Haziri emëron drejtorët në Komunën e Gjilanit

22.02.2014 (komentet: 0)

Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka bërë sot publike emrat e drejtorëve që do të udhëheqin sektorët e rëndësishëm në Komunën e Gjilanit. Po e sjellim të plotë fjalën e kryetarit Haziri me rastin e publikimit të emrave të drejtorëve:



“Sot po i paraqes emërimet e reja në administratën komunale apo mund të themi që sot përmbyllet pjesa e tranzicionit të pushtetit sipas rezultatit zgjedhor të datës 24 dhjetor, në ditën kur ne e kemi marrë angazhimin publik dhe politik për të qeverisur me institucionet komunale të Gjilanit. Trasnzicioni prej datës 24 dhjetor nuk ka qenë i lehtë, por kam punuar me kapacitete të shërbyesve civil, me shërbyesit më të vjetër civil, që kanë qenë të lidhur ngusht profesionalisht me sektorët dhe tashmë janë pjekur të gjitha kushtet të pas një realizimi të një partneriteti me qytetarë dhe ndërtimit të koalicioneve politike, ta përmbyllim edhe pjesën kryesore të të emëruarve nëpër sektorë.

Të gjithë këta që po i shihni janë këshilltarë të mi, do të jenë drejtorë për stafin brenda sektorëve për të punuar, për të vendosur prioritete dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve, ndërsa karshi qytetarit do të jenë shërbyesit e përditshëm, që për 24 orë e shtatë ditë do të punojnë për realizimin e kërkesave për qytetarët e komunës sonë.

Jam i nderuar që edhe pas konsultimit me nënkryetarin, kryesuesin, me subjektet politike dhe me gjithë ata që janë pjesë e këtij procesi fitues politik në Gjilan, të konstatoj që ekipi  i parë që do të merr përgjegjësi e ka këtë përbërje:

-    Rexhep Kadriu – nënkryetar i Komunës;
-    Nazmi Musa – drejtor për Arsim, i cili është emëruar më herët,
-    Labinotë Demi-Murtezi, - drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, e cila poashtu e ka marrë përgjegjësinë më herët;
-    Ismajl Januzi – drejtor për Zhvillim Ekonomik – emër i ri në strukturë, inxhinier i makinerisë, i cili vie nga sektori i ekonomisë private dhe besojmë shumë që do t’i jep dinamizim dhe impute të reja zhvillimit ekonomik;
-    Ramiz Ramadani – drejtor për Bujqësi – është inxhinier i diplomuar i Bujqësisë, ka qenë njëri prej udhëheqësve edhe më herët në këtë sektor. Është njëri prej autoriteteve që ka përvojën, angazhimin dhe përgatitjen e duhur që sektorin e dytë më të madh në komunën e Gjilanit ta udhëheq më parametra dhe kushte që ne të gjithë besojmë;
-    Salih Kqiku – drejtor për Buxhet dhe Financa – ka qenë njëri prej shërbyesve civil brenda drejtorisë dhe që prej pasluftës ka punuar në sektorë të ndryshëm dhe janë pjekur kushtet që të marrë përgjegjësinë në këtë sektor;
-    Sokol Haziri - Drejtor për Shërbimeve Publike – ka qenë njëri prej këshilltarëve të zgjedhur në disa mandate në Kuvendin Komunal, është autoritet i cili e ka përvojën e duhur që të organizojë dhe menaxhoj politikat në shërbimet publike;
-    Nazim Gagica – drejtor i Administratës së Përgjithshme – është jurist dhe e ka sfidën e parë në administratë. Besoj shumë që do të jetë njëri nga autoritetet që do të punoj shumë në shërbimet e administratës;
-    Valon Shefkiu – drejtor për Urbanizëm -  është inxhinier i ndërtimtarisë, ka punuar në shërbimin civil që nga paslufta dhe është njëri prej përfaqësuesve profesional që mund t’i jap ndikim pozitiv urbanizimit të qytetit dhe zbatimit të planeve urbane, duke pasur përvojën e mëhershme edhe nga  drejtoritë tjera që ka punuar, qoftë si udhëheqës sektori apo edhe pozita tjera menagjuese;
-    Sadudin Berisha -  drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi – është jurist, është autoriteti që e ka përvojën e duhur profesionale, ka qenë deputet i Republikës në disa mandate dhe besojmë që roli i tij në këtë sektor të madh siç është kadastri, gjeodezia , prona dhe shërbimet tjera, do të jetë në interes të zhvillimit të Komunës sonë;
-    Selver Xhelili – drejtor i Inspeksionit – inxhinier i ndërtimtarisë, nuk është sfida e tij e parë, do ta ketë besimin tonë në mënyrë që këtë sektor ta organizoj sipas ligjit;
-    Halit Rexhepi - drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim – është jurist,  ka qenë zyrtar i lartë për situata emergjente dhe është njëri prej autoriteteve që ne ia kemi besuar që në këtë fazë ta udhëheq këtë drejtori.

Ndërsa, drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport është e vetmja drejtori, për të cilën unë do të vazhdoj konsultimet me komunitetin kulturor apo sportiv. Nuk ka të bëjë vetëm me një premtim, por ka të bëjë me një angazhim konkret në mënyrë që sektori i Kulturës të ndahet nga rinia dhe sporti dhe jemi të interesuar që ta gjejmë një autoritet i cili ka mundësi ta udhëheq procesin e dekoncentrimit të kulturës nga varshmëria e madhe në Komunë dhe natyrisht ne planifikojmë që këta sektorë të kenë organizimin e veçantë dhe buxhetimin e vaçantë. Deri atëherë, ne besojmë që do të arrijmë t’i menaxhojmë në këto kapacitete edhe pse kultura ka nevojë urgjente që të ketë të emëruar të rijnë dhe njerëz që e marrin përgjegjësinë për ta çuar përpara zhvillimin kulturor dhe zhvillimin e politikave të sportit dhe të rinisë.

Në kuadër të emërimeve të mëdha, ju njoftoj që dje e kam emëruar Arbër Ismajlin për shef të Kabinetit sipas udhëzimit administrativ të Ministrisë së Pushtetit Lokal, e cila vie në bazë të ligjit për qeverisje lokale.

Poashtu, do ta emëroj një këshilltar të lartë, i cili do të merret me grante, projekte dhe politika të investimeve, i cili do të jetë në kuadër të zyrës sime por që do ta ndihmojë organizimin dhe planifikimin e drejt  në mënyrë që grantetet, investimet dhe donacionet e mëdha të mund t’i thithim, t’i marrim, të aplikojmë. Mund kërkojmë të jetë në kuadër të kësaj zyre, i cili do të jetë relevant për nga pesha me një rol jashtëzakonisht të fuqishëm koordinues mes sektorëve dhe Zyrës së Kryetarit, nënkryetarit dhe kryesueses së Kuvendit. Quhet këshilltar ekzekutiv, por i cili do të merret me koordinimin e këtyre aktiviteteve”.

Kthehu mbrapa

Shto koment