Haziri: E kemi rritur buxhetin për vitin 2015 për 4.2 milionë euro

18.12.2014 (komentet: 0)

 

Gjilan, 18 dhjetor / Kryetari i Komunës së Gjilanit në një konferencë për media, ka elaboruar një vit qeverisje me probleme të shumta buxhetore, për shkak të borxheve të mëdha të trashëguara, sikurse që një gjë e tillë ka thënë ai do të determinoj edhe punën me pengesa të mëdha gjatë të ardhmes.

 

Me këtë rast ai në fjalën e tij ka thënë se viti që po lëmë pas ishte me sfida shumë të mëdha dhe me një disiplinë të ashpër buxhetore. 

“Kemi kaluar një vit jashtëzakonisht sfidues, një vit i cili për shkak të rrethanave dhe gjetjeve detyrimisht Gjilanin e ka orientuar drejt një disipline të ashpër buxhetore, duke mos lejuar në asnjë mënyrë asnjë lloj shpenzimi për shkak të karakterit të menaxhimit të buxhetit si qeverisje e cila ka ardhur me 24 dhjetor të vitit të kaluar. Vetëm pak ditë para se të bëhen një vit në qeverisje ne po punojmë që t’i realizojmë objektivat tona të planifikuara. Ajo që kemi punuar gjatë këtij viti është se ne kemi zbardhë tabelorin buxhetor duke kryer të gjitha obligimet ndaj operatorëve që kapin një shumë jashtëzakonisht të konsiderueshme të mjeteve buxhetore”, ka thënë kryetari Haziri.

“2 milionë euro obligime të drejtpërdrejta ndaj operatorëve dhe shumë obligime të tjera të kontraktuara ka bërë që ne vërtetë ta menaxhojmë në mënyrën më të mirë dhe plani ynë është realizuar sa i përket këtij raporti”, tha ai.

“Kemi arritur që të kemi të hyra të qëndrueshme komunale. Kemi rritur besimin në të hyrat jo vetëm komunale por edhe të hyrat në ndërmarrjet komunale tregon qartë që qytetarët e Komunës së Gjilanit karshi kërkesës sonë dhe angazhimit tonë e kanë rritur besimin duke u sjellë me kulturën e tatim paguesit të rregullt. Ajo që më tutje mbetet obligim është inkasimi i borxheve nga e kaluara, i qytetarëve të cilët kanë ndaj Komunës së Gjilanit”, ka thënë ai duke apeluar që të shfrytëzohen edhe këto 12 ditë të këtij viti, që të kryhen të gjitha obligimet.

“Apeli im ka të bëjë me të gjitha kategoritë që kanë borxhe ndaj tatimit në pronë, ndaj taksave komunale, qirave komunale dhe obligimeve të tjera. Nga janari e tutje karshi borxheve të qytetarëve ndaj Komunës së Gjilanit toleranca do të jetë zerro. Nuk ka borxhe të shkallëzuara, nuk ka tolerancë ndaj operatorëve, dhe ndaj askujt i cili ndaj komunës ka apo do të ketë obligime”, tha kryetari Haziri.

“I lus të gjitha ata të cilët kanë mundësi, që ti bëjnë pagesat e borxheve sepse nga 15 janari e tutje nuk do të ketë tolerancë, do të ketë angazhime konkrete të zyrave që i përfshinë edhe përmbaruesit në grumbullimin apo inkasimin e mjeteve buxhetore”, tha ai me këtë rast duke shtuar se  është dëshmuar qeverisje me disiplinë buxhetore dhe ulje të shpenzimeve për Gjilanin, por nuk mund të ketë tolerancë ndaj atyre që kanë obligime, sidomos ndërmarrësit dhe ekonomitë familjare që lidhen me obligime ndaj këtyre kategorive të obligimeve tatimore i lus që ti shlyejnë borxhet sepse ndikojnë në zbutjen e këtij problemi.

Haziri: Më 30 dhjetor do të raportoj në Kuvendin e Komunës për nëntë mujorin e punës së këtij viti

Kryetari Haziri ka paralajmëruar se në seancën e fundit të këtij viti do të raportoj për punën nëntë mujore të këtij viti, duke bërë me dije se buxheti për vitin 2015 ka thyer kufijtë dhe do të rritet për 4.2 milionë euro.

“Më 30 dhjetor, në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, unë do të paraqes raportin nëntë mujor dhe do të përgatis raportin vjetor. Poashtu, jemi duke punuar edhe në përgatitjen dhe projektimin e tremujorit të parë të punëve që na presin për vitin e ardhshëm”, ka thënë Haziri.

“Duke shpresuar se do të miratohet në Kuvendin e Kosovës buxheti, Gjilani hyn me një buxhet që i kemi thyer edhe kufijtë buxhetor për 4.2 milionë euro më shumë se sa vitet e kaluara. Nuk do të thotë se jemi të kënaqur me këtë, por do të punojmë edhe më shumë që vitit tjera të krijojmë një rritje tjetër. Jemi duke punuar shumë në sektorin e arsimit, shëndetësisë dhe sektorë të tjerë. Po ashtu shumë jemi duke punuar në fushën e investimeve kapitale ku kemi një përmirësim të ndjeshëm”, është shprehur kreu i Gjilanit.

“Kemi planifikuar 1.2 milionë euro rrugë të fshatrave, 1.3 milionë euro në rrugë të qytetit. Do të punojmë shumë në infrastrukturën bazike gjatë vitit të ardhshëm, në mënyrë që t’i përmbyllim të gjithë ato kërkesa qytetare, në vendbanimet e territorit të Komunës së Gjilanit në mënyrë që Gjilani të çlirohet njëherë e përgjithmonë, sa i përket infrastrukturës së qarkullimit më të mirë”, ka thënë Haziri, duke u zotuar në më shumë punë para miratimit në Kuvend dhe çdo vit tjetër buxhetor, në mënyrë që të arrijmë atë që prej vitesh Gjilanit i ka munguar.

“Gjilanit viteve të fundit i ka munguar kujdesi shtetëror. Kujdesi shtetëror ndaj një qyteti dhe ndaj një qytetari tregohet atëherë kur ndan buxhet të drejtë për ta”, pohoi i pari i gjilanasve.

 

Një muaj homazh në kujtim të 70-vjetorit të masakrës së madhe të Gjilanit

Kryetari i Komunës së Gjilanit ka bërë me dije se nga 22 dhjetori deri më 22 janar do të jetë një muaj i përkujtimit, homazhit dhe përkuljes në kujtim të 70-vjetorit të masakrës së madhe të Gjilanit ku kanë humbur jetën 8 mijë qytetarë.

Haziri tha se në 70 – vjetorin e masakrës së Gjilanit nga data 22 dhjetor deri më 22 janar Gjilani do të shënon aktivitete homazh.

“Ditët përkujtimore për mijëra qytetarë që nga ndëshkimi i ekspeditës së brigadave komuniste, në kohën kur gjithë bota dhe Europa, pritën ndryshime dhe lirinë e popujve, qyteti i Gjilanit ka humbur mbi 8 mijë qytetarë. Është masakra më e madhe në këtë pjesë të këtij regjioni, ku kanë humbur jetën intelektualë të kohës të cilët luftuan për lirinë e vendit. Nga kjo masakër nuk u kursyen as të moshuarit, gratë dhe fëmijët”, tha Haziri.

Haziri ka deklaruar se edhe sot e asaj dite kemi mijëra të zhdukur që nuk u dihen as varret, dhe nuk dihet ku i kanë shenjat. Sipas tij, Gjilani duhet të gjunjëzohet dhe duhet t’i nderon në këtë muaj me aktivitete homazhe, akademi, përkujtime duke pritur edhe mysafir gjatë këtij muaji.

“Flaka e Janarit i dedikohet 70 vjetorit të masakrës, por ne do të angazhohemi maksimalisht që përkujtimi ndaj kësaj date të shënuar dhe përkujtimi ndaj këtyre familjeve që kanë pasur të humbur, të jetë nivelin e meritueshëm. Në Gjilan nuk mund të gjendet asnjë familje që nuk e ka së paku një të humbur në këtë periudhë. Kjo tregon qartë për rolin tonë, të Komunës së Gjilanit në këtë periudhë kohore të Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë kryetari Haziri.

Probleme dhe shqetësime me projektet e lëna përgjysmë

Kryetari Haziri në aspektin e projekteve të lëna përgjysmë ka thënë se ato janë subjekt i hetimeve të organeve të drejtësisë, duke potencuar se Komuna është në pritje të vendimit të organeve të drejtësisë për të vazhduar apo bërë prerjen e punëve në to.

“Shqetësime tona dhe problemet janë me 17 projekte nga ish-qeveria komunale në Gjilan, që i kemi gjetur e që nuk kemi mundur t’i realizojmë apo trajtojmë për shkak të natyrës e që tashmë janë subjekt i vendimmarrjes nga ana e drejtësisë. Këto 17 projekte marrin miliona euro për tu realizuar. Ne po presim që të zbardhen rastet në mënyrë që të kemi mundësi për të planifikuar ndërtimin apo vazhdimin e realizimit të tyre deri në përfundim të këtyre projekteve”, tha ai.

Ai ka potencuar edhe disa nga projektet që kanë ngecur siç është projekti i Varrezave të Dëshmorëve,  Biblioteka e Qytetit, Stadiumi, ndërtesa e Policisë Regjionale të Kosovës etj.

“Projekti më i madh dhe më i dhimbshëm është ai i varrezave të dëshmorëve, i cili po ashtu është subjekt i hetimeve dhe natyrisht se përveç 17 programeve të Komunës i kemi dy programe me ministri, siç është objekti i Policisë Regjionale së Kosovës, i cili ka mbetur në katin e dytë, dhe dy programe me Komisionin Europian, është Biblioteka e Qytetit dhe Stadiumi”, shtoi Haziri.

“Toleranca ndaj mosrealizimit të programeve do të jetë zero. Ne nuk mund të vazhdojmë t’i trajtojmë si program në letër ose do të vazhdojnë, ose do të mbyllen apo edhe të dështojnë si programe që nuk janë realizuar, dhe si të tilla ne duhet ta bëjmë prerjen”.

“Prerja sipas ligjit nënkupton rishikim i projektit dhe mbyllje e projektit sepse nuk mund t’i trajtojmë si programe që po ecin në Gjilan dhe programe të tilla që kanë problem me ligjin. Fatkeqësisht, deri tash janë 34 lëndë që po hetohen nga organet e shtetit dhe për të cilat ne presim impakt tjetër. Kjo është njëra nga sfidat kryesore, përkundër vullnetit të madh që programet të realizohen. Gjilani ka nevojë edhe për 170 projekte të tjera. Mirëpo, situata në të cilën e kemi gjetur dhe e kemi trajtuar është kjo që është determinuese edhe për mënyrën se si do ta vazhdojmë”, ka thënë kryetari i Komunës.

Shpërblime për raportuesit e korrupsionit

Problem tjetër kryetari Haziri ka spikatur edhe me ndërtimet pa leje, të cilat, janë kryer në Komunën e Gjilanit e të cilat do të trajtohen në bazë të ligjit, duke potencuar fazën e ridizajnimit të zyrave, sikur që ka ofruar edhe shpërblim për raportuesit e korrupsionit.

“Deri më tani kemi 54 objekte pa leje. Jam në fazën e riorganizimit të administratës dhe natyrisht njerëzit përgjegjës në këtë sektor do të marrin reagimin adekuat të shtetit. Këto 54 objekte të ndërtuara pa leje do të trajtohen sipas ligjit, tashmë kemi operatorin për rrënim të objekteve që nuk i plotësojnë kushtet, apo i shkelin planin urban dhe ligjin në tërësi. Nuk ka tolerancë në asnjë mënyrë për ndërtuesit apo edhe ata që kanë toleruar ndërtimet ilegale. Reagimi ynë do të jetë në përputhje me ligjin”.

“Kam vendosur shpërblimin prej 500 deri në 2000 euro për të gjithë ata që denoncojnë korrupsionin  dhe format korruptive në Komunën e Gjilanit. Raportimi i tyre mund të bëhet në telefona të Policinë e Kosovës, në Komunën e Gjilanit në të gjithë telefonat zyrtarë dhe privat duke i ndjekur çdo lloj linje të komunikimit. Dhe për çdo denoncim që konfirmohet nga ana e drejtësisë – hetuesve të krimeve ekonomike, atëherë Komuna i merr obligimet ndaj qytetarëve të përgjegjshëm ka me reaguar me këtë formë të shpërblimeve”.

“Po ashtu shpërblime për programe në bujqësi do të ketë për gjithë ata të cilët e punojnë në masën më të madhe tokën, duke u subvencionuar edhe nga ne do të ketë shpërblime në programe për fshat, komunitet apo lagje, ku përfshihen infrastrukturë, gjelbërim, shkolla, çerdhe dhe programe të tjera. Me këtë jemi të interesuar të motivojmë komunitetin me punuar, ngase një pjesë e madhe e tokave janë të papunuara, ngase pronarët e tyre janë jashtë vendit, ndërsa ne dëshirojmë të gjejmë mënyrën që të punohet toka”, tha kryetari Haziri.

Zyra për Preshevë Medvegjë dhe Bujanoc do të hapet së shpejti

Kryetari Haziri ka paralajmëruar se së shpejti do të hapet Zyra për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

“Do të angazhohemi që ta funksionalizojmë shumë shpejt edhe Zyrën për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Kjo zyrë do të trajtoj të drejtat civile për gjithë qytetarët tanë që për shkak të problemeve ligjore dhe gjendjes që është në Kosovë nuk trajtohen barabarësisht. Zyra do të bëhet funksionale shumë shpejtë dhe zyrtarët që do të emërohen aty do të jenë 24 orë në shërbim të realizimit të të drejtave Civile për qytetarët që vijnë nga ajo pjesë, por edhe për qytetarët që jetojnë në Gjilan edhe më tutje si rezident por pa të drejta të njohjes së dokumentacionit”, është shprehur Haziri.

Orët e vendosura nga KEDS-i janë jashtligjshëm

Poashtu, ai ka folur edhe aspektin e ndriçimit publik dhe orëve të vendosura nga KEDS-i.

“Komuna e Gjilanit këtë vit i ka minimizuar obligimet dhe borxhet ndaj operatorëve, në veçanti ndaj ndërmarrjeve të mëdha. E di se kemi pasur restrikcion në ndriçim publik, ndërsa tani kanë mbetur vetëm edhe dy vendbanime janë pa ndriçim publik në Gjilan dhe sipas dinamikës së punimeve edhe ato dy lagje brenda javës së ardhshme do të kryhet ndriçimi Publik. Ne kemi trashëguar shumë borxhe edhe në ndriçimi publik, ne jemi duke e servisuar edhe këtë borxh dhe do ta kthejmë në normalitet duke i shlyer borxhet ndaj KEDS-it dhe ndaj “Hidromoravës”, theksoi kryetari Haziri.

“KEDS-i nuk ka asnjë të drejtë ligjore, poashtu, që të vendos ora nëpër shtyllat elektrike pa lejen e Komunës. Ne e kemi dërguar një urdhëresë për tërheqjen e atyre orëve. Ne do ta përsërisim edhe njëherë kërkesën tonë menaxhmentit të KEDS-it, nëse jo, atëherë do të dalim me inspeksionin dhe do t’i grumbullojmë të gjitha orët dhe do t’ia kthejmë prapa. Për vendosjen e tyre duhet pëlqim i Komunës dhe duhet leje urbane. Ne mbështesim natyrisht politikën e KEDS-it, por nuk lejojmë që Gjilani me u bërë “Kandahar”, për “qefe” të organizatave. Edhe ashtu është bërë sikur rrjet e merimangës, prej shtyllës në shtyllë, por kjo do të zgjidhet gjatë të ardhmes”, tha kryetari i komunës.

Për fund, kryetari Lutfi Haziri ka apeluar që me këtë problem të merret kompania, sepse Komuna nuk ka rrugë tjetër përpos të dalë e t’i shkyç orët e vendosura dhe t’i kthej prapa. 

Kthehu mbrapa

Shto koment