Haziri: Gjilani krenar me nxënësit shkollën fillore “Nazim Hikmet” në Dobërçan

03.04.2014 (komentet: 0)

Arsye e vizitës së kryetarit të Komunës së Gjilanit, z.Lutfi Haziri, në Shkollën Fillore “Nazim Hikmet” në Dobërçan, ishte suksesi i nxënësve të kësaj shkolle që kanë zënë vendin e parë në kuizin e organizuar nga Kolegji Turk “Mehmet Akif” me seli në Lipjan.

 

Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit, Haziri ka thënë se suksesi i nxënësve të kësaj shkolle është krenari jo vetëm për shkollën, familjen dhe fshatin por edhe për Komunën dhe mua si kryetar.

“Kjo shkollë përherë ka nxjerrë nxënës të suksesshëm që më vonë janë bërë kuadro të vyeshme për shoqërinë, përherë ka qenë në nivel të detyrës, porse kësaj radhe na ka sjellë një krenari jo vetëm për nxënësit, arsimtarët, familjet dhe fshatin, por edhe për Komunën si institucion dhe mua si kryetar. Jam shumë krenar që në një kuis të diturisë të organizuar nga kolegji Turk që është me renome në ndërkombëtare nxënësit tanë kanë dhënë shembullin e duhur jo vetëm për shkollat tjera të Gjilanit por edhe të gjithë Kosovës”, ka thënë kryetari Haziri.

“Modelin tuaj të suksesit duhet ta marrin të gjitha shkollat e Komunës sonë, por edhe shkollat e gjithë Kosovës. Jeni një shembull i lartë i suksesit”.

Ai poashtu është zotuar për mbështetje të këtyre nxënësve dhe të shkollës në përgjithësi.

“Në emër të Komunës së Gjilanit do të ndaj një çmim të veçantë për këta nxënës. Personalisht do të angazhohem që këta nxënës ti nxjerr edhe në konkurrencën ndërkombëtare, sepse këta i kanë mundësit, kanë vullnetin dhe mund të tregojnë sukseset e tyre edhe në konkurrencën jashtë vendit. Suksesi i tyre nuk është i rastësishëm, por është sukses i përkushtimit për punë të vazhdueshme si nga ana e nxënësve ashtu edhe nga ana e arsimtarëve dhe mbështetjes së drejtorit të shkollës”, ka spikatur Haziri ndër të tjerash, duke u dhënë atyre por edhe shkollës mbështetjen maksimale të tij.

Ndërsa në emër të shkollës drejtori Fadil Shabani, ka shfaqur sukseset e nxënësve dhe zotimin për punë edhe më të madhe me nxënësit dhe mbështetje për çdo nismë dhe aktivitet të tyre.

“Ndjehem shumë i nderuar që për herë të parë një kryetar Komune viziton shkollën tonë. Sukseset e nxënësve tanë janë të meritueshme. Puna e tyre ka qenë permanente që ne sot të kemi këtë krenari të madhe si shkollë. Nxënësit tanë përherë kanë qenë një model i mirë. Përherë punojmë të jemi kreativ dhe me ide të reja. Organizojmë kuis diturie edhe brenda konkurrimit shkollor, Dobërçan, Bukovik dhe Petroc”, ka njoftuar ai.

Fituesja e vendit të parë, nxënësja Elira Kryeziu, ka prezantuar idenë dhe qëllimin që ka ajo për të ardhmen.

“Ndjehem e nderuar që këtë sukses së pari e kam sjellë në familjen time, pastaj në shkollë dhe shumë e nderuar që këtë sukses e kamë bërë edhe në emër të Komunës së Gjilanit. Do të vazhdoj më tutje dhe assesi nuk do të ndalem me kaq. Shkolla jonë ka shumë nxënës të talentuar, kemi mundësi dhe kapacitete dhe bashkërisht mund të korrim suksese të tjera. Qëllimi ynë nuk është vetëm pjesëmarrje në kuzet brenda shtetit por edhe angazhimin në gara ndërkombëtare të diturisë. Jemi të bindur se mund të konkurrojmë edhe karshi shteteve të tjera”, ka thënë ajo ndër të tjerash.

Ndryshe Elira Kryeziu ka zënë vendin e parë në këtë garë, vendin e dytë Shefqet Salihu, vendin e tretë Edlira Miftari, vendin e katërt Arbana Haliti dhe vendin e pestë Leonard Kastrati, që në total e përgjithshëm mbi 50 % të medaljeve ka rrëmbyer kjo shkollë.

Kthehu mbrapa

Shto koment