Haziri: Gjilani është shembulli më i mirë i bashkëpunimit me komunitete

26.03.2015 (komentet: 0)

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka pritur të enjten në zyrën e tij, shefin e Misionit të UNHCR-së në Kosovë, Narasimha Rao, me të cilin ka biseduar rreth kthimit të romëve, të cilët jetojnë në Maqedoni, si familje të zhvendosura.

 

Haziri ka ofruar bashkëpunimin e plotë të Komunës së Gjilanit në procesin e riatdhesimit të familjeve rome, të cilat kanë jetuar në Gjilan, para luftës dhe njëherësh është shprehur i gatshëm që të përfshihet personalisht edhe në programin e vizitës në Maqedoni, ku aktualisht jetojnë pjesëtarë të këtij komuniteti, për të inkurajuar kthimin e tyre.

Ai ka thënë se Komuna do të bëjë atë që është e mundur brenda kapaciteteve të saj, për të krijuar kushtet e nevojshme për kthimin dhe ri-integrimin e romëve.   

Përndryshe, Komuna e Gjilanit ka krijuar raporte të mira ndëretnike dhe këtu, komunitetet prej kohësh nuk kanë ankesa që lidhen me sigurinë e tyre ose lëvizjen e lirë.

Komunitetet si pjesë e shoqërisë në Gjilan, janë të përfaqësuar në Kuvend Komunal, ose nëpër trupat e tij, siç është Komiteti për Komunitete, për t`i përfaqësuar interesat e të gjithë qytetarëve në vendimmarrje, ka thënë Haziri.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment