Haziri: Kolegji “Don Bosko”, shembull i mirë i shkollës brenda dhe jashtë vendit

02.10.2014 (komentet: 0)

 

Në vitin jubilar të 200 vjetorit të lindjes së Don Boskos, njeriu i cili jetën dhe veprimtarinë e tij e kishte jashtëzakonisht modeste, ndërsa sot në botë janë 2360 qendra që mbajnë emrin e tij “Donë Boskos” në 135 shtete të ndryshme e që karakteristikë kishte besimin se asgjë nuk mund të bëhet vet, por me bashkëpunim të ndërsjellë dhe në grup.

 

Me këtë rast, Dominik Qerimi, udhëheqës i qendrës “Don Bosko” në Gjilan,  ka thënë se kolegji në Gjilan ka deri më tani të regjistruar 52 nxënës me një kuadër profesional të përgatitur mirë dhe me synim zhvillimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit, por edhe përgatitjen e kuadrove të reja të cilat janë të gatshme të konkurrojnë kudo edhe jashtë vendit. Ai ka thënë se kriteret e kolegjit janë të atilla që çdo vend në botë i beson profesionalizmit i cili del nga kjo shkollë.

Ndërsa kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo është një shkollë moderne dhe model për të gjitha shkollat brenda Gjilanit por edhe jashtë Kosovës.

“Është shkollë model për të gjitha shkollat në Kosovë dhe më gjerë. Ka staf të përgatitur, edukim të nivelit të lartë për nxënësit. Mundësi e barabartë për të gjithë që të marrin dije këtu. Të rinjtë tanë të cilët dalin nga kjo shkollë janë konkurrent në tregun përtej kufijve. Është shkollë që karakterizohet me hapësirën e Teatrit, me hapësira të mjaftueshme për aktivitete, me digjitalizim dhe me aktivitete të tjera në shërbim të avancimit. Këtu në këtë teatër të këtij kolegji kemi tri figura të rëndësishme, kemi Skënderbeun, kontribut të madh çështjen kombëtare për liri, bashkim dhe shtetndërtim, kemi Nënë Terezën, humaniste dhe e përkushtuar për të ndihmuar njerëzit anë e mbanë botës dhe poashtu kemi edhe figurën e “Don Boskos”, i cili ka dhënë një kontribut shumë të madh në aspektin e edukimit”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Haziri.

Ndërsa rektori i të gjitha qendrave të “Don Boskos” nëpër botë Angel Fernandez Artime, ka thënë se këtu për këto dy ditë të qëndrimit në Shqipëri dhe Kosovë ka parë një popullsi të re, me energji pozitive dhe shqiptarët i ka quajtur njerëz të artit, punës dhe të gëzimit.

“Jeni popull artistësh. Jam i kënaqur që gjendem këtu në qytetin tuaj dhe po shohë zhvillime pozitive. Unë e ndjej thellë suksesin e ecjes së bashku përpara. Të gjithë jemi bashkë, nxënësit, prindërit, mësimdhënësit por edhe udhëheqësit e institucioneve lokale. Ai ka porositur me këtë rast edukatorët dhe nxënësit se asgjë nuk mund të arrihet në mënyrë të vetme, por gjithmonë duhet të punojmë bashkërisht që të kemi një të ardhme të mirë, ndërsa prindërve u ka kërkuar që ti orientojnë fëmijët drejtë suksesit, duke i falënderuar ata për besimin që kanë në kolegjin “Don Bosko”.

Kthehu mbrapa

Shto koment