Haziri: Gjilani, për 15 vjet nuk i ka pasur 26 milionë investime në infrastrukturë

13.06.2016 (komentet: 0)

Nën organizimin e klubit të gazetarëve “Beqir Musliu”, është mbajtur sot debati me temën ”Çfarë pritet të përfitojë nga projektet infrastrukturore Gjilani në vitin 2016”, ku panelist ka qenë kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, përfaqësues nga shoqëria civile dhe kryetarët e këshillave të fshatrave.

 

 

Haziri ka thënë se sivjet veç kanë nisur projektet e mëdha, e që kapin shumë e 26.5 milionë euro investime në infrastrukturë, kryesisht nëntokësore.

“Këto investime Gjilani nuk i ka pasur për 15 vjet”, ka thënë Haziri para të pranishmëve.

 

Duke folur për ndërtimin e hyrje-daljeve të qytetit, kreu i gjilanasve ka pohuar se kjo do të jetë një zgjidhje shumë e mirë për qytetarët, duke parandaluar edhe kolonat e mëdha në trafik, por në të njejtën kohë, tha se po bëhen sipas standardeve të larta.

 

“Programi i rrugës Gjilan-Bujanoc tashmë është duke u realizuar dhe do të ndërtohet deri tek “Drini”, pra me buxhet komunal. Ndërkaq, dy rrugët tjera, ajo Gjilan-Prishtinë (nga kanali e deri tek penda e Livoqit) dhe Gjilan-Livoq i Ulët-Cërnicë Kllokot (prej rrethit në qytet) do të ndërtohen me buxhet të Ministrisë së Infrastrukturës dhe BERZH-i”, u shpreh Haziri.

Haziri tha se gjatë viteve 2015-2016 janë realizuar projekte të mëdha infrastrukturore në qytet dhe fshatra, duke përfshirë kanalizimet, ujësjellësin, ndërtimin e rrugëve të reja, hapje të rrugëve, rrugët e arave etj.

 

“Gypi kryesor i cili vije nga penda e Përpepnicës dhe kalon nëpër qytet, është i asbestit dhe është i ndaluar që të përdoret për shkak se është konstatuar se është kancerogjen. Pjesën më të madhe të këtij gypi e kemi ndërruar”, ka thënë Haziri.

 

Ai tha se vetëm programi i rehabilimit të rrjetit të ujit të pijshëm dhe ndërtimi të rrjetit sipas kërkesave të qytetarëve, kap vlerën e 3.6 milionë franga zvicerane, duke shtuar se donatorë për këtë është qeveria e Zvcirës në bashkëpunim me Komunën.

 

Ndërkaq, sa i përket kanalizimeve, i pari i Gjilani ka theksuar se Komuna e ka siguruar buxhetin nga Qeveria e Austrisë dhe pas nënshkrimit me qeverinë e Kosovës, i cili pritet të ndodhë shumë shpejt, do të implementohet.

 

“Veç ky program kap koston e 12 milionë euro dhe donator është qeveria e Austrisë. Me anë të këtij programi, parashihet që të përfundohet shtrati i “Mirushës”, “Stanishorkës” dhe ndërtimi i kanalizimimeve në zonën urbane dhe në fshatra. Këto investime parashihen të ndodhin gjatë tri viteve të ardhshme”, ka deklaruar në debatin e të hënës, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

 

Po ashtu, Haziri ka paralajmëruar se këtyre ditëve do gjelbërohet pjesa te ish-ekzekutivi, pastaj tek “Atik” xhamia, tek lapidari i Reshat Ymeri në 7 korrik, sikurse edhe tek “Stahat kulla” dhe në lagjen “Arbëria”.

 

Kryetari Haziri theksoi se është duke punuar sa i përket hapjes së dy vendkalimeve kufitare në Dobrosin, Ranatoc dhe Stanqiq.

 

Ne debatin e sotëm ka kontribuar me pyetje, ide e rekomandime edhe Demir Krasniqi, Hekuran Aliu nga KCIS, Sheban Terziu sikurse edhe kryetarët e këshillave të fshatrave.

 

Për fund, kryetari Haziri tha se gjatë muajit gusht, bashkë me ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharkun, do ta organizoj edhe një debat në Gjilan lidhur me projektin detaj të Autostradës Gjilan-Prishtinë, sikurse edhe rrugët tjera të rëndësishme të cilat marrin buxhet të lartë, siç është ajo e Pogragjës dhe e “Rruga e Kumanovës”.​

Kthehu mbrapa

Shto koment