Haziri: Ja arsyet pse ndryshimet në Statutin e Komunës janë në dobi të qytetarëve

06.11.2014 (komentet: 0)

 

Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka thënë se ndryshimet në statutin e Komunës do të jenë shumë të dobishme për funksionalizimin e resorëve përkatës dhe kjo përkthehet me shërbime më të mira për qytetarët. Ja fjala e plotë e kryetarit Haziri:

 

“Ndryshimet në dokumentin më të lartë të Komunës, Statutin ose Kushtetutën e Komunës do të jenë shumë të dobishme për funksionalizimin e resorëve përkatës, që përkthehet në shërbime më të mira për qytetarët. Sa i përket Drejtorisë së Inspeksionit janë disa arsyeje. Është bërë vlerësimi i punës në këtë nëntëmujor, është parë performanca nga afër e këtij resori. Kemi dashur ta largojmë nga koncentrimi në një autoritet, në një drejtor dhe ta bartim inspeksionin sipas detyrave në tri drejtori. Inspektorët e urbanizmit do të shkojnë në Drejtorinë e Urbanizimit, inspektorët e shërbimeve në drejtorinë përkatëse, e një pjesë në Drejtorinë e Shëndetësisë. Te kultura, është arsye krejt tjetër. Nuk është në përputhje emërimi i Drejtorisë në funksionin që është paraparë. Kultura duhet të ndahet nga sporti dhe rinia dhe të ndahet nga varshmëria politike sepse subvencionet që janë dhënë sivjet vetëm për 9 muaj, janë më shumë se për tërë vitin e kaluar. Po shkojnë shumë mjete buxhetore në subvencione të drejtpërdrejta të kontrolluara nga ne si zyre. Ndarja e buxhetit të qartë për një kategori, p.sh. për rininë në janar do të dihet sa mjete harxhon për një vit, jo në cdo muaj të varen nga ndarja subvencioneve për ta. Ata vetë do të merren me menaxhim të buxhetit në mënyrë të drejtpërdrejt. Në këtë mënyrë, unë dua të heq dorë nga vendimmarrja e drejtpërdrejt. Me ndryshimet statutare, nuk ka më shumë zyra, por ka bashkim zyrash sepse ka zyre që ka shef e nuk ka punëtor, ka shef sektori që nuk ka punëtor, nuk e ka asnjë njeri në zyre. Nga kjo del se nuk duam që të bëjmë shumë shefa e shumë zyre, e punët askund hiç, pa i dhënë përgjegjësi askujt, por të bëhet një zyre dhe zyrtarët t’i japin përgjegjësi një titullari. Duhet të ndërtojmë hierarki të organizimit në mënyrë që secili ta dijë detyrën e tij”, ka thënë kryetari Haziri në arsyetimin e tij në Kuvend lidhur me ndryshimet statutare.

Kthehu mbrapa

Shto koment