për rastet sociale, për vazhdimin e projekteve infrastrukturore, sikurse edhe për modernizimin e Tregut të Gjelbërt.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment