Haziri: Jam i gatshëm të përpjesëtojë vendimmarrjen me opozitën

26.03.2015 (komentet: 0)

 

Komuna e Gjilanit është e gatshme të themelojë Komitete Konsultative, si nevojë për rritjen e mundësive për pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje, kanë thënë të enjten, Lutfi Haziri, kryetar i Komunës dhe Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, në një takim të organizuar nga OSBE-ja.   

 

Pas një diskutimi të gjerë, ku pos zyrtarëve të OSBE-së, Afrim Nysreti e Basri Ymeri, janë përfshirë me mendimet e tyre edhe përfaqësues të subjekteve politike, pjesëmarrëse në asamble komunale si dhe shoqëria civile, Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka thënë se për momentin, duhet t`i jepet përparësi themelimit të një Komiteti për banim social, si nevojë emergjente për adresimin dhe trajtimin sa më efikas të këtyre problemeve.

Haziri ka thënë se i mbetet Kuvendit Komunal që në procedurat e mëtejmë t`i jap drejtimin e duhur themelimit të kësaj trupe konsultative, në përputhje me Udhëzimin Administrativ si dhe Statutin e Komunës, duke bërë edhe një rishikim të Komiteteve jo obligative, nëse është e nevojshme.

Në lidhje me Komitetet ekzistuese, obligative dhe jo obligative, ku shoqëria civile pati vërejtje sa i përket kryesimit të këtyre trupave, Haziri tha se është plotësisht i gatshëm të përpjesëtojë me opozitën vendimmarrjen, sipas formulës ekzistuese në Kosovë.

Përndryshe, Haziri ka thënë se qëllim i tij është fuqizimi i rolit të Kuvendit Komunal, që ka 35 anëtarë, për të larguar çdo tendencë për instrumentalizimin e fuqisë në një autoritet të vetëm. “Ideja ime është që edhe komitetet të depolitizohen”, ka thënë Haziri.       

Ndërkaq, Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, tha se komitetet bëjnë një punë të mirë, në dobi të funksionimit dhe vendimmarrjes sa më efikase të asamblesë komunale.

Kurse sa i përket kryesimit të komiteteve, ajo ka thënë se opozita nuk ka dashur vetë të marrë përgjegjësi drejtuese, por u shpreh e gatshme për të bërë një riorganizim të këtyre trupave komunale, nëse është e nevojshme.

Sa i përket themelimit të komiteteve konsultative, ajo tha se i takon kryetarit të Komunës të vendos nëse ka nevojë për të mbuluar një sektor të caktuar me një trupë ekspertësh. Kuvendi do ta bëjë punën e vetë, duke e proceduar kërkesë për vendimmarrje, ka thënë ajo.

          

 

Kthehu mbrapa

Shto koment