Haziri: Ekspozita për demonstratat e viteve 90-ta dëshmon rëndësinë e madhe të ruajtjes së memories kombëtare

23.03.2015 (komentet: 0)

Displaying ekspozite2.JPG

Nën organizimin e përbashkët të Komunës së Gjilanit dhe Arkivit Ndërkomunal, është hapur sot ekspozita me fotografi e dokumente në 26-vjetorin e demonstratave në mbrojtje të Kushtetutës së Kosovës, në të cilin aktivitet ka marrë pjesë kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, drejtori i arkivit, Nazmi Muji, kryeshefi i ASHAK-së, Ramë Manaj, dhe përfaqësues nga jeta politike e kulturore.

 

Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është shprehur se kjo ekspozitë dëshmon rëndësinë e madhe të ruajtjes së memories kombëtare.

“Sot po e hapim ekspozitën në kuadër të 26-vjetorit të demonstratave të mëdha, të lëvizjeve të mëdha politike për të drejta politike nacionale në viteve 89-90. Kjo ekspozitë dëshmon rëndësinë e madhe të ruajtjes së memories kombëtare që duhet ta kemi dhe për këtë po kujdeset arkivi i shtetit. Kjo ekspozitë na e ka kthyer sërish krenarinë të gjithë neve, dinjitetin sepse ne mesin tonë këtu ka pjesëmarrës, organizatorë, të izoluar të asaj kohe etj., të cilët kanë dalë në rrugë dhe kanë bërë thirrje për liri”, ka deklaruar kryetari Haziri.

Në ballë të kësaj ekspozite janë tre dëshmorë të mëdhenj të Gjilanit: Agim Rashiti, Reshat Ymeri dhe Enver Ramadani dhe kryetari Haziri vlerësoi se ata në moshën e vet të rinisë u bënë heronj dhe me gjakun e tyre njomën kërkesën politike për liri dhe për pavarësi.

“26 vjet më herë nuk ka mundur të jetë ndryshe pos ecja e njëjtë në thirrjen e baballarëve tanë dhe kryengritësve tanë, të cilët kanë qenë krenaria jonë. Derdhja e gjakut të Agimit, Reshatit dhe Enverit ka qenë sakrificë e njejtë në rrugën që e kemi nisur dhe rrugën që duhet të vazhdojmë bashkërisht”, ka shtuar Haziri.

Kreu i Gjilanit paralajmëroi se bashkërisht do të arrijmë që edhe në të ardhmen të zbardhim momente e data historike të ruajtur në arkivin tonë në mënyrë që të mos harrojmë çka kemi përjetuar, kah kemi ecur dhe ku kemi mbërrirë për realizimin e objektivave tona të përbashkëta.

Nga ana e tij, drejtori i Arkivit Ndërkomunal të Gjilanit, Nazmi Muji, tha se ky institucion në kuadër të punës së tij në gjetjen, pranimin, rregullimin, ruajtjen dhe publikimin e lëndës arkivore, këtë vit, me përkrahjen e Komunës së Gjilanit ka përgatitur këtë ekspozitë me fotografi e dokumente për ngjarjet e rëndësishme të fund-viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, që kanë ndodhur në Kosovë dhe veçmas në Gjilan.

“Për përgatitjen e kësaj ekspozite janë përdorur vetëm fotot dhe dokumentet që i kemi pasur në dispozicion dhe ato që kemi mundur t’i sigurojmë gjatë hulumtimeve dhe ndoshta nuk kanë mundur të përmbledhen të gjitha ngjarjet e kësaj periudhe, por në të ardhmen me organizimet e ndryshme nga arkivi do të publikohen dokumente dhe fotografi që gjenden më vonë”, ka potencuar Muji.

Kryeshefi i ASHAK-së, Ramë Manaj, se demonstrata e vitit 89-90 janë një episod shumë i rëndësishëm i zhvillimeve, përpjekjeve dhe sakrificave të shumta të populli tonë për liri dhe se gjeneratat e gjalla duhet t’i shpalosin këto dokumente për të mos u harruar.

“Nëse ata që ishin aktorë të këtyre ngjarjeve i kanë meritat më të mëdha, ne të tjerët pas tyre e kemi  t’i ruajmë t’i shpalosim e t’i evokojmë, sepse po nuk e bëmë këtë rreziku i harresës është gjithmonë”, ka thënë Manaj.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment